Borrelli foli për shansin historik të Ballkanit Perëndimor

Në 20-vjetorin e valës më të madhe të zgjerimit të Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka përmendur Ballkanin Perëndimor si rajon që ka shansin historik për të lidhur të ardhmen me BE-në.

“Megjithatë, puna jonë e ribashkimit të kontinentit nuk është kompletuar. E dinim para 2022-s dhe e dimë edhe më mirë sot, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Viteve të fundit, miliona evropianë kanë treguar vullnetin dhe shpresën për t’iu bashkuar projektit të BE-së. Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia kanë dritare historike të mundësisë që të lidhin fuqishëm të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së është politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë, duke i rritur standardet e jetesës së evropianëve”, ka thënë Borrelli në një deklaratë të publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të përfaqësuesit të lartë.

Ai ka thënë se BE-ja dhe shtetet kandidate bashkëpunojnë për sigurinë e mbrojtjen, që të përballen bashkë me sfidat e shumta gjeopolitike, ndërkohë BE-ja po punon me reformimin e vetvetes.

Ndryshe, kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta. Në fillim të prillit, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, përveç realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEZhozef Borell (Josep Borrell)