Një zëdhënës i Bashkimit Europian tha më 26.11.2025 se duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Serbia shkel detyrimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, më saktësisht neni 4 i saj, shkruan Kallxo.com.
“Progresi i Serbisë në rrugën e saj europiane varet gjithashtu nga përpjekjet e bëra për të zbatuar plotësisht të gjitha angazhimet e saj nga Marrëveshja e vitit 2023 mbi Rrugën drejt Normalizimit”- tha zëdhënësi.
Zëdhënësi nuk u përgjigj nëse BE ka ndërmarrë ndonjë hap ndaj Serbisë për këtë çështje.
Po ashtu, zëdhënësi rikujtoi se sa i përket Programit të Reformës dhe Rritjes, parakushti që lidhet me progresin në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë vlerësohet sa herë që pranohet një kërkesë për pagesë sipas Programit në përputhje me dispozitat e Rregullores.
Së fundmi, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, pretendoi se “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e INTERPOL-it”.
Daçiq supozoi se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e INTERPOL-it” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.
Në nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit shkruan se Serbia “nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
INTERPOL (International Criminal Police Organization) është Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, një organizatë ndërqeveritare që ndihmon policitë e vendeve anëtare të bashkëpunojnë në luftimin e krimit ndërkombëtar.
Serbia këtë vit ishte munduar ta pengojë Kosovën edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Edhe atëherë BE kishte deklaruar se Serbia me sjelljen e saj ndaj Kosovës në Këshillin e Europës është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.