Biblioteka, parajsa në tokë: Fushata në Tetovë që në epokën e teknologjisë e kthen vëmendjen te librat

Nën moton e Jorge Luis Borges “Biblioteka, parajsa në tokë”, Biblioteka e Tetovës ka përfunduar fushatën motivuese të leximit, duke përfshirë personalitete të shquara të qytetit, me synim që të frymëzojë publikun për të rikthyer dhe ruajtur zakonet e leximit, shkruan Portalb.mk.

Projekti është realizuar edhe në gjuhën maqedonase me personalitete të rëndësishme dhe me një pjesë të stafit që i përkasin këtij nacionaliteti.

Gjulten Ajruli, biblioteksite dhe udhëheqëse e projektit për Portalb.mk tha se qëllimi i këtij projekti ishte ta rikthejnë bibliotekën si një hapësirë të gjallë, të frymëzimit dhe qetësisë shpirtërore.

“Në epokën e teknologjisë, ku informacioni është më i qasshm se kurrë, leximi mbetet një nga aktivitetet më të vlefshme për zhvillimin intelektual dhe emocional të individit. Në këtë drejtim, edhe Biblioteka e Tetovës përmes aktiviteteve të shumta, projekteve të realizuara, projekte këto që përfshijnë të gjithë kategoritë e lexuesve duke filluar nga parashkollorët e deri tek lexuesit pensionistë, ndërmerr hapa konkretë gjithmonë për të ruajtur dhe promovuar kulturën e leximit. Qëllimi ynë ishte ta rikthejmë bibliotekën si një hapësirë të gjallë, të frymëzimit dhe qetësisë shpirtërore, një vend ku libri bëhet strehë dhe shok i përditshëm. Mediat, interneti, platformat ku këto aktivitete shfaqen, sigurisht që ndjeshëm kanë ndikuar në afirmimin dhe rritjen e interesimit për bibliotekën”, tha Ajruli.

Ajo tha se këto projekte kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë te të rinjtë dhe te komuniteti në përgjithësi.

“Projektet e fundit kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë te të rinjtë dhe te komuniteti në përgjithësi. Megjithatë, më duhet të theksoj se, Biblioteka e Tetovës, falë punës së përkushtuar të stafit punues në raport me lexuesit, në mënyrë konstante arrin të tërheqë një numër të konsiderushëm me afro pesë mijë anëtarë aktiv, numër ky që aspak nuk duhet të jetë i mjaftueshëm kur dihet që Tetova është qytet me shumë shkolla fillore, të mesme dhe i dy universiteteve, por që janë shumë faktorë të tjerë për të cilat opinioni tashmë është i njoftuar, që ndikojnë në kufizimin e këtij numri. Këto aktivitete, në fakt, vetëm shtojnë publicitetin dhe informimin e masës së gjerë për punën dhe rolin e këtij institucioni në ngritjen e nivelit kulturor në shoqëri dhe sigurisht përmes tyre vërejmë një rritje të dukshme të numrit të të rinjve që regjistrohen si anëtarë, kërkojnë rekomandime për libra dhe që marrin pjesë në aktivitete letrare. Përmes qasjeve kreative, gjithëpërfshirëse dhe përmbajtjeve digjitale, ashtu siç ishte edhe ky projekt, kemi arritur të krijojmë një lidhje më të ngushtë mes brezit të ri dhe librit”, tha Ajruli.

Ajruli tha se artdashësit e librit i presin risi të shumta.

“Projekti ynë i radhës do të realizohet së shpejti, por që akoma jemi në fazën e përgatitjeve dhe që do doja për momentin të mos jap detaje. Vetëm më duhet të theksoj se kjo do të jetë një risi për lexuesit, për artdashësit dhe një mënyrë më ndryshe për të festuar me lexuesit, për të qenë më afër tyre”, tha Ajruli.

Projekti është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës së RMV-së, ndërsa është sponsorizuar nga një shtëpi botuese.

BibliotekaKultura shqiptareKulturë lajmeProjekt