Çka mund të bëjë një ministër shqiptar në MASH?

Në këmbim të mbrojtjes BDI insiston ta marrë Ministrinë e Arsimit, por do të shohim se çfarë do të ndodh pasi që VMRO DPMNE ende taktizon duke theksuar se edhe për ata kjo ministri është shumë e rëndësishme. Por çfarë bëri deri më tani personi me pozitë më të lartë, zëvendësministri Safet Neziri që e udhëheq këtë sektor?
LEXO: Dështimet e BDI-së në arsim (Foto)
LEXO: (Foto) Shkolla e Lubetenit në gjendje të mjerueshme, nxënësit mësojnë ne podrum!

Nga Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave, Qëndresa Sulejmani bën të ditur se zëvendës ministri ka vetëm detyrimet e tij të caktuara me ligj dhe ato që i delegohen nga ministri. Si pozitë, zëvendës ministri absolutisht nuk ka kompetenca të merr vendime bashkë me ministrin.

“Pa dyshim që ministri ka ndikim dhe ka fuqi vendimmarrëse në ministrinë përkatëse, por nga ajo që unë kam parë dhe studiuar, pjesa më e madhe e vendimmarrjes, kur bëhet fjalë për vendime që kërkojnë qasje etnike, i përket negociatave, të mos them pazareve, mes partnerëve politik. Partitë shqiptare zakonisht kanë përfaqësim në strukturat e qeverisë ekzekutive por nuk posedojnë procedura (metoda) adekuate për ta ndikuar vendimmarrjen”, tha për Portalb, Sulejmani.

Arsimi shqip për momentin po ballafaqohet me probleme të shumta, nga mungesa e hapësirës si dhe kushteve të rënda për zhvillimin e mësimit.

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, Zeqir Kadriu për Portalb shprehet mjaft skeptik rreth kësaj teme dhe thotë se po ta merr BDI këtë ministri, duhet të krijojë cilësi më të mirë dhe të ndikojë pozitivisht në arsimin shqip në vend.

“Duke pasur parasysh që nën MASH, hyn byroja për zhvillim, Inspektorati si dhe Qendra e edukimit, duhet pasur shumë kujdes dhe duhet punuar shumë në këtë sferë me qëllim që të ndikojë pozitivisht dhe të përmirësojë gjendjen momentale”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shprehet se zëvendës ministri dhe ministri duhet të jenë kuadro adekuat për këtë fushë, me qëllim që të kenë sukses në punën e tyre.

“Çdo person i dyti në ministri nuk ka fuqi në vendimmarrje dhe nuk ka ingerenca, por megjithatë nëse është i punës ai mund të ketë sukses edhe pse nuk bart funksionin e ministrit. Kurse sa i përket një ministri shqiptarë, ai duhet të jetë njohës i mirë i kësaj fushe me qëllim që të përmirësojë cilësinë dhe kushtet e arsimit tek shqiptarët”, tha për Portalb, Kadriu.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti thekson se nëse kjo parti merr këtë ministri, duhet të fokusohet në përmbajtjen dhe formën e zgjedhjes së ministrit.

“Pesha e partisë e cila hyn në qeveri është shumë e rëndësishme me suksesin e ministrave si dhe duhet më së shumti të fokusohet në përmbajtjen dhe formën e zgjedhjes së kuadrove. Kjo ministri kërkon shumë investim dhe nuk mund të presim rezultate ditore. Puna e deri tanishme e zëvendës ministrave shqiptarë sërish varet nga pesha e partisë. Mendoj se situata nuk është e kënaqshme sepse ka mbetur edhe shumë për tu dëshiruar, ka edhe shumë për të bë”, tha për Portalb, Rushiti.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar (LASH), Nuhi Dardhishta vlerëson se BDI duhet të realizojë platformën në të cilën premtoi cilësi dhe kushte, si dhe menjëherë të bëj marrëveshjen për tekstet shkollore.

“Suksesi i ministrit shqiptarë varet se a do të realizohet platforma e premtuar partiake për fushën e arsimit. Megjithatë theks i veçantë duhet t’i kushtohet unifikimit të teksteve shkollore me Shqipërinë që të mos ketë më probleme me mungesën e librave profesional”, tha për Portalb, Dardhishta.

Kurse kryetari i LASH-it, Kumanovë, Etem Xheladini thotë se nga përvoja e deri tanishme, jemi mësuar që të mos punohet në përmirësimin e arsimit në gjuhën shqipe.

“Nga përvojat e deritanishme kemi kuptuar se projektet që realizohen janë vetëm ato të përbashkëta mes VMRO dhe BDI-së. Ministri shqiptar duhet të ketë njohuri dhe guxim që të ndryshojë këtë gjendje të deritanishme. Sa i përket zëvendës ministrit, ai ndoshta ka dëshirë të ndihmon por fatkeqësisht nuk ka kompetenca”, shprehet për Portalb, Xheladini.

Portalb gjithnjë ka tërhequr vërejtjen për anomalitë në arsim duke bërë seri shkrimesh për kushtet e këqia në këtë sferë mjaft të rëndësishme për zhvillimin e gjeneratave të reja në vendin tonë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button