Në kuadër të TIFF ODES, në Tetovë është realizuar projekti “Iniciativa Krijuese Shetitëse”, gjatë një periudhe dy mujore me zhvillimin e punëtorive artistike në fusha të ndryshme si teatri, muzika, filmi dhe animacioni me kukulla, transmeton Portalb.mk.
Ky projekt synon krijimin e një vepre artistike përmes konceptit të “Traveling Cinema”, duke e vendosur artin në qendër të jetës kulturore dhe shoqërore të komunitetit.
Në kuadër të këtij projekti, punëtoria muzikore e mbajtur nga profesoresha Teuta Alimi, si dhe shfaqja “Ballkanibalizem dhe Pankdemia” e interpretuar nga Ajshe Useini, sollën një risi të veçantë në jetën kulturore të shoqërisë sonë.
Sabedin Selmani, nga Shoqata TIFF ODA për Portalb.mk tha se “Iniciativa Krijuese Shetitëse’ e dëshmoi edhe një herë se arti lëviz, frymëzon dhe i shëron komunitetet. Ky cikël përfundoi, por procesi vazhdon dhe synimi i tyre është ta çojnë këtë energji në komuna të tjera, duke u dhënë të rinjve hapësirë për krijimtari, vetëbesim dhe zë.
“Iniciativa Krijuese Shetitëse” mbetet një ndër iniciativat më të vlefshme dhe më të nevojshme për komunitetin tonë. Edhe pse ky edicion është mbyllur, aktivitetet nuk përfundojnë këtu; ne e shohim këtë projekt si një proces të vazhdueshëm që synojmë ta zgjerojmë në komuna të tjera si Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë, në varësi të mundësive dhe mbështetjes institucionale. Gjatë dy muajve të fundit u veçua punëtoria muzikore “Të shoqërohemi me muzikë”, e cila pati ndikim të jashtëzakonshëm tek fëmijët. Po ashtu, prezantimet nga monokomedite “Ballkanibalizëm” dhe “Pankdemija” u shndërruan në momente kulmore falë qasjes artistike që trajtoi tema të ndjeshme përmes humorit. Të rinjtë pjesëmarrës reaguan pozitivisht dhe treguan përfshirje të thellë krijuese. Ndryshimet në kreativitet dhe vetëbesim janë proces gradual, por u vërejtën hapa të qartë përpara si rezultat i bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë”, tha Selmani.
Këto krijime artistike theksuan rëndësinë e bashkimit përmes artit dhe fuqinë e tij për të reflektuar mbi realitetin shoqëror në mënyrë të guximshme dhe kreative, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e TIFF ODES.
Nisma ka për qëllim ringjalljen e hapësirave të papërdorura, duke i shndërruar ato në vende për ngjarje kulturore dhe për modele të reja krijuese. Përmes këtij procesi, projekti i inkurajon pjesëmarrësit fëmijë, të rinj dhe të rritur drejt vetë-zbulimit, ndërgjegjësimit dhe rritjes së përbashkët shpirtërore e kulturore.
“Iniciativa Krijuese Shetitëse” zhvillohet që nga viti 2012 dhe mbetet një projekt që rritet çdo vit. Shoqata TIFFODA është e gatshme ta shndërrojë atë në një program të përhershëm vjetor dhe shpresojmë që institucionet komunale ta mbështesin edhe më fuqishëm në të ardhmen.
Ky projekt u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sumë aktivitete të këtij projekti janë realizuar në Europe House në Tetovë.