Irfan Jetishi, tregtari humanist nga Çairi që ofron produkte falas gjatë krizës së COVID-19

Përhapja e virusit korona ka goditur rëndë qytetarët në vend. Shumica e bizneseve janë mbyllur përkohësisht, në përputhje me masat e Qeverisë, dhe si pasojë e kësaj një numër i madh i të punësuarve në sektorin publik kanë mbetur pa punë këtë muaj. Krizën e shkaktuar nga ky virus, shumica e tregtarëve dhe dyqaneve e kanë shfrytëzuar për rritje të çmimeve, sidomos pemëve dhe perimeve, duke e rënduar në këtë mënyrë edhe më shumë gjendjen e qytetarëve, Portalb.mk.

Por, e kundërta ka ndodhur me tregtarin nga lagjja e Çairit, Irfan Jetishi, i cili posedon një dyqan për pemë dhe perime në këtë lagje. Ai, pikërisht në këtë kohë krize, ka shpërfaqur shpirtin e tij human dhe solidar, duke ulur çmimet dhe duke dhuruar edhe produkte të caktuara falas. Përderisa, çmimi i limonit shënoj rritje drastike gjithandej në treg, duke arritur deri në 200 den, për kilogram, Jetishi ka vendosur që limonin ta shet më lirë dhe ofron 2 kg për 150 den.

Irfan Jetishi

“Limoni është në zbritje për shkak të shumë ankesave të konsumatorëve, shumë konsumatorë kanë ardhur dhe janë ankuar pse limoni është 150-180 denarë, ka pasur shumë ankesa. Tani limonin e blej me çmim 85 den, ndërsa e shes 75 ankesa të konsumatorëve. Ndërsa, gjërat që i jap falas, si qepa, patatet, marulë, lakra, këto i japim për shkak të nevojave. Ka njerëz që nuk kanë mundësi dhe janë pa punë një muaj dhe nuk kanë mundësi të blejnë gjërat elementare. Këto që janë gjëra elementare i shpërndajmë falas sepse, kështu na mëson islami, kur kanë njerëzit më së shumti nevojë, në kohë më të vështira, t’u ndihmojmë njerëzve”, deklaroi ai për Portalb.mk.

Ai tha se reagimet që ka marrë nga qytetarët janë shumë pozitive dhe inkurajuese.

“Qytetarët nuk i kanë besuar çmimet, ka njerëz që kanë ardhur prej fshatrave Haraçinë, Hasanbeg, Saraj, Kondovë, kanë ardhur vetëm që të konfirmojnë a është çmimi i vërtetë psh. 2 kg limon 150, apo mos është vetëm propagandë”, theksoi ai.

Edhe pse këtë aksion Jetishi nuk e ka ndërmarrë që të përfitoj personalisht, por që të ndihmoj qytetarët që kanë nevojë, ai tregoi se kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në rritjen e shitjes.

“Prej kur kam filluar me këto çmime, shitja është rritur jashtë normale. Ka njerëz që kanë thënë se, më nuk do ta ndërrojmë këtë vend të blerjes vetëm pse e ke bë këtë veprim në këtë kohë të vështira”, sqaroi Jetishi.

Ai porositi që në kohë të vështira t’u ndihmohet njerëzve, sidomos skamnorëve që nuk kanë mundësi t’i sigurojnë as gjërat elementare dhe t’u ndihmohet atyre.

Gjesti i Irfanit është bërë viral edhe nëpër rrjetet sociale. Profile të shumta në rrjetin social Twitter, kanë shkruar për të duke e përshëndetur humanizmin e tij.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për shkak të rizës së viruist korona, solli vendim që të mos ndryshojnë çmimet e limonit, portokallit, mandarinës, grejfrutit dhe klementinës, ndërsa ka paralajmëruar edhe masa ndëshkuese për gjithë tregtarët që do të fillojnë të rritin çmimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button