Aeroporti i Ohrit u lëshua në përdorim pas rikonstruimit

Aeroporti i Ohrit “Shën Apostull Pali” nga sot ka kapacitet të rritur, kushte më të mira për udhëtarët dhe stafin, si dhe një pamje të re. Në Ditën e Pavarësisë të Maqedonisë së Veriut, 8 Shtator, është vënë në përdorim ndërtesa e rikonstruktuar e terminalit, hapësirat e së cilës janë pajisur dhe rregulluar në mënyrë moderne, ndërsa janë dekoruar me replika të mozaikëve dhe afreskeve nga trashëgimia e pasur kulturore e Ohrit, shkruan Portalb.mk.

Me një investim prej 2.7 milionë eurosh, në Aeroportin e Ohrit është modernizuar terminali i udhëtarëve, është rritur numri i sporteleve dhe është zgjeruar hapësira për check-in, janë përmirësuar zonat për kontrollin e sigurisë dhe bagazhin e dorës, është riorganizuar parkingu, si dhe janë instaluar pajisje dhe teknologji moderne për shërbim më të sigurt dhe më efikas të udhëtarëve.

Nikolloski theksoi se për vetëm dy vite është realizuar rikonstruktimi i aeroportit, i pari pas 56 vitesh, me të cilin, siç tha, krijohen kushte për tërheqjen e një numri më të madh turistësh dhe kompanish ajrore të reja.

“Për vetëm dy vite arritëm që aeroporti ‘Shën Apostol Pali’ në Ohër të marrë pamje të re bashkëkohore, mishërim i rajonit të Ohrit”, theksoi Nikolloski. Sipas tij, rezultatet tashmë janë të dukshme përmes rritjes së numrit të pasagjerëve. Që nga fillimi i vitit e deri sot, përmes aeroportit të Ohrit kanë kaluar më shumë se 240 mijë pasagjerë, shifër e cila, siç theksoi, është mbi pritjet. Paralelisht me rikonstruktimin e aeroportit, realizohen edhe aktivitete infrastrukturore për përmirësimin e qasjes deri te objekti, me qëllim që udhëtimi deri dhe nga aeroporti të jetë më i lehtë dhe më i shpejtë. Nikolloski theksoi se investimet infrastrukturore duhet të kontribuojnë për përmbylljen e tërësisë në zhvillimin e rajonit të Ohrit. “Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Po e ndërtojmë Maqedoninë!”, porositi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se modernizimi i aeroportit të Ohrit do të kontribuojë në rritjen e numrit të udhëtarëve dhe kompanive ajrore që do ta përdorin atë, duke ndikuar kështu edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

“Aeroporti i Ohrit është një hallkë e rëndësishme, para së gjithash për zhvillimin e të gjithë rajonit, për zhvillimin e Maqedonisë si shtet, por njëkohësisht edhe për zhvillimin e Ohrit, Strugës dhe komunave të tjera përreth”, tha Mickoski.

Ai theksoi se rritja e trafikut ajror sjell edhe potencial më të madh turistik, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ekonomi.

Drejtori ekzekutiv i TAV Maqedoni, Serkan Kaptan, theksoi se rikonstruksioni është realizuar pa ndërprerë funksionimin e aeroportit.

Ai informoi se gjatë 16 viteve të fundit TAV ka investuar gati 300 milionë euro në aeroportet e Maqedonisë, ndërsa lidhshmëria dhe vëllimi vjetor i trafikut janë rritur katër herë.

“Në vitin 2026, aeroportet maqedonase janë aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, ndërsa deri në gusht kemi shënuar rritje prej gati 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Kaptan.

Ai theksoi se aeroporti i Ohrit ka shënuar korrikun më të suksesshëm në historinë e tij, me rekorde të reja në numrin e udhëtarëve dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të terminalit, duke shprehur shpresën se Ohri do të zhvillohet si një qendër kryesore e aviacionit në rajon.

Ndryshe, Aeroporti i Ohrit “Shën Apostuli Pali” në Ohër ka shënuar rritje prej 41,21% të qarkullimit këtë korrik, kështu duke shënuar muajin më të suksesshëm në historinë e aeroportit.

Rritja erdhi si rezultat i shtimit të numrit të destinacioneve të lidhura me Aeroportin e Ohrit. Këtë verë, Ohri është i lidhur me 14 destinacione në Evropë.

Rritje ka shënuar edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ku gjatë korrikut janë shërbyer 408.925 pasagjerë, që paraqet rritje prej 29,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa janë realizuar 2.670 fluturime, ose 10,3% më shumë se në korrik 2025. Dita me frekuentimin më të madh në Aeroportin e Shkupit ishte 31 korriku, kur u shërbyen 16.347 pasagjerë. Numri më i madh i fluturimeve brenda një dite, gjithsej 101 operacione, u realizua më 20 korrik.

Aeroporti i OhritAleksandar NikollovskiHristijan Mickoski HristianTAV Maqedoni