Bora sot ka shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në Shkup, ndërsa një pjesë e madhe e rrugëve këtë mëngjes janë të pakalueshme ose vështirë të kalueshme. Qyteti i Shkupit ka nënshkruar kontratë prej një milionë euro për pastrimin e borës nga rrugët, raporton Portalb.mk.
Si pikat më kritike përmenden ura e Maxharit drejt Çentos, si dhe mbikalimi nga lagjja Dame Gruev drejt Gjorçe Petrovit, ku automjetet qëndrojnë me orë të tëra pa lëvizur.
Sipas qytetarëve, rrugët janë të ngrira dhe trafiku zhvillohet jashtëzakonisht ngadalë ose është plotësisht i bllokuar.
Probleme raportohen edhe në Komunën e Ilindenit, ku është krijuar një tollovi e madhe, ndërsa dalja drejt autostradës është pothuajse e pamundur për shkak të rrugëve të ngrira dhe bllokimit të automjeteve.
Në anën perëndimore, tollovi i madh është në Gjorçe Petrov, nga hyrja e autostradës deri në Karposh.
Probleme shtesë qytetarët kanë raportuar edhe në transportin publik.
Qytetarët raportojnë gjithashtu bllokim serioz edhe në Bulevardin Ilindenska. Kolona të mëdha vërehen edhe nga Lisiçe (te FFM) deri te Stacioni Hekurudhor, ku automjetet lëvizin jashtëzakonisht ngadalë.
Qytetarët u kanë bërë thirrje shërbimeve kompetente për ndërhyrje më të shpejtë, pastrim dhe hedhje kripe në rrugë.
Një milion euro është tenderi që Qyteti i Shkupit ka lidhur me një kompani private për pastrimin e borës nga rrugët e qytetit. Kontrata për angazhimin e mjeteve speciale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve është nënshkruar më 29 tetor të vitit të kaluar me kompaninë “Neksos Inxhiniering” nga Shkupi. Në tender kanë marrë pjesë dy oferta, ndërsa kontrata është lidhur për një periudhë prej 24 muajsh.
Pavarësisht reagimeve të banorëve të Shkupit, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski thotë se që nga orët e hershme të mëngjesit, ekipet e Qytetit të Shkupit kanë qenë vazhdimisht në terren dhe kanë punuar intensivisht për pastrimin e borës nga rrugët dhe bulevardet nën juridiksionin e qytetit.
“Bora nuk është surprizë në dimër, përgatitja është detyrimi ynë! Për të reaguar shpejt dhe me efikasitet, shtabi i krizës është aktiv 24 orë në ditë, me monitorim dhe zbulim të vazhdueshëm të të gjitha pikave kryesore dhe kritike. Siguria e qytetarëve është përparësia jonë”, tha Gjorgjievski.
Përveç borës, bllokim shtesë po shkakton edhe testimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, ku në disa rrugë automjetet nuk lejohen të kalojnë.
Reshjet e borës që nga mëngjesi i sotëm e kanë vështirësuar trafikun edhe në qytete dhe në rrugë rajonale. Që nga mëngjesi i sotëm ka qenë në fuqi ndalim për automjetet e rënda në Strazhë, Gjavatë dhe Presekë, si dhe në seksionet Mavrovë-Dibër dhe Strugë-Qafë.