Shteti ka vlerësuar se duhet t’i paguajë dëmshpërblim prej pothuajse 700.000 eurosh kompanisë “Ango”, sepse vitin e kaluar ia mori parcelën në afërsi të Kuvendit, ku për një dekadë kjo kompani jo vetëm që nuk arriti të ndërtonte garazh, por praktikisht as që filloi me ndërtim, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ky përfundim nxirret nga informacioni që këtë javë Zyra e Avokatit të Shtetit e ndau me BIRN, e i cili bazohet në ekspertizën e ekspertëve. Nëse Ministria e Financave i ka paguar paratë, siç kishte planifikuar Qeveria se do të zhvillohej e gjithë procedura, nga atje thanë se “lënda është ende në procedurë”.
“Ango” pagoi pak më shumë se 330.000 euro për parcelën në vitin 2013, pasi fitoi në ankandin publik, ndërsa tani do të marrë më shumë se dyfishin. Diferenca deri në 700.000 euro, e cila duhet t’i paguhet, përveç investimit fillestar për blerjen e parcelës duhet t’i mbulojë edhe shpenzimet e tjera që kompania i ka bërë në përpjekjen për ta ndërtuar garazhin, siç janë paratë për shërbime komunale, elaborate, projektet dhe tatime.
Në këtë tokë për vite me radhë nuk u realizua asnjë punim, ndërsa ndërkohë Komuna Qendër, në territorin e së cilës ndodhet parcela, disa herë u përpoq që në gjykatë ta revokojë lejen e ndërtimit dhe ta ndërpresë marrëveshjen e shit-blerjes. “Ango” i fitoi betejat ligjore, duke pasur si avokat Pançe Toshkovskin, njeriun që tani është në krye të Ministrisë së Brendshme.
Toshkovski paraprakisht e konfirmoi se është mik dhe fqinj, në të njëjtën ndërtesë, i familjes Trpkovski, të cilët qëndrojnë pas kompanisë, por këmbënguli se ai gjithmonë është përjashtuar nga vendimet shtetërore lidhur me parcelën.
Shteti u përfshi në zgjidhjen e sagës dhjetëvjeçare me garazhin pasi “Ango” e rrethoi parcelën dhe i nxorri ekskavatorët në vjeshtën e vitit 2024, vetëm pak javë para se të skadonte afati dhjetëvjeçar për përfundimin e ndërtimit.
Atëkohë Qeveria e re, në krye me Hristijan Mickoskin, si argument për dëmshpërblim e miratoi edhe atë që autoritetet e kishin injoruar vazhdimisht për më shumë se një dekadë, përkatësisht potencialin serioz që garazhi të përbënte një rrezik sigurie për deputetët.
Vitin e kaluar u miratua ligj i posaçëm që duhet ta garantojë sigurinë e Kuvendit dhe në të u përfshi një mekanizëm me anë të të cilit shteti do ta sekuestronte parcelën prej pothuajse 2.500 metrash katrorë dhe do ta dëmshpërblente kompaninë në mënyrë adekuate. Qeveria pastaj e urdhëroi Ministrinë e Financave që ta paguante kompaninë “Ango” pasi Zyra e Prokurorit të Shtetit, institucion ky detyra e të cilit është që t’i mbrojë interesat e shtetit, do të bënte një vlerësim se sa para duhet t’i ktheheshin.
Vlerësimi u përfundua dhe u dërgua në Ministrinë e Financave në mars të këtij viti, ndërsa toka tashmë është në pronësi të shtetit.
Ndërkohë në nëntor të vitit 2024, menjëherë pasi VMRO–DPMNE dhe koalicioni erdhën në pushtet, pronarja e “Ango”, Ankica Trpkovska, u zgjodh anëtare e Komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), institucionit shtetëror që e rregullon sektorin e telekomunikacionit.
Në seancën parlamentare për të votuan 61 deputetë nga shumica qeverisëse.
Trpkovska nuk është e punësuar nga AKE. Ajo duhet të marrë pjesë në seancat e Komisionit, i cili në një farë mënyre funksionon si një këshill drejtues, i miraton raportet dhe programet vjetore, e monitoron realizimin e tyre dhe e shkarkon dhe e emëron drejtorin.
Për angazhimin e saj ajo do të marrë një pagesë mujore në shumën e katër pagave mesatare, ose rreth 2.700 euro.
Familja Trpkovski dhe kompania “Ango” zakonisht nuk japin komente, e kështu ishte edhe këtë herë.