Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, në një samit trepalësh të paprecedentë javën e ardhshme. Në agjendë do të jenë Irani dhe kontrolli i armëve bërthamore, ndërsa zyrtarët amerikanë thanë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të diskutohet shprehimisht, raporton Radio Evropa e Lirë.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi më 13 nëntor se të tre liderët do të takohen më 19 nëntor, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen, në juglindje të Kinës. Trump dhe Putin nuk do të zhvillojnë një takim të veçantë dypalësh gjatë vizitës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, tha se Trump synon të diskutojë për reduktimin e armëve bërthamore në mbarë botën, duke e cilësuar përhapjen e tyre si veçanërisht të rrezikshme. Megjithatë, zyrtarët e lartë amerikanë paralajmëruan se nuk pritet të arrihet ndonjë marrëveshje, teksa e përshkruanin takimin si një bisedë fillestare për të hapur diskutimet mbi kontrollin e armëve.
Irani në fokus
Diskutimi i planifikuar trepalësh zhvillohet në një kohë kur administrata Trump po vazhdon presionin ekonomik ndaj Teheranit dhe po kërcënon me veprime të tjera ushtarake, ndërsa Rusia dhe Kina ruajnë lidhje të ngushta me qeverinë iraniane.
Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi se Trump synon ta ngrejë çështjen e Iranit në takimin trepalësh, por nuk dha detaje nëse Uashingtoni do të kërkojë ndihmën e Moskës dhe Pekinit për t’i dhënë fund konfliktit apo për të frenuar aktivitetet rajonale të Teheranit.
Mark Katz, profesor në Universitetin George Mason dhe bashkëpunëtor i lartë jorezident në Këshillin Atlantik, i tha Radios Evropa e Lirë se Trump mund të shpresojë t’i bindë Putinin dhe Xinë që t’i bëjnë presion Iranit për t’i ndalur sulmet e Teheranit dhe të huthëve, militantëve të mbështetur nga Irani që kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior.
Megjithatë, Katz vuri në pikëpyetje nëse ndonjëri prej dy liderëve do të bashkëpunojë.
“Unë nuk mendoj se Putini apo Xi do të jenë të gatshëm t’i bëjnë presion Iranit”, tha ai, duke argumentuar se aktivitetet e Iranit e largojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara nga kundërshtimi i interesave ruse dhe kineze.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ritheksoi qëndrimin e Uashingtonit gjatë Konventës Kombëtare të Shoqatës Federaliste të Juristëve, në Uashington, më 13 nëntor.
I pyetur se çfarë do të përbënte një fitore amerikane në Iran, Rubio tha se “fitorja nënkupton që [Irani] nuk mund të ketë armë bërthamore. Në një mënyrë ose në një tjetër”.
Rubio akuzoi udhëheqjen klerikale të Iranit se po sponsorizon terrorizmin dhe mbështet grupe të armatosura në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Hezbollahun në Liban dhe milicitë në Irak.
Ai argumentoi se zhvillimi i raketave dhe pasurimi i uraniumit nga Teherani e kanë afruar Iranin me sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për ndërtimin e një arme bërthamore, pavarësisht mohimeve të tij se synon ta bëjë këtë.
Rubio tha se presioni ekonomik e ka dobësuar qeverinë iraniane dhe e ka zvogëluar nevojën e menjëhershme për veprime të tjera ushtarake. Megjithatë, ai këmbënguli se parandalimi i sigurimit të armëve bërthamore nga Irani mbetet thelbësor.
“Asgjë nuk është më gjysmë bote larg”, tha ai, duke paralajmëruar se aftësia e Iranit për të prodhuar armë bërthamore do të përbënte kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj rajonalë.
Pengesat në kontrollin e armëve bërthamore
Kontrolli i armëve bërthamore pritet të jetë gjithashtu temë diskutimi në takimin trepalësh.
Traktati New START, marrëveshja e fundit e mbetur për kontrollin e armëve bërthamore mes Uashingtonit dhe Moskës, skadoi në shkurt, duke hequr kufizimet mbi dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë për herë të parë në më shumë se pesë dekada.
Trump e refuzoi propozimin e Rusisë për zgjatjen e marrëveshjes edhe për një vit, duke bërë thirrje në vend të kësaj për një marrëveshje të re dhe të modernizuar, në të cilën do të përfshihej edhe Kina.
