ANALIZË: Borxhet e të gjitha komunave në Maqedoninë e Veriut kanë arritur në gati 100 milionë euro (Infografik)

Vetëm për tre muaj, ose në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, krahasuar me shtatorin, borxhi total i prapambetur dhe i papaguar i të gjitha komunave në vend, përfshirë Qytetin e Shkupit, u rrit për më shumë se 22.000.000 euro, duke tejkaluar vlerën 90.400.000 euro. Disa komuna raportuan një rritje të konsiderueshme të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara, në bazë tremujore. Portalb.mk në analizën ekonomike javore i rendit vetëqeverisjet lokale dhe ndërmarrjet publike komunale me borxhe më të mëdha.

Borxhe milionëshe të komunave

Nga të gjitha komunat e analizuara në vend, Komuna e Gostivarit ka borxhin më të lartë të papaguar në shumën prej 14.609.000 eurosh. Në “listën e re të borxhlinjve” të Ministrisë së Financave, kjo komunë renditet e 8-ta. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, ose vetëm për tre muaj, borxhi është rritur për 2.100.000 euro.

Komuna e Tetovës renditet gjithashtu në “10 borxhlinjtë më të mëdhenj”, e cila në fund të dhjetorit 2025 raportoi detyrime të prapambetura dhe të papaguara në shumën prej 13.142.100 eurosh, që përbën një rritje prej 3.000.000 eurosh në periudhë tremujore. 

Sipas shumës së borxhit, vijon Qyteti i Shkupit me detyrime të prapambetura, por të papaguara në shumën prej 5.646.000 eurosh, që është për rreth 800.000 euro më shumë se borxhi i raportuar në fund të shtatorit të vitit të kaluar.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Karposhit në Shkup, e mbylli vitin 2025 me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 5.053.000 eurosh, që është një rritje e konsiderueshme prej gati 3.700.000 eurosh krahasuar me shtatorin e vitit 2025, kur borxhi arriti në 1.381.000 euro.

Komuna e pestë në radhë për nga borxhi është Komuna e Kavadarit, e cila në fund të vitit të kaluar raportoi detyrime të papaguara në vlerën 4.142.000 euro, por në bazë tremujore ky borxh u zvogëlua me 144.000 euro.

Borxhe milionëshe të ndërmarrjeve komunale

Edhe ndërmarrjet publike komunale të themeluara në nivel lokal dhe qendror renditen gjithashtu lart për sa i përket shumës së borxheve të prapambetura.

Nga ky segment i sektorit shtetëror, në vendin e parë me një borxh në vlerë prej 18.270.000 eurosh është NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup”, e ndjekur nga NP “Ujësjellës – Kumanovë” me një borxh të prapambetur prej 11.737.000 eurosh, dhe në vendin e tretë është NTP – Shkup me detyrime të raportuara të papaguara në vlerë prej 9.965.400 eurosh.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në fund të vitit 2025, borxhi total i të gjitha ndërmarrjeve publike komunale arriti në 108.030.000 euro dhe krahasuar me situatën në shtator, ka një rënie prej 21.750.000 eurosh.

Në fund të vitit 2025, borxhi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi shtetërore arriti në 274.511.000 euro, që paraqet një rritje prej gati 11.000.000 eurosh krahasuar me situatën në fund të tremujorit të tretë.

Në tetor të vitit 2025 u mbajtën zgjedhjet lokale, pas të cilave dy muajt e fundit të vitit të kaluar praktikisht u menaxhuan nga kryetarët e vjetër-të rinj të zgjedhur të komunave.

Analiza Ekonomike e PortalbitBorxh - BorxhmarrjeBorxhi i Komunës së TetovësBorxhi publik i shtetit RMVKavadariKomuna e GostivaritKomuna e KarposhitKomuna e TetovësNdërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)NPK Ujësjellësi dhe Kanalizimi - ShkupQyteti i ShkupitUjësjellësi