Në mes të fushatës së zgjedhjeve lokale në Maqedoni, Avokati i Popullit u bën thirrje pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të përmbahen nga përfshirja e fëmijëve në aktivitete politike. Përndryshe, do të shkelej dinjiteti i tyre dhe e drejta e mbrojtjes nga ndikimi politik e garantuar nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe Kodi Zgjedhor, i cili përcakton se pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore duhet të veprojnë në përputhje me parimet e sjelljes etike dhe të përgjegjshme, transmeton Portalb.mk.
Avokati i Popullit thekson se fëmijët nuk duhet të përdoren për të promovuar parti politike, kandidatë ose programe, as për t’u shfaqur në video, paraqitje publike ose materiale promovuese në kontekstin e fushatës. Në këtë kuptim, Avokati i Popullit inkurajon prindërit dhe publikun të raportojnë raste të tilla në mënyrë që të mbrohen të drejtat dhe dinjiteti i fëmijëve.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga ndikimi dhe abuzimi politik. Lufta politike midis të rriturve nuk duhet të zhvillohet përmes fëmijëve”, deklaron Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit shton se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të veprojë mbi të gjitha informacionet ose ankesat në lidhje me shkeljet e mundshme të të drejtave të fëmijëve në procesin zgjedhor.
Ndryshe, edhe organizata CIVIL, pak para nisjes së fushatës bëri thirrje që fëmijët të mos keqpërdoren për fushata dhe që kjo praktikë të ndalet menjëherë.
Kujtojmë se kjo praktikë nuk është e re për partitë. Çdo cikël zgjedhor, gjatë promovimit të aktiviteteve të tyre, zyrtarët e lartë të shtetit në forma të ndryshme përfshijnë edhe praninë e fëmijëve të moshës nën 16-vjeçare, megjithëse të gjithë theksojnë se kanë autorizim nga prindërit.