Shqipëri, është rritur në 25 numri i të vdekurve nga COVID-19, gjithsej 494 të infektuar

Në Shqipëri është rritur në 25 numri i të vdekurve nga COVID-19, ndërsa me konfirmimin e 19 rasteve të reja, numri i rasteve ka shkuar në 494, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Portalb.mk.

Në njoftimin zyrtar ministria konfirmoi se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë një pacient 90-vjeç nga Fieri, i cili vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.

“Dje janë testuar 252 persona të dyshuar dhe nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 4.558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste. Kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar. 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.

Kujtojmë se në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button