Gjykata Kushtetuese ka publikuar të martën aktgjykimin e plotë, në të cilin ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar, ndërsa zgjedhjen e Qeverisë “Kurti 4” e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën. Në të njëjtin aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar edhe afatin deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Sipas aktgjykimit, Kryesia e Kuvendit në rrethana të caktuara mund të funksionojë edhe pa një nënkryetar nëse kanë kuorum, ndonëse ka bërë thirrje që të votohet sa më parë nënkryetari nga PDK-ja. Ka konstatuar se vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve nëse presidenti nuk zgjidhet më 6 tetor, raporton Koha.net.
Në aktgjykimin e plotë, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë funksionimin edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në këtë rast PDK-së, ndonëse ka konstatuar se kjo pozitë duhet të plotësohet sa më parë.
Kushtetuesja i është referuar praktikës së saj të mëhershme, veçanërisht rastit të ankesës së Listës Serbe vitin e kaluar, sipas të cilit Kuvendi, në rrethana të caktuara, mund të funksionojë pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë, nëse Kryesia ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Megjithatë, Kushtetuesja ka bërë të qartë se kjo nuk nënkupton se PDK-ja e ka humbur të drejtën për nënkryetarin. Gjykata ka konstatuar se PDK-ja nuk kishte hequr dorë nga kjo e drejtë, por kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut deri në vendimin e Gjykatës. Për rrjedhojë, ajo ka vlerësuar se e drejta e grupit të dytë më të madh parlamentar për të propozuar dhe zgjedhur nënkryetarin nuk ishte konsumuar. Kushtetuesja u ka bërë thirrje deputetëve që ta zgjedhin sa më parë nënkryetarin nga radhët e PDK-së. Çitaku u votua për nënkryetare gjatë ditës së djeshme.
Gjykata Kushtetuese sqaron se tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka pasoja juridike, sepse ndikon drejtpërdrejt në rrjedhjen e afateve për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e Qeverisë.