Artpolis organizon mbrëmjen poetike feministe “Poezi për Fuqi-Revoltë në kohë të vështirë”

Më (6 mars) në Menzën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë me fillim nga ora 20:00 do të organizohet një takim frymëzues i poezisë feministe “Poezi për Fuqi- Revoltë në kohë të vështirë” nën organizimin e “ArtPolis”, si një akt revolte poetike për të transformuar heshtjen në shoqëri, transmeton Portalb.mk.

Nga faqja zyrtare e Artpolis kanë thënë se në këto kohë të vështira, revolta poetike është shpërthim ndaj shtypjes, ankthit e pafuqisë. Sipas tyre poezia është guximi për t’u shprehur, për t’i thënë jo izolimit, heshtjes dhe stigmës mbi shëndetin mendor, fizik dhe emocional.

“Revolta nuk është gjithmonë britmë. Ndonjëherë është heshtje që vlon përbrenda. Përmes “Poezi për Fuqi” ju ftojmë në këtë akt revolte poetike-ta shkruajmë atë, ta themi, ta transformojmë heshtjen! Revoltohemi për të mos lejuar që dhimbja të na shndërrojë në hije. Revolta jonë është refuzimi për t’u shuar. Revoltohemi që ta lindim poezinë tonë të çlirimit të mendjes e shpirtit. Poezia, arti e fjala e thënë janë revolta që dhimbjen e kthen në forcë, heshtjen në zë, e mendimin e pashprehur në krijim. Të krijosh është të jetosh!”, thuhet në njoftim.

Kjo natë poetike do të shoqërohet nga tingujt magjikë të “Don’t Listen to Your Neighbors”.

Poezitë do të marrin jetë përmes interpretimit nga Anisa Ismaili, Arbresha Grabovci Nixha, Bibi Qena, Blerta Syla Surroi, Ergjan Mehmeti, Gili Hoxhaj, Ilire Zajmi, Maja Mitiq, Qendresa Kajtazi, Rudina Dembacaj, Sheqerie Buqaj, Vlora Ademi dhe Xhejlane Tërbunja.

Në udhëheqjen e kësaj mbrëmjeje poetike do të jetë regjisorja Zana Hoxha, e cila do të na drejtojë nëpër këtë udhëtim poetik e transformues.

FeminizmiKultura shqiptareKulturë lajmePoezi