13-vjeçari, i cili para tre ditësh u godit me thikë në zemër gjatë një përleshjeje në lagjen Çair të Shkupit, është në gjendje stabile, por ende në rrezik për jetën. Këtë sot e deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke iu referuar informacionit të fundit që ka marrë, i cili është i djeshëm, transmeton Portalb.mk.
“Informacioni i fundit, për fat të keq, e kam nga dje. Gjendje stabile, por ende në rrezik për jetën”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Sipas tij, ana pozitive është se lëvizja dhe kontraktimi i muskulit të zemrës janë në rregull, megjithatë fëmija ende është në rrezik për jetën.
Për incidentin e 1 shtatorit informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga ku thanë se në lidhje me rastin janë arrestuar pesë persona.
Me detaje për rastin doli edhe Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup, nga ku thanë se një 19-vjeçar dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë”. Ai, së bashku me vëllain e tij të mitur, i cili është nën moshën ligjore për përgjegjësi penale, kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, me ç’rast një fëmije dhe një personi madhor u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore me goditje me thikë. Në incident është lënduar më lehtë edhe një fëmijë tjetër.
Pas propozimit të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale në Shkup i caktoi 19-vjeçarit të dyshuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të ekzistimit të rrezikut të arratisjes, mundësisë që ta pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, si dhe rrethanave që tregojnë rrezik për përsëritjen e veprës penale.