BDI: Kosova nuk është “Metohi”, Qeveria po deformon historinë e Kosovës në librat shkollore

BDI ka shprehur shqetësim për pasaktësitë në librin e Gjeografisë të klasës VII, botuar nga “Trimaks” dhe miratuar në vitin 2025, ku sipas tyre shtrembërohet statusi dhe realiteti historik i Kosovës. Kryesoret janë paraqitja e Kosovës si pjesë jugperëndimore e Serbisë, përdorimi i termit “Metohi” dhe formulime si “Mitrovica e Kosovës”. Partia fajëson institucionet arsimore për miratimin e librit dhe kërkon tërheqjen, rishikimin dhe korrigjimin e tij, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës.

Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi strukturat qeverisëse, të cilat perfaqësohen në Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore, “sepse miratimi i këtij libri në vitin 2025 tregon vasalitetin, servilitetin dhe tolerimin ndaj shtrembërimeve historike dhe identitare, duke rrezikuar edukimin e nxënësve dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar”.

BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore.

Nuk është hera e parë ku në librat shkollor ka përmbajtje të papërshtatshme, fyese apo të pavërteta. Gjatë vitit 2021 u identifikua se një prej librave me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve ishte Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz. I njëjti sipas hulumtimit të Portalb.mk, ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë ku edhe fyheshin shqiptarët.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)LibraMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Qeveria e Maqedonisë së Veriut