Babë e bir dhe dy të tjerë nën hetim për shitje droge në Shkup, Prokuroria kërkoi paraburgim

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka urdhëruar zhvillimin e procedurave hetimore ndaj gjithsej katër personave, tek të cilët gjatë fundjavës janë gjetur sasi të caktuara të lëndëve narkotike. Me këtë janë plotësuar elementet e veprës penale – “Prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Në hetimin e parë janë përfshirë babë e bir, të moshës 50 dhe 19 vjeç, të cilët në shtëpinë e tyre në rrugën “Brigada Maqedone-Kosovare” dyshohet se kanë mbajtur së bashku rreth pesë kilogramë marihuanë, të paketuar në disa qese dhe të destinuara për shitje të mëtejshme. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia ka gjetur edhe tri peshore digjitale me gjurmë droge.

Hetim është hapur edhe ndaj një 25-vjeçari nga Haraçina, i cili dyshohet se për qëllim shitjeje ka mbajtur në mënyrë të paligjshme rreth 1,8 kilogramë marihuanë, të paketuar në dhjetë paketime, si dhe një peshore digjitale, të cilat i janë gjetur dhe konfiskuar gjatë kontrollit.

Për të njëjtën vepër penale dyshohet edhe një 23-vjeçar nga Aerodromi, i cili në një hapësirë të braktisur bodrumi në bulevardin “ASNOM”, dyshohet se për shitje ka mbajtur në mënyrë të paligjshme 640 gramë amfetaminë, 541 tableta të verdha, si dhe 0,15 gramë substancë të verdhë në formë kokrrize, e cila paraqet 3,4-metilendioksimetamfetaminë (MDMA).

Gjatë kontrollit tek ai janë gjetur edhe 69 letra të shpuara me prani të LSD-së, peshore digjitale dhe sende të tjera me gjurmë të substancave psikotrope, kokainës dhe kanabisit.

Për të katër të dyshuarit, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatës kompetente propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

Drogë - lëndë narkotikeKontrabandë Trafikim me drogëProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV