Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut pranon aplikime në kuadër të Konkursit për video-materialin më të mirë me rastin e 80 viteve të bankës qendrore, nën titullin “Çfarë do të thotë Banka Popullore për mua?”, transmeton Portalb.mk.
“Çmim prej 60.000 denarësh për video materialin më të mirë – Banka Popullore i fton qytetarët të prezantojnë rolin e saj në jetën e tyre të përditshme përmes një videoje të shkurtër”, raportoi Banka Popullore.
Banka sqaroi që temat e mundshme për projekte janë: denari e stabiliteti i tij, stabiliteti i çmimeve, stabiliteti i kursit të këmbimit, siguria e sistemit bankar, sistemi i pagesave, rezervat valutore dhe statistikat ekonomike.
“Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e rritur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me përjashtim të anëtarëve të Këshillit të Bankës Popullore, punonjësve të Bankës Popullore dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Çdo pjesëmarrës mund të marrë pjesë me maksimum pesë video materiale. Video materiali duhet të jetë vepër origjinale e autorit, me kohëzgjatje deri në tre minuta, dhe të jetë e realizuar në gjuhën maqedone ose shqipe. Rekomandohet që video materialet të kenë titra të integruara në maqedonisht ose shqip”, raportoi Banka.