Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vlerësojnë se deklarata e ministres së Arsimit, Vesna Janevska, përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërës prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Portalb.mk.
Nga BDI, thonë se Janevska e quan Badenterin “mjet” dhe kërkon që ai të mos zbatohet aty ku ajo dhe Qeveria mendojnë se “nuk duhet”.
“Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë. Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët. Edhe më poshtëruese është se, në kontekstin e bllokadës nga deputetët shqiptarë, ministrja flet për shqiptarët si për një ‘komunitet të vogël’. Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, thonë nga BDI.
Siç thonë nga atje, badenteri është garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve. Kërkesa për zbatimin e tij selektiv synon zhvlerësimin e plotë të këtij mekanizmi.
“Kjo është pasojë e mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së s’Vlen-it. Prania e tyre në Qeveri nuk i mbron shqiptarët. Heshtja e tyre u mundëson ministrave t’i poshtërojnë publikisht shqiptarët pa dhënë asnjë përgjegjësi. Kërkojmë që Janevska të kërkojë menjëherë falje publike dhe ta tërheqë deklaratën. Ligjet për arsimin duhet të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me shumicën e nevojshme të Badenterit. Badenteri nuk është në dispozicion të Qeverisë. Ai është detyrim kushtetues”, nënvizojnë nga BDI.
Ndryshe, ministrja e Arsimit dhe Shkencës në RMV, Vesna Janevska, në një intervistë për MIA thotë se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike dhe atë pikërisht përmes arsimit. Në procedurë parlamentare janë tre ligjet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë – por ato janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare, ku këmbëngulin që gjatë miratimit të tyre të zbatohet parimi i Badenteri. Ministrja thotë se gjithmonë do të ketë një pjesë më të vogël që do të jetë e pakënaqur me diçka, por shumica e komunitetit akademik e ka pranuar ligjin në formën e tij aktuale.
Kujtojmë, se votimi i dyfishtë ishte zgjidhja më origjinale e Marrëveshjes së Ohrit. Ai kërkon që ligjet mbi kulturën, gjuhën, arsimin, dokumentet personale dhe simbolet të miratohen edhe me shumicë të deputetëve joshumicë të pranishëm, duke u dhënë atyre praktikisht të drejtë vetoje.
Në praktikë, ky mekanizëm nuk është një formulë e vetme, por tri formula të ndryshme me prag dhe fushëveprim të ndryshëm, dhe kjo hapësirë interpretimi po keqpërdoret. Lista e fushave që kërkojnë votim të dyfishtë në Kuvend nuk përkon me listën përkatëse në nivel komunal. Arsimi është shembulli më i dukshëm: ai mbrohet nga procedura kur për të vendoset në qeveri, por jo kur për të vendoset në komunë, edhe pse kompetencat arsimore u bartën te komunat që në vitin 2005. Vendimet buxhetore, përfshirë investimet kapitale, mbeten tërësisht jashtë mekanizmit të Badinterit, ndonëse pikërisht shpërndarja e fondeve mes komunave është një nga problemet më të mëdha në vend.
Me rishikimin e Badinterit në vitin 2015 u planifikuan tri korrigjime më të mëdha dhe u rekomandua formimi i një grupi ekspertësh. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, asnjëra nuk është ndjekur dhe grupi nuk është formuar.
- LEXO: Ligji për Arsimin e Lartë në RMV, Janevska pretë që Kuvendi t’i miratojë ligjet dhe kërkoi të hiqet Badenteri
- LEXO: Njëzet e pesë vjet nga Marrëveshja e Ohrit: korniza u ndërtua, fotografia mungon
- LEXO: Ligjet për arsimin e lartë do të presin shtatorin, BDI e pezulloi bllokadën por jo kushtet