Që nga kohërat e lashta, njerëzimi është sfiduar nga natyra dhe më vonë nga vetvetja. Dëshira për hapësirë, më shumë territor dhe pushtet ka shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve.
Sigurisht, konfliktet e njëpasnjëshme në Lindjen e Mesme, ai në Ukrainë dhe luftërat e mëparshme në Ballkan janë vetëm disa shembuj se si, për pushtet, pozicion rajonal dhe territor, njerëzit dhe qeveritë bëjnë çmos dhe madje shkelin ligjet dhe normat ndërkombëtare të vendosura.
Duke i parë të gjitha këto ngjarje, lind pyetja, pse të gjitha këto tragjedi?
Për të ruajtur rendin dhe ligjin së bashku me një detyrim moral, kombet u bashkuan dhe krijuan ligje dhe norma të tilla si Konventa e Gjenevës dhe shumë të tjera.
Për të drejtën ndërkombëtare në teori kemi dëgjuar shumë e sidomos gjatë tre dekadave të fundit.
Çfarë në të vërtetë është e drejta ndërkombëtare dhe pse ndonjëherë mbetet vetëm në letër?
E drejta ndërkombëtare, është tërësia e rregullave, normave, zakoneve ligjore dhe standardeve që shtetet dhe aktorët e tjerë ndiejnë detyrim t’i zbatojnë, dhe në përgjithësi i zbatojnë, në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, Henderson (2010, 5). Henderson (2010, 5) argumenton: “Në marrëdhëniet ndërkombëtare, aktorët janë thjesht individët dhe entitetet kolektive, siç janë shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe grupet jo-shtetërore, të cilat mund të bëjnë zgjedhje sjelljeje, qofshin të ligjshme apo të paligjshme”.
“Rregullat janë pritje formale, zakonisht të shkruara që përshkruajnë sjelljen e kërkuar, ndërsa normat janë udhëzime joformale, shpesh të pashkruara, në lidhje me sjelljen e përshtatshme që formohen nga zakonet dhe praktika shoqërore. Ajo përcakton norma për shtetet në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë luftën dhe diplomacinë, marrëdhëniet ekonomike dhe të drejtat e njeriut”.
Këtu i shqyrtuam disa koncepte themelore, tani të shohim disa veprime konkrete të shteteve për t’i shkelur normat ndërkombëtare dhe të drejtat të bazuara në ligjet vendore.
Ballkani Perëndimor përkundër përparimit që ka bërë, përsëri disa shtete rrezikohen të përfshihen nga hapja e plagëve të vjetra. Disa qeveri duke promovuar politika të nxitjes, mund të shkaktojnë tensione të reja në rajon duke vënë në pikëpyetje zotimet ndaj ligjit dhe normave ndërkombëtare.
Shembull është Maqedonia e Veriut e cila përballet me disa sfida serioze ndëretnike dhe ndërshtetërore.
Kosova dhe Bosnja-Hercegovina gjithashtu kanë një shkallë të lartë jo stabiliteti. Maqedonia e Veriut po ecën drejt një peizazhi politik kompleks, të ndikuar nga pakënaqësitë historike dhe tensionet ndëretnike.
Sfida ndaj ligjit ndërkombëtar nuk është vërtetuar vetëm në Ballkan. Një shembull tjetër ku shumë mirë shihen këto shqetësime janë aksionet ruse ndaj Ukrainës.
Ditë më parë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë njoftuan autoritetet amerikane që shtetatsit dhe diplomatët e tyre të largohen nga Kievi.
Mediat raportuan se Rusia ka në plan të përdorë armë për të dëmtuar popullsinë dhe të godasë ndërtesat qeveritare dhe ato strategjike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte thellësisht i shqetësuar pasi Rusia njoftoi planet për të sulmuar bazat e mbrojtjes dhe qendrat e vendimmarrjes së Ukrainës.
Nuk voni shumë dronë rusë sulmuan një qendër banimi jo vetëm Ukrainë por dhe në Rumani.
Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pas sulmit rus kishte folur me presidentin e Rumanisë në lidhje me dronin rus.
“E sigurova për solidaritetin absolut të NATO-s me Rumaninë dhe shpreha keqardhje për të plagosurit në incident. Pohova se NATO është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat. Sjellja e pamatur e Rusisë është një rrezik për të gjithë ne. Ata vazhdojnë të synojnë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën. Lufta e Rusisë duhet të përfundojë, ashtu si edhe shpërfillja e Rusisë për sigurinë civile. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë në vend dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën ndërsa ata mbrohen kundër agresionit të Rusisë”.
Nga veprimet e fundit të Rusisë por jo vetëm të saj shihet se ligji ndërkombëtar në realitet nuk po zbatohet saqë është vënë në pikëpyetje ekzistenca e vetë ligjit.
Rusia është nënshkruese e konventave ndërkombëtare, po përsëri nuk i respekton ashtu njëjtë si shtete tjera që kanë ndërhyrë ushtarakisht apo kanë sulmuar shtete pa autorizimin e OKB-së.
Nuk është vetëm Rusia dhe shtetet tjera që veprojnë jashtë ligjit.
Si rast përsëri paraqitet Ballkani, ku edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada, qeveritë vazhdojnë të injorojnë apo shkelin të drejtat themelore.
Nuk mund të ketë qetësi dhe pajtim poqese shtetet nuk mirëkuptohen mesveti. As nuk mund të ketë paqe nëse shtetet e rajonit nuk i respektojnë ligjet ndërkombëtare.
Disa qeveri bësojnë shumë në të drejtën ndërkombëtare. Dihet se do të jetë e vështirë që të vazhdohet të pritet e të besohet se ligji apo normat ndërkombëtare do t’i kryejnë shumë punë të pazgjidhura.
Nëse ligji do të sfidohet nga shtetet e fuqishme, atëherë të vegjlit duhet të bëjnë më shumë në këtë kohë të pasigurisë.
Deri në kohë më të mira, ligji ndërkombëtar dhe normat do të mbesin në anën e dobtë të historisë përballë forcës së shteteve të mëdha.
Por vullneti kolektiv për t’i zbatuar ligjet dhe normat besohet se është e vetmja mënyrë për të parë përpara dhe punuar në reformimin e institucioneve ndërkombëtare ku aty të fuqishmit kanë kritika për funksionimin e institucioneve ndërkombëtare dhe zbatimin e ligjit ndërkombëtar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.