BDI ka akuzuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut për diskriminim të qëllimshëm dhe sistematik ndaj shqiptarëve në institucionet publike.. Këtë herë partia përmend Fondin për Sigurim Shëndetësor, ku nga 19 avansime, asnjë nuk ka qenë shqiptarë. Sipas BDI-së, kjo tregon përjashtim etnik dhe shkelje të përfaqësimit të drejtë, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon me shqetësim të thellë shembullin më të fundit të diskriminimit të qëllimshëm dhe sistematik të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike.
Vetëm në një rast, Fondi për Sigurim Shëndetësor i RMV-së, janë realizuar 19 avansime, prej të cilave 18 për maqedonas, 1 për turq dhe asnjë për shqiptarë. Ky është një tregues i qartë i përjashtimit etnik dhe shkeljes së parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si dhe një dëshmi e vazhdimësisë së politikave diskriminuese që po zbaton kjo qeveri”, thonë nga BDI.
Kjo parti shton se Qeveria aktuale çdo ditë në praktikë vepron si një regjim i izolimit etnik, duke i kthyer institucionet publike në mure për shqiptarët.
“Në vend të barazisë, kjo qeveri po vendos një sistem përjashtues që avancon vetëm të përzgjedhurit etnikisht, duke anashkaluar profesionistët shqiptarë dhe duke i mohuar atyre të drejtën për rritje profesionale dhe institucionale. E filluan me hjekjen e balancuesit në mënyrë antikushtetuese nga Kushtetuesja, për të krijuar mundësitë që shqiptarëve t’ua japin statusin e të padëshiruarve në administratën shtetërore dhe publike.
U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve për transparencë dhe përgjegjësi, dhe paralajmërojmë se BDI nuk do të lejojë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre”, shtojnë nga BDI.
Për këtë ka reaguar edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
“Faktet flasin vetë. Së fundmi, në Fondin për Sigurim Shëndetësor të RMV-së, së fundmi janë realizuar 19 avancime, prej të cilave: 18 për maqedonas, 1 për turk dhe 0 vende për shqiptarët. Në tri ditët e fundit, Agjencia për Administratë dhe Fondi Pensional dhe Invalidor i RMV-së kanë shpallur konkurse për 23 vende të reja pune, të gjitha në rajonin lindor të vendit, ku nuk jeton asnjë shqiptar. Kjo nuk është rastësi. Kjo është politikë shtetërore e përjashtimit, e koordinuar mirë dhe me heshtjen e atyre që më parë flisnin në emër të shqiptarëve, por sot janë bërë pjesë e skemës qeveritare të diskriminimit dhe manipulimit”, thonë nga ASH.
ASH paralajmëron se nëse kjo qasje e njëanshme nuk ndalet menjëherë, si parti, do të përdorë të gjitha format demokratike për të ndërkombëtarizuar këtë diskriminim strukturor dhe për të kërkuar mekanizma ligjorë dhe kushtetues që garantojnë përfaqësimin real të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Kujtojmë se para pak ditëve, BDI shprehi shqetësim mbi punësimet dhe avancimet e fundit në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, përkatësisht në njësinë për Policinë Kriminale.
- LEXO: MPB-ja nuk e jep listën e avancimeve në SPB Tetovë, thonë se janë informacione të klasifikuara
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni për Portalb.mk e ka mohuar një gjë të tillë. Ai theksoi se për 11 muaj në SPB Tetovë janë bërë 32 avancime dhe 5 punësime të reja, dhe se të gjitha janë shqiptarë.
Ai tha se në Tetovë janë bërë 18 avancime dhe 3 punësime me kontratë dhe në Gostivar 15 avancime dhe 2 punësime.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme nuk e jep listën e avancimeve të bëra, pasi sipas tyre informatat janë të klasifikuara.
- LEXO: Avancimet në SPB Tetovë: BDI akuzoi për diskriminim të shqiptarëve, zëvendësministri Iseni e mohoi
Kujtojmë se që nga ardhja e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ka qenë temë e përditshme debati midis partive politike, sidomos pas shfuqizimit në tetor të 2024 të instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Portalb.mk në një analizë së fundmi prezantoi numrat e përfaqësimit etnik në disa institucione që janë në disproporcion me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sipas regjistrimit të popullsisë. Nga të dhënat e siguruara rezultoi se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.
Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ngjashëm si numerikisht, nuk qëndrojnë mirë në përfaqësim të drejt dhe adekuat as kur bëhet fjalë për pozicione udhëheqëse administrative. Portalb.mk ka analizuar disa institucione shtetërore, për atë se sa shqiptarë ka në pozita udhëheqëse.
Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht ka akuzuar qeverinë aktuale se po punëson pa asnjë baraspeshë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ndërkaq protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”. Por një zgjidhje e tillë ligjore po zvarritet me muaj të tërë.