ASH-Diasporë: VLEN bashkëpjesëmarrëse në fshirjen e diasporës, tërhiqni vendimin

Aleanca për Shqiptarët Diasporë a reaguar lidhur me heqjen e balacuesit. Ata thonë se zhvillimet politike po i ndjekin me shqetësim të madh, ku për një kohë të shkurtër nga Qeveria e re, siç thonë ata, janë sjellë disa vendime në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, transmeton Portalb.mk.

“Së fundmi kjo Qeveri solli edhe vendimin më të rëndë për ne si diasporë, ndryshimet në Balanser, duke na fshirë nga statistika zyrtare dhe duke na mohuar kështu të drejtën e përfaqësimit dhe të qenrit pjesë e popullatës së përgjithshme në vend. Këtë padrejtësi të madhe jo vetëm që e ka lejuar, por edhe po e realizon edhe koalicioni VLEN të cilët tanimë janë bashkë pjesëmarrës në vendimmarjet e këtilla”, thonë nga ASh.

Ata thonë se si diasporë janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut dhe kontribues të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset në vend, si në ato ekonomike përmes remitencave dhe në shumë raste edhe investimeve të drejtpërdrejta, ashtu edhe në shumë sfera të tjera të jetës publike.

“Ne jemi të lidhur drejtpërdrejtë me vendlindjen tonë, në shumë momente kemi qenë të kyçur drejtpërdrejtë dhe kërkojmë që të rikthehet trajtimi i barabartë me qytetarët e tjerë. Koalicioni vLEN më së shumti ka keqpërdorur diasporën për qëllime parazgjedhore, ndërsa tani jo vetëm që e kthen shpinën, por dëshiron të na bëjë edhe inekzistent. Të gjitha degët e Aleancës për Shqiptarët në diasporë, reagojnë zëshëm ndaj vendimit të fundit për fshierjen e diasporës shqiptare nga statistika zyrtare e përfaqësimit të drejtë dhe për këtë vendim do të alarmojmë edhe qendrat vendimmarëse evropiane dhe botërore si dhe të gjitha shoqatat e diasporës shqiptare”, thonë nga ASh-Diasporë. 

Ata nënvizojnë se këto vendime të Qeverisë jolegjitime i shohin edhe si një hap drejt pengimit të rikthimit të disaporës në vendlindje dhe dyshojmë se fshihen edhe skenarë më të rrezikshëm.

“Ftojmë të gjitha forcat e tjera politike, organizatat qytetare dhe çdo bashkëatdhetar të ngrisë zërin dhe të mos lejojmë këtë padrejtësi që rrënon arritjet mbi dy dekadëshe për integrim të diasporës dhe nxjerjen e përqindjes reale të popullsisë në Maqedoninë e Veriut”, shtojnë nga ASh-Diasporë.

Kujtojmë se ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski më 28 qershor tha se mjeti digjital, balancues, do të mbetet në të kaluarën në RMV. “Ne do t’i japim fund kriterit të përzgjedhjes së punësimit që fillimisht të jesh i një etni e caktuar, pastaj profesionist në një fushë të caktuar, me cilësi dhe arsim”, tha Andonovski.

Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se balancuesi me të cilin shumë maqedonas u bënë shqiptarë për të gjetur një vend pune do të zëvendësohet me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. Sipas tij, balancuesi nuk do të shfuqizohet, por siç tha ai do të rregullohet me ligj dhe do të jetë detyrim ligjor. Kjo, sipas tij, do të bëhet që përfaqësimi i drejtë të bëhet detyrim ligjor, e jo të mbetet mekanizëm për pazare politike, siç ishte deri tani.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Qeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE