RMV, BFI: Nga 12 maji do të hapen xhamitë për besimtarët

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, ka sjellë vendim që nga data 12 maj t’i hap xhamitë për besimtarët, për të kryer obligimet fetare kolektive. Një njoftimin e BFI-së, thuhet se, prej ditëve të para të paraqitjes së pandemisë Covid19, duke pasur për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve si dhe duke marrë parasysh rekomandimet dhe sugjerimet e organeve shëndetësore shtetërore, e duke u mbështetur mbi parimet fundamentale islame, vendosën për pezullimin faljes të namazit në mënyrë kolektive në xhami, njofton Portalb.mk.

“Bashkësia Fetare Islame me shumë kujdes ndjek përmirësimin e gjendjes shëndetësore në vend, uljen e numrit të të infektuarve nga virusi Covid 19 si dhe duke vlerësuar kërkesat e 13 Muftinive, të cilat janë të bazuara në kërkesat e xhemateve, dhe të indinjuar nga veprimet e pakujdesshme të KOM-it, që ka nxitë besimtarët islamë, Rijaseti i BFI-së, në mbledhjen e vet të jashtëzakonshme të mbajtur më 07. 05. 2020 solli vendimin me sa vijon: Nga data 12 maj 2020, e martë, xhamitë do të jenë në shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive. Vendim hyn në fuqi nga data e sjelljes së tij”, thuhet  në njoftim.

Më tej theksohet se, gjatë tërë kohës së pezullimit të namazit me xhemat në xhami, BFI-ja me të gjitha organet dhe institucionet edukativo-arsimore të saja, në përpikshmëri u është përmbajtur rekomandimeve të institucioneve relevante për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

“Po ashtu, Bashkësia Fetare Islame ka qenë i vetmi institucion fetar në vend, që publikisht ka kërkuar nga besimtarët islamë që t`u përmbahen rekomandimeve për ruajtjen e shendetit, edhe pse për këtë askush nga organet kompetente nuk dha ndonjë vlerësim pozitiv për BFI-në, por, përkundrazi disa qarqe të afërta me pushtetin, vazhdimisht e sulmonin BFI-në dhe kreun e saj. Shpresojmë se ky vendim i Rijasetit do të gjejë mirëkuptimin e organeve kompetente shtetërore”, kanë theksuar nga BFI.

Vendimi i BFI-së vjen një ditë pas ngjarjeve në Strugë, ku edhe përskaj masave Qeveritare për parandalim të virusit korona, ku ndalohet grupimi i qytetarëve si dhe obligohet mbajtja e maskave mbrojtëse, në Strugë në mënyrë tradicionale u zhvillua liturgji fetare në të cilën u mblodhën qindra besimtarë, prej të cilëve një pjesë e madhe nuk respektuan masat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button