Nxënësit e klasave të para e të dyta pritet të fillojnë mësimin në shkollat e Kosovës

Ministri Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Kosovës, Ramë Likaj, ka thënë se në vitin e ri shkollor, që fillon më 1 shtator, nxënësit e klasave të para dhe të dyta, procesin mësimor pritet të fillojnë në hapësirat shkollore.

Në raportimin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, në lidhje më përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Likaj ka treguar se komunat do të dezinfektojnë hapësirat shkollore, njëherësh do zbatohen edhe masat parandaluese për sëmundjen COVID 19, që shkakton koronavirusi.

Edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për REL, se edhe në takimin virtual që ka pas të martën me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, kryetarët e komunave të Kosovë dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, kanë kërkuar që prioritet për rikthim në objektet e shkollave, të kenë nxënësit e klasave të para, dyta, gjashta dhe të klasave të dhjeta.

“Por, kjo gjithmonë duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për situatën epidemiologjike dhe kapaciteteve të hapësirave shkollore në nivel komunal”, tha Ibrahimi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, kurse zbatimi i udhëzimeve varet nga drejtoritë komunale të arsimit varësisht kapaciteteve të tyre të hapësirave shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që ndërmori Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.

Ndryshe, ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Arbër Ademi, në konferencën e sotme për shtyp ka porositur se do të vazhdojnë bisedimet për atë se si do të organizohet mësimi për nxënësit në Maqedoninë e Veriut.

Dje Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e 80-të miratoi Planin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës për zhvillimin e procesit arsimor gjatë vitit shkollor 2020/2021, transmeton Portalb.mk.

Qëndrimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është që mësimi të fillojë të realizohet onllajn, përveç për klasat e para në të cilat nevojitet prani fizike e fëmijëve, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Edhe pse u paralajmërua se më 10 gusht do të finalizohen protokollet për fillim të vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë, mbledhja dje përfundoi pa konkluzione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button