Megjithatë, kjo ambicie përballet me pengesa të konsiderueshme. Vlerësimet e Pentagonit tregojnë se arsenali bërthamor i Kinës përmban më shumë se 600 koka bërthamore, krahasuar me më shumë se 5.000 në secilin prej arsenaleve amerikane dhe ruse. Pekini ka treguar pak interesim për të pranuar kufizime mbi arsenalin e tij, dukshëm më të vogël.
“Ne mendojmë se ka ardhur koha që Kina të ulet në tryezën e të rriturve, nëse mund ta themi kështu, dhe të zhvillojë biseda të pjekura për çështje madhore”, i tha një zyrtar i lartë amerikan Radios Evropa e Lirë.
Zyrtari pranoi se detyra është e vështirë, duke thënë: “Ne nuk presim të arrijmë ndonjë lloj marrëveshjeje”. Ai e përshkroi takimin si “fillimin e një bisede që shpresojmë se mund të jetë produktive në të ardhmen”.
Luke Coffey, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, i tha Radios Evropa e Lirë se takimi ofron përfitime të kufizuara praktike për Uashingtonin.
“Në realitet, ky do të jetë më pak një takim trepalësh dhe më shumë një takim dypalësh, me Shtetet e Bashkuara në njërën anë dhe Kinën e Rusinë në anën tjetër, megjithëse Moska do të jetë partneri më i vogël”, tha Coffey.
Ai shtoi se nuk mund ta imagjinojë që nga takimi të dalë diçka thelbësore, përtej dhënies së legjitimitetit gjeopolitik Pekinit dhe Moskës.
Edhe Katz ishte po aq skeptik.
“Personalisht, nuk pres që nga samiti trepalësh të dalë ndonjë marrëveshje domethënëse”, i tha ai Radios Evropa e Lirë. “Ai kryesisht do t’u ofrojë mundësinë tre liderëve për fotografi”.
Ukraina jashtë agjendës
Vendimi për ta lënë Ukrainën jashtë agjendës vjen në një kohë kur Uashingtoni po zhvillon kontakte të ndara diplomatike me Moskën lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, që ka zgjatur gati pesë vjet.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se administrata ka “një kanal krejtësisht tjetër” për diskutimet rreth luftës, ku përfshihen Uashingtoni, Moska dhe Kievi, ndërsa Kina nuk është pjesë e tij.
“Ne kemi zhvilluar shumë takime së fundmi me rusët, por Kina nuk është pjesë e këtij kanali, prandaj nuk duket e përshtatshme që diskutimi për Ukrainën të zhvillohet aty”, tha zyrtari.
Miliarderi Elon Musk pritet ta shoqërojë Trumpin gjatë disa pjesëve të vizitës në Shenzhen, për shkak të interesave të tij të gjera afariste në Kinë. Zyrtarët thanë se Musk nuk do të marrë pjesë në takimin zyrtar me Xinë apo në samitin trepalësh.
Përfshirja e tij vjen në një kohë kur Kongresi amerikan po shqyrton gjithnjë e më shumë rolin e kompanisë SpaceX të Musk në komunikimet e Ukrainës gjatë luftës.
Senatorët demokratë, Jeanne Shaheen dhe Chris Coons, i kanë kërkuar Muskut dhe kompanisë SpaceX që të ruajnë dokumentet lidhur me ndërprerjet e qasjes së Ukrainës në shërbimet satelitore Starlink dhe Starshield, në tetor dhe sërish më 12 nëntor.
Në një letër drejtuar Muskut më 13 nëntor, senatorët thanë se ndërprerjet kishin ndikuar në komunikimet e përdorura nga forcat ukrainase, përfshirë sistemet që mbështesin dronët interceptues, të cilët mbrojnë qendrat e banuara të civilëve nga sulmet ruse.
Ata gjithashtu vunë në pikëpyetje shpjegimet kontradiktore të Muskut dhe zyrtarëve të lartë të administratës lidhur me atë se kush kishte autoritetin për të vendosur kufizimet. Senatorët kërkuan një pasqyrë të plotë të vendimeve të marra dhe mbikëqyrje më të madhe qeveritare mbi kapacitetet kritike për sigurinë kombëtare.