BE-ja ka informata të ndara nga Zelensky rreth synimit rus për konflikt në Ballkan

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë të premten se Bashkimi Evropian po e mban në vëzhgim sjelljen e Rusisë dhe se nuk është gjë e re që Rusia tenton të ketë ndikim negativ, raporton Koha.net. “Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikimin malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jostabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe të tjera. Prandaj, për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime”, ka thënë ai në konferencën për shtyp në Bruksel.

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësimin për mundësinë që Rusia të tentojë të ndërhyjë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim që të nxisë ndonjë konflikt.

Në këtë pikë, nga BE-ja janë pajtuar me vlerësimin të cilin presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, e ka dhënë të enjten mbi këtë rrezik. Zelensky ka thënë se posedon informacione se Rusia do të tentojë që të shkaktojë një konflikt në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. (Së pari kemi pasur) Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, ka thënë Zelensky të enjten, në një takim me gazetarë nga Afrika.

Lidhur me këtë, të premten u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili ka thënë se BE-ja po e mban në vëzhgim sjelljen e Rusisë dhe që nuk është gjë e re që Rusia tenton që të ketë ndikim negativ.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikimin malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jostabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe të tjera. Prandaj, për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime”, ka thënë Stano në konferencën për shtyp në Bruksel.

Megjithëkëtë, Stano nuk ka dashur që të komentojë hollësitë rreth informatave që i posedojnë apo për mënyrën se si i ndajnë ato.

“Ne nuk i komentojmë informatat të cilat i shkëmbejmë me partnerët. Sidomos jo kur është fjala për diçka specifike, si kjo. Por ne kemi informata dhe i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë për një kohë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë tenton Rusia të bëjë. Prandaj jemi në kontakt me partnerët edhe në Ballkan për këtë çështje”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian (PE) në disa raporte të përpiluara ka tërhequr vërejtjen se Rusia, nëpërmjet faktorëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që bashkëpunojnë me shtetin rus, do të bëjë tentime për të ndikuar në rajon dhe për të nxitur konflikte. Nga PE-ja është tërhequr vërejtje e veçantë për mundësinë e ndikimit të Rusisë në Serbi, në entitetin e Republika Sërpskas në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi dhe në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

Paralajmërimin e Zelenskyt e kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian (KE), Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë një takimi të mbajtur të enjten mbrëma në Zagreb.

Ata kanë thënë se “përgjigjja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.

Plenkoviq e ka përmendur sulmin e fundit të “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjskë në Zveçan të veriut të Kosovës, si një dëshmi se si mund të përshkallëzojë situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)Lufta në UkrainëRusiaUkrainaVladimir PutinVladimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)