BDI dhe ASh-ja shpallën fitore në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht

Koalicioni AKI i përbërë nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shpallur fitore në Komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit në zgjedhjet e përsëritura që u mbajtën sot, transmeton Portalb.mk.

Valbon Limani, kandidati nga AKI-ja tha se sonte me shumë krenari mund ta shpallin fitoren.

“Dallimi me kundërkandidatin është më tepër se dy me një, gostivarasti votuan me Gostivartin në zemër dhe të gjithëve ju dërgojmë një mesazh, të fala nga Gostivari. Falënderojmë çdo aktivisti çdo qytetari që votoi dhe që nuk na votoi, prej këtu zotohemi se do t’i shërbejmë gostoivarasve ndershëm dhe do ta bëjmë më të mirën”, tha Limani.

Isen Shabani, kandidati i AKi-së në Vrapçisht tha se sonte janë para opinionit për të festuar fitoren në komunën e Vrapçishtit.

“Kemi rezultat dy me një, duku tre mijë vota jemi në epërsi. Na priftë e mbara urime”, tha Shabani.

Pas kësaj u deklaruan edhe dy liderët e partive.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i konsideroi si dy fitore të mëdha të AKI-së.

“AKI-ja tregoi se bashkë mund të bëjmë rezultate të jashtëzakonshme”, tha Taravari.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se në rrethin e parë u përdor bojkoti në mënyrë që kandidatët e AKI-së mos të fitojnë.

“Do doja të ju uroj punë të mbarë, shëndet dhe suksese si Valbonit ashtu edhe Isenit. Dua të ndaj një shqetësim që se kam thënë asnjëherë në këtë proces zgjedhor dhe sidomos në këto komuna si Gostivar dhe Vrapçisht që na është bërë me hile, përveç që është përdorë në komunat tjera inxhineringu, këtu është përdorur sabotazha-bojkoti që ne mos të triumfojmë në rrethin e parë të zgjedhjeve”, tha Ahmeti.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianZgjedhje lokale RMV 2025