Shqipëri, rreth 75 për qind e të prekurve me COVID-19 janë shëruar

Në Shqipëri janë konfirmuar edhe 12 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numri i përgjithshëm të rasteve në 868, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Portalb.mk.

Në 24 orët të fundit janë testuar 170 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Që nga fillimi dhe deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 868 qytetarë. Prej tyre 650 qytetarë ose rreth 75 për qind janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, më pak se 15 për qind e të prekurve aktivë po marrin trajtim në spitale, ndërsa pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Ndërkohë, deri tani janë gjithsej 10,438 teste të kryera, ndërsa gjithsej 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Nga data 27 prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset, ndërsa prej datës 11 maj dhe 18 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button