31 amandamente për Ligjin për përfaqësim të drejtë, nesër debat në Kuvend

Partitë politike opozitare, BDI, LSDM dhe Lidhja Shqiptare kanë dorëzuar 31 amandamente për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, derisa nesër në seancën e Komisionit për Sistem Politik pritet të vijojë debati për këtë ligj, raporton Portalb.mk.

Amandamentet kanë të bëjnë me mungesën e kuotave dhe sanksioneve.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se pasi ligji të kalojë në komision, do të vendoset në rend dite në seancat plenare të radhës në ditët në vijim.

Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dorëzuan edhe nga Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës por e njëjta pas debatit në komision, nuk u pranua nga shumica parlamentare.

Kujtojmë se pasi Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që procedura për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”, në opinion kanë lindur dilema nëse ky ligj duhet të miratohet me ‘Badenter të vogël’ apo ‘Badenter të madh’. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se në këtë rast duhet të përdoret ‘Badenteri i madh’ pasi përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen. Opozita vazhdon kritikat se ligji është i cekët dhe paralajmëroi bllokadë, ndërsa për pushtetin ligji është historik.

Lidhur me mungesën e kuotave etnike dhe sanksioneve, kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi tha se sanksionet për moszbatimin e ligjit dhe kuotat e përfaqësimit nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në ligj, por do të rregullohen me akte nënligjore dhe metodologji që do të hartohen pas miratimit të tij.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianBDILidhja Shqiptare (LSH) ish Aleanca e SelësLidhja Social Demokrate (LSDM)Ligji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut