BDI-ja dënoi trajtimin çnjerëzor të 76 të punësuarve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie midis Bashkësive

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese dënoi ashpër dhe pa asnjë rezervë trajtimin çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie midis Bashkësive, të cilët, siç thonë, janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale njerëzore dhe pa asnjë detyrë pune, njofton Portalb.mk.

“Vendosja e dhjetëra grave dhe burrave në tri zyra, pa karrige, pa tavolina pune, pa kompjuterë, pa mjete elementare dhe pa asnjë angazhim profesional, duke i detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në ora 16:00, përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike. Fakti që këta punonjës, për të mbijetuar ditën e punës, janë detyruar të improvizojnë duke u ulur në dysheme dhe duke sjellë batanije nga shtëpia, është një turp shtetëror që cenon dinjitetin njerëzor dhe shkel çdo standard ligjor, moral dhe evropian. Edhe më e rëndë është sjellja pas këtij akti. Në vend që institucionet të marrin përgjegjësi për kushtet çnjerëzore që kanë krijuar, pamjet e kësaj situate janë keqpërdorur publikisht për linçim moral, ndërsa Kryeministri ka shkuar deri aty sa t’i akuzojë këto punonjës për “imoralitet”, thuhet në kumtesën e partisë.

Nga BDI-ja potencojnë se bëhet fjalë për gra shqiptare, për nëna, për motra dhe bashkëshorte, të cilat janë poshtëruar nga shteti i tyre dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë.

“Kjo është vijë e kuqe e kaluar dhe nuk mund të relativizohet, justifikohet apo heshtet. Për më tepër, edhe lidhur me këto ngjarje sulmohet BDI, ndërsa në fakt bëhet fjalë për nëpunës shteti, të cileve vet shteti duhet t’u siguroj kushte dhe trajtim dinjitoz. Kryeministri ka për obligim moral dhe politik të kërkojë menjëherë falje publike ndaj këtyre grave, familjeve të tyre dhe mbarë komunitetit shqiptar për gjuhën fyese dhe për legjitimimin e një praktike që përkujton metodat më të errëta të diskriminimit institucional, thonë nga partia.

BDI-ja kërkoi përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për këtë skandal, ndërprerje të menjëhershme të këtij trajtimi çnjerëzor dhe rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit. Institucionet e shtetit, siç theksojnë, nuk guxojnë të shndërrohen në hapësira ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike. Potencojnë se dinjiteti njerëzor nuk është privilegj, por e drejtë themelore që nuk negociohet.

Zëvendëskryeministri dhe ministës i Marrëdhënieve midis Bashkësive, Ivan Stoillkoviq më 25 dhjetor në profilin e tij në Fejsbuk publikoi video nga një zyrë në Ministrinë me të cilën udhëheq, ndërsa në të cilën, siç thotë, kanë punuar nëpunësit nga Bashkimi Demokratik për Integrim që u larguan nga ky institucion. Ky publikim i Stoillkoviqit pasoi pasi paraprakisht BDI-ja opozitare akuzoi për diskriminim në Ministrinë e Marrëdhënieve midis Bashkësive, për shkak se nga ky institucion u larguan nga puna shtatë shqiptarë.

“Kjo është një zyrë në Ministrinë e Marrëdhënieve midis Bashkësive, përndryshe e transformuar në atë që e shihni, ku ‘punonin’ administratorët e shkarkuar dje, të cilët, për ndonjë rastësi, janë nga BDI. Pas dokumentimit të situatës, ata u dërguan në shtëpi për të fjetur. Kaq ishte”, shkroi Stoillkoviqi në Fejsbuk.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ivan Stoillkoviq