Armata e RMV-së nikoqire e Konferencës së dytë për trajnim të përbashkët për “Strajker”

Në periudhën nga 9 deri më 11 qershor, në Shtëpinë e ARM-së në Shkup, u mbajt Konferenca e dytë për trajnim të përbashkët për mjetet e blinduara luftarake “Strajker”. Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Garda Kombëtare e Uashingtonit, Ushtria e SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, Komanda e 7-të e Ushtrisë për Trajnim dhe Regjimenti i 2-të i Kalorësisë), përfaqësues nga Republika e Bullgarisë, Grupi Ushtarak Amerikan në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e atasheut të mbrojtjes së SHBA-së, transmeton Portalb.mk.

Konferencën e hapi drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral brigade Orce Jordev, i cili theksoi përkushtimin e Armatës në zhvillimin e aftësive lidhur me përdorimin e mjeteve “Strajker” dhe rolin e saj si një aleat i besueshëm i NATO-s.

Gjatë sesioneve të punës u shqyrtuan programet kombëtare të trajnimit, mundësitë për përmirësimin e kornizës së përbashkët të trajnimit, sfidat lidhur me mirëmbajtjen dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, si dhe përvojat operative nga përdorimi i mjeteve “Strajker”. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësi të njihen drejtpërdrejt me kapacitetet e Armatës për trajnimin dhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve luftarake, si dhe me planet për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Pas përfundimit të konferencës u miratuan dhe u nënshkruan përfundimet e përbashkëta, me të cilat u përcaktuan drejtimet e bashkëpunimit të ardhshëm dhe aktivitetet e përbashkëta në fushën e trajnimit, mirëmbajtjes dhe zhvillimit të aftësive lidhur me “Strajker”.

Në kuadër të konferencës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, realizoi takim me gjeneral brigade Paul Sellers nga Garda Kombëtare e shtetit të Uashingtonit, në të cilin u konfirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak bilateral, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e aftësive për përdorimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve “Strajker”.

Mbajtja e kësaj konference përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin e ndëroperabilitetit mes aleatëve, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e aftësive të përbashkëta në kuadër të NATO-s.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)NATONATO (M)