Nikollovski paralajmëroi luftë dhe front të thellë kundër krimit dhe korrupsionit

Qeveria e re po hap luftë dhe front të thellë dhe joselektiv kundër krimit dhe korrupsionit. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë se si shpenzohen paratë e tyre nga buxheti dhe se si punojnë ose nuk punojnë institucionet dhe të gjithë ata të cilët përdorin mjete buxhetore, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp zëvendëskryeministri për Luftë Kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Resurseve Njerëzore, Lupço Nikollovski, njofton Portalb.mk.

Në të gjithë këtë proces, theksoi Nikollovski, të rëndësishëm janë të gjithë, edhe institucionet, edhe mediat edhe opinioni i ekspertëve, edhe sektori joqeveritar edhe ai civil, edhe bashkësia e biznesit edhe bashkësia akademike dhe të gjitha veglat në shoqërinë tonë për të siguruar se rendi dhe ligji vlejnë për të gjithë dhe kudo njësoj.

“Transparenca është prioritet i lartë i yni dhe do të zbatohet nga niveli më i lartë deri tek niveli më i ulët. Kjo Qeveri përfundimisht do ta optimizojë edhe administratën dhe do të sigurojë alokim të përshtatshëm të të gjitha resurseve njerëzore në sektorin publik. Pozita ime është rezultat i përcaktimit të Qeverisë së re për vendosjen e sistemit i cili vazhdimisht do të gjenerojë dhe realizojë drejtësi dhe rend dhe shtet ligjor dhe që e garanton qeverisjen e së drejtës dhe këtë siguri për të gjithë qytetarët”, deklaroi Nikollvoski.

Paralajmëroi se Qeveria do të punojë në ridefinimin e kodit për sjellje etike të anëtarëve të Qeverisë dhe funksionarët e emëruar nga Qeveria.

“Në zbatimin e këtij kodi do të vlejë maksima zero tolerancë për korrupsionin, zero tolerancë për ministrat, drejtorët, drejtuesit dhe për gjithë administratën publike”. Gjithsecili që do të gabojë para ligjit do të duhet të bartë përgjegjësi. Duhet pasur rend, njëherë e përgjithmonë në institucione. Duhet ta kthejmë besimin tek të rinjtë dhe qytetarët në funksionimin e sistemit për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu”, deklaroi Nikollovski.

Do të punohet, tha, në zhvillimin e veglës sistematike për ndjekjen e parave dhe kapitalit të funksionarëve dhe qytetarëve, që të mund të parandalohet rritja joligjore e pronës gjatë realizimit të detyrës publike.

“Do të inicioj proces të koordinimit të rregullt në të gjitha institucioneve kompetente. Ky do të jetë roli im kryesor. Rol koordinues i cili ka munguar deri më tani dhe i cili që tani duhet të japë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit. Ato janë MPB, Drejtoria për Polici Financiare dhe Drejtoria për Zbulim Financiar, Drejtoria Doganore, DAP, inspektoratet dhe i gjithë pushteti ekzekutiv dhe institucionet të cilat kanë kompetencë dhe obligim dhe të cilat paguhen prej qytetarëve të luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit në mënyrë joselektive pavarësisht se për kë bëhet fjalë”, deklaroi Nikollovski.

Theksoi se duhet pasur koordinim të hapur ndërinstitucional që të ketë rezultat dhe se patjetër në nivel ditor të koordinohen këto institucione për të bashkëpunuar dhe të japin rezultate.

Si kryetar i Komisionit për resurse njerëzore dhe zhvillim të qëndrueshëm, paralajmëroi se ai në mënyrë të detajuar do t’i shqyrtojë të gjitha raportet kuartale dhe vjetore të institucioneve.

Në të gjithë procesin e parandalimit dhe zbulimit të korrupsionit, tha ai, nevojitet administratë efikase dhe profesionale, për çka në katër vitet e ardhshme do t’i kushtojmë vëmendje serioze.

“Nuk mund të presin progres nëse njerëzit e duhur nuk vijnë në pozitat e duhura”, theksoi Nikollovski.

Jemi të vetëdijshëm, theksoi ai, se i gjithë procesi as nuk mundet e as nuk ka filluar dhe përfunduar diku brenda natës por në periudhën që pason dhe me programin katërvjeçar kemi vendosur qëllime të qarta në luftën për çrrënjosjen e kësaj dukurie devijuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button