A do ta “paguajë” Maqedonia e Veriut anëtarësimin në BE edhe me një kompromis të dhimbshëm?

Maqedonia e Veriut, 15 vite pas marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, në Samitin e Brukselit më 17 dhjetor të vitit 2005, mori dritë jeshile për hapjen e negociatave, duke ecur përpara në procesin e anëtarësimit.

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së nëpërmjet një video – konferencë, më 24 mars të këtij viti, arritën marrëveshje politike që të hapen negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë vendim, disa ditë më vonë e konfirmuan edhe liderët evropian.

Edhe pse Maqedonia e Veriut, ishte ndër vendet e para të rajonit që mori statusin e vendit kandidat, integrimi i vendit në strukturat euroatlantike, u bllokua për vite me radhë nga Greqia, për shkak të kontestit që dy vendet kishin për emrin. Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës, proceset integruese u zhbllokuan dhe përkushtimi i vendit ndaj këtyre aspiratave, tani më duket më serioz, ndërsa mbështetje për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, ka shprehur edhe Unioni, shkruan Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut raportoi se në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor “Zagreb 2020” u konfirmua mbështetja e BE-së për rrugën eurointegruese të vendit.

“Liderët e shteteve anëtare në BE, njerëzit e parë të Këshillit Evropian, Permanentit Evropian dhe Komisionit Evropian, si dhe shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve nga Ballkani Perëndimor sollën dhe miratuan deklaratë të përbashkët nga Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në të cilën BE-ja edhe një herë e konfirmon mbështetjen pa dilemë për perspektivën evropian të Ballkanit Perëndimor”, kanë thënë nga Qeveria.

Megjithatë, edhe atëherë kur duket se vendi ka eliminuar kontestet politike fqinjësore dhe tani rruga e anëtarësimit është e hapur dhe pa pengesa, Bullgaria sërish ka aktualizuar kontestin me Maqedoninë e Veriut, lidhur me identitetin, gjuhën maqedonase dhe të drejtat e pakicave, duke kushtëzuar në këtë mënyrë anëtarësimin e vendit në BE me zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Në mbledhjen e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Këshillit Evropian, kur u vendos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Bullgaria ka përfshirë edhe një dokument, përmes të cilit, i kërkon Shkupit “që të ndalojë çdo mbështetje për organizatat që deklarojnë veten pakicë maqedonase në Bullgari”, si dhe kërkon që në të gjitha dokumentet e BE-së dhe kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të përcaktohet si gjuha e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, gjatë samitit të djeshëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, kryeministri bullgar, Bojko Borisov, deklaroi se, Bullgaria ka treguar kushtet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, dhe kjo duhet respektuar bazuar në raportet ndërfqinjësore që potencohen në Deklaratën nga Samiti i Zagrebit.

“Ne kemi treguar se cilat janë kushtet tona për RMV-në për tu anëtarësuar në BE. Ajo nuk është sipas dëshirës”, theksoi kreu bullgar.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e autoriteteve maqedonase në lidhje me kushtëzimin bullgar për shkak gjuhës.

“Çka t’u themi në fund, se edhe ne jemi maqedonas?! Ne i duam, i respektojmë dhe i kemi dhënë këshillën më vëllazërore-mos të nxjerrin kushte të pamundshme”, deklaroi Borisov.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një deklaratë të dhënë më herët për mediat në Sofje, ka thënë se maqedonishtja është formuar në vitin 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe gjuhës serbe. Ajo ka kërkuar që Shkupi të pranojë realitetin historik dhe të mos keqpërdor çështjet e ndjeshme mes dy vendeve për fushata zgjedhore.

“Ne kemi qëndrim të qartë sa i përket Maqedoninë së Veriut. Çdo herë do t’i mbështesim, por kushtet i kemi të qarta, ato nuk kanë ndryshuar…Ka shumë dokumente të shkruara në vitin 1945 se gjuha është formuar në bazë të një dialekti bullgar të pjesës perëndimore, vetëm se e ndryshuan pak gramatikën, shtuan disa gjëra të një shteti tjetër (Serbisë)… Ne kemi interes që edhe ata ta pranojnë historinë dhe njëkohësisht edhe në të pranojmë realitetin”, ka deklaruar Zaharieva.

Por, për presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kushtëzimi bullgar për anëtarësimin në BE është i papranueshëm.

“Nëse çmimi është që të mos jemi maqedonas dhe gjuha që e flas, të mos jetë gjuha maqedonase, atëherë nuk na duhet BE”, ka deklaruar Pendarovski në një intervistë, duke e komentuar deklaratën e Bullgarisë të përfshirë në konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, me të cilën është miratuar vendimi për fillimin e bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov,  është e pamundur të ndërtohet miqësi, nëse e sfidoni identitetin e fqinjit.

“Gjuha nuk është çështje që është lëndë e njohjes apo mosnjohjes së shteteve dhe në shekullin 21, posaçërisht në Evropë, nuk mund të mohohet e drejta e vetëvendosjes dhe vetëshprehjes.  Kjo çështje është e vjetër dhe daton që nga vetë fillimi i njohjes, Bullgaria ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e vendit, por kjo çështje, gjatë kohë zvarritet sepse nuk patëm marrëveshje bilaterale. Marrëveshja vendosë kornizë dhe këto kërkesa, sipas pozitave dhe perspektivave tona dalin jashtë marrëveshjes. Meqenëse në marrëveshje përmendet gjuha maqedonase dhe është vendosur njëjtë me gjuhën bullgare”, ka deklaruar Dimitrov.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE propozoi që kjo çështje të shtrohet për diskutim në takimin e liderëve te presidenti, Stevo Pendarovski, të flitet dhe të harmonizohet strategji e përbashkët dhe dokument si përgjigje ndaj kushtëzimit të Bullgarisë

“Ta bëjmë këtë sa nuk është shumë vonë. Jam i sigurt se një pozicion i ndërtuar së bashku nga të gjitha faktorët relevantë politik dhe shoqëror do të pranohet pozitivisht edhe nga BE edhe nga fqinjët tanë. E njëjta, duhet të jetë fryt edhe i konsensusit më të gjerë shoqëror dhe konsultimeve me institucione shkencore nga fusha e gjuhës maqedonase dhe historisë, më tej intelektualë dhe institucione të cilët punën e tyre shkencore dhe shoqërore, ia kanë kushtuar këtyre çështjeve”, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikollovski

Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria dhe Parlamenti bullgar miratuan deklaratën, që mbështeste nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por vendosën një sërë kushtesh siç janë: ndryshimi i librave të historisë në një afat të shkurtër kohor, heqja e të gjitha pllakave përkujtimore me mbishkrime “okupatorët fashistë bullgarë” etj. Dy popujt kanë konteste edhe sa i përket prejardhjes së Goce Dellçevit dhe Kërste Misirkovit, dy personaliteteve të njohura që për maqedonasit konsiderohen si figura të rëndësishme të historisë maqedonase, njëjtë sikur që konsiderohen edhe për bullgarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button