Arsovska-ambasadores së SHBA-së: Si mund në rresht të parë të ftoni persona të dyshuar për krime të rënda kur duhet të jenë në listën tuaj të zezë

Danella Arsovska në Facebook ka kritikuar ambasadoren amerikane për praninë e disa individëve nën hetim për korrupsion në festën e pavarësisë së SHBA-së në Ambasadë, duke theksuar se ata duhet të ishin në listën e zezë të sanksioneve dhe jo mes të ftuarve VIP. Ajo nënvizon se për këta persona ka prova të pamohueshme, jo vetëm akuza, dhe e konsideron situatën të sikletshme për ambasadoren, transmeton Portalb.mk.

“Mirëmëngjes ambasadore Ageler, gëzuar Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Vetëm të pyes, a nuk është pak e sikletshme për ju që dje kishit njerëz në listën tuaj të të ftuarve VIP që duhet të ishin në listën tuaj të zezë të sanksioneve? Këta të dy duke buzëqeshur sikletshëm në fotografi, për të cilët institucionet kanë prova të forta për krim në të paktën 152 raste dhe për të cilët aktualisht po zhvillohen hetime serioze, në vend që të jenë në listën tuaj të zezë të sanksioneve të SHBA-së që synojnë individë dhe biznese të përfshira në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut, ishin dje në rreshtin e parë në Ambasadë. Për dekada të tëra, në listën e sanksioneve  gjenden persona PËR SHKAK TË AKUZAVE për korrupsion dhe minimizimin e proceseve demokratike, midis tyre janë politikanë, ish-kryeministra dhe ministra, kryetarë komunash, gjyqtarë, dhe SHBA-të sanksionojnë individë të tillë si pjesë e përpjekjeve për të promovuar llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe për këta të dy, KA PROVA TË PAMOHUESHME, jo AKUZA”, shkruan Aarsovska.

Arsovska, dje i dërgoi letër të hapur ambasadorit të BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, ku denonconte mungesën e reagimit institucional ndaj kërcënimeve ndaj saj dhe punonjësve të saj. Ajo theksonte përfshirjen e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në një skandal të rëndë kriminal me dokumente të falsifikuara dhe përfitime milionëshe. Arsovska kërkonte ndërhyrjen e BE-së dhe përcjelljen e situatës, eurokomisioneres Marta Kos, e cila ndodhej në Shkup.

“Sot ju jeni duke pritur komisioneren evropiane Marta Kos në Shkup në një ngjarje të madhe, Samitin BE-Ballkani Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes.
Dje, institucionet dhe deputeti Brane Petrushevski mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në mbrojtje të të preferuarve të partisë së tyre që kanë marrë kërcënime, dhe për fat të keq ata kurrë nuk do të dalin në mbrojtje ose nuk do të dënojnë dhunën ndaj askujt tjetër, përfshirë edhe mua.
Si njeri dhe grua, unë nuk kam pasur dhe nuk kam mbrojtje nga asnjë institucion për kërcënimet që marr vazhdimisht, të cilat i kam raportuar dhe për të cilat flas publikisht, prandaj i kërkoj komisioneres evropiane Marta Kos të përcjellë sa vijon në emrin tim: NË ÇDO VEND KA NJË MAFI, VETËM NË MAQEDONI MAFIA KA SHTETIN E VET”, thuhet në letër.

Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, disa herë përmes ka targetuar kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu. Arsovska ia ka bërë me dijë Ganiut se në sirtarin e saj ka 13 mijë aplikime për legalizim.

“Ne kemi 13,000 aplikime për legalizim këtu. Visari po shkon drejt e në Librin e Rekordeve “Guinness”, ai vetë tha 13,000 (trembëdhjetë mijë) legalizime. Prokuroria tashmë ka provat dhe librin origjinal arkivor për qindra ndërtesa pa leje”, shkrante mes tjerash Arsovska në Facebook 

Kryetarja e Shkupit në shkrimin e saj zotohet se posedon prova dhe se të kota janë presionet nga politika.

“Dhe unë kam prova për të gjitha këto, dhe ju thjesht po shtyni përpara me kërcënime dhe politikë”, thuhet në postimin e Arsovskës.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike ka hapur lëndë dhe po vepron në lidhje me librin e regjistrit me numra arkivorë për legalizimin e objekteve në Komunën e Çairit për të cilin dyshohet se është falsifikuar. Nga aty është bërë me dije për opinionin se,janë marrë në pyetje disa zyrtarë të komunës dhe disa aplikues për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Kujtojmë se, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.  

Ambasada e Amerikës (SHBA) në RMVAngjela Prajs Ageler (Angela Price Aggeler)Danela Arsovska – DanellaQyteti i Shkupit