Artistë nga e gjithë bota do të zbarkojnë në Strugë për simpoziumin “Struga ’26′

Edicioni i 11-të i Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit “Struga ’26” do të mbahet nga 29 gushti deri më 3 shtator 2026 në Strugë, duke mbledhur artistë nga vende të ndryshme të botës. Krahas krijimtarisë artistike, programi i sivjetmë përfshin performanca, punëtori për fëmijë, vizita kulturore dhe aktivitete të hapura për publikun, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Simpoziumit, Burhan Ahmeti, për Portalb.mk deklaroi se edicioni i sivjetmë paraqet një vazhdimësi të rëndësishme të manifestimit, por njëkohësisht edhe një hap përpara në ndërkombëtarizimin e tij.

“Edicioni i 11-të është për ne një vazhdimësi shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe një hap përpara në ndërkombëtarizimin e Simpoziumit. Nga viti në vit kemi arritur të krijojmë një familje të madhe artistësh nga vende, kultura dhe tradita të ndryshme, ndërsa këtë vit kemi synuar që programi të jetë edhe më dinamik dhe më i hapur ndaj publikut. Simpoziumi do të zhvillohet nga 29 gushti deri më 3 shtator 2026 në Strugë, me pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtarë, të cilët gjatë qëndrimit të tyre do të krijojnë vepra të reja, por edhe do të prezantojnë krijimtarinë dhe eksperiencat e tyre artistike. Përveç punës së përditshme artistike, kemi përgatitur një program të pasur kulturor dhe shoqëror. Një moment i veçantë do të jetë performanca artistike e Refki Gollopenit në Qendrën NABIZI, në ambient të hapur. Gjithashtu kemi paraparë vizita në Manastirin e Shën Naumit, Muzeun mbi Ujë dhe qytetin e Ohrit, aktivitete në natyrë, piknik, si dhe një punëtori artistike për fëmijë. Simpoziumi do të përmbyllet me ekspozitën e veprave të realizuara dhe të prezantuara nga artistët, në Qendrën e Kulturës në Strugë, në ambient të hapur. Synimi ynë është që arti të mos mbetet vetëm brenda hapësirës së punës së artistëve, por të jetë i pranishëm në qytet dhe sa më afër publikut”, theksoi Ahmeti.

Motoja e edicionit të sivjetmë është “Art Connects Cultures”-“Arti lidh kulturat”, e cila, sipas organizatorëve, përmbledh filozofinë mbi të cilën është ndërtuar Simpoziumi gjatë 11 edicioneve. Ahmeti thotë se gjatë viteve Struga është shndërruar për disa ditë në një pikë takimi të artistëve, kulturave, traditave dhe shkollave të ndryshme artistike.

“Në Simpozium nuk takohen vetëm artistë; takohen gjuhë, kultura, tradita, shkolla dhe mënyra të ndryshme të të menduarit dhe të krijuarit. Artistët vijnë nga vende të ndryshme të botës, por për gjashtë ditë jetojnë dhe krijojnë së bashku në të njëjtën hapësirë. Pikërisht aty ku ndonjëherë ekzistojnë barriera gjuhësore, arti bëhet gjuha e përbashkët. Gjatë edicioneve të kaluara në Simpozium kanë marrë pjesë qindra artistë nga dhjetëra vende të botës. Kjo ka krijuar një rrjet ndërkombëtar miqësish dhe bashkëpunimesh që sot shkon shumë përtej vetë aktivitetit në Strugë. Për ne është shumë e rëndësishme që artistët ndërkombëtarë të mos njohin vetëm Simpoziumin, por edhe Strugën, Ohrin, Liqenin e Ohrit, kulturën, trashëgiminë dhe mikpritjen tonë. Në këtë mënyrë, ata bëhen edhe ambasadorë të kësaj hapësire kur kthehen në vendet e tyre. Prandaj besoj se gjatë këtyre 11 edicioneve kemi arritur që Struga, për disa ditë çdo vit, të bëhet një atelie e madhe ndërkombëtare dhe një pikë takimi kulturash, ku dallimet nuk na ndajnë, por bëhen burim frymëzimi”, tha Ahmeti.

Pas përfundimit të Simpoziumit, sipas tij, nuk mbeten vetëm kujtimet, por edhe veprat e krijuara, kontaktet profesionale dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Veprat e realizuara gjatë viteve formojnë një koleksion që pasurohet vazhdimisht dhe shërben si një lloj arkivi vizual i historisë së manifestimit.

“Kjo është ndoshta një nga vlerat më të rëndësishme të Simpoziumit. Pas gjashtë ditëve nuk mbeten vetëm fotografitë dhe kujtimet. Mbeten veprat e artit, kontaktet profesionale, miqësitë dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Veprat e krijuara gjatë Simpoziumit formojnë një koleksion që çdo vit pasurohet dhe që përfaqëson një lloj arkivi vizual të historisë së këtij aktiviteti. Çdo vepër sjell me vete identitetin e artistit, vendin prej nga vjen dhe një pjesë të eksperiencës së tij në Strugë. Por ndoshta edhe më të rëndësishme janë lidhjet njerëzore dhe profesionale. Nga njohjet e krijuara këtu kanë lindur ftesa për ekspozita, projekte të përbashkëta, vizita artistike dhe bashkëpunime të reja ndërkombëtare. Artistët vazhdojnë të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë shumë kohë pasi Simpoziumi ka përfunduar. Kjo është arsyeja pse ne nuk e shohim Simpoziumin vetëm si një aktivitet gjashtëditor. Ai është një proces që fillon në Strugë, por vazhdon të jetojë në vende të ndryshme të botës përmes artistëve dhe veprave të tyre. Në fund, suksesi më i madh për ne është kur një artist largohet nga Struga jo vetëm me një vepër të re, por me miq të rinj, ide të reja dhe me dëshirën për t’u rikthyer përsëri. Pikërisht këtu merr kuptimin e plotë edhe motoja jonë: “Art Connects Cultures””, përfundoi Ahmeti.

Art - Vepra artistikeEkspozitëKultura shqiptareKulturë lajmeStruga