262 gazetarë palestinezë janë vrarë dhe 433 të tjerë janë plagosur nga ushtria izraelite që nga fillimi i ofensivës në Rripin e Gazës në vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave nga Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës, gazetarët palestinezë, veçanërisht ata në Gaza, i janë nënshtruar “fushatës më të keqe dhe më të tmerrshme të shënjestrimit, vrasjeve dhe shkatërrimit sistematik të njohur në historinë moderne”.
Sipas Zyrës së Medias, në mesin e gazetarëve të vrarë janë 26 gra.
Që nga fillimi i luftës, forcat izraelite kanë arrestuar edhe 50 gazetarë dhe punonjës të mediave. Prej tyre, 23 vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Zyra e Medias tha se dëmet ndaj sektorit të mediave tejkalojnë 800 milionë dollarë.
Sipas saj, Izraeli ka shkatërruar plotësisht ose pjesërisht: 12 zyra të mediave të shkruara; 23 zyra të mediave digjitale; 12 radio lokale; 16 televizione dhe kanale satelitore; 27 shtypshkronja; zyrat e pesë organizatave për lirinë e shtypit.
Zyra e Medias u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, OKB-së, Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Federatës së Gazetarëve Arabë që të ndërhyjnë për mbrojtjen e gazetarëve palestinezë.
Sipas të dhënave, që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në luftën në Gaza ka vrarë rreth 74 mijë persona dhe ka plagosur rreth 175 mijë të tjerë. Lufta ka shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha në infrastrukturën civile.
Edhe pas marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025, sipas Zyrës së Medias, Izraeli ka vazhduar me sulmet ajrore dhe të shtënat në Rripin e Gazës.