Filipçe: Edhe gjashtë raste të reja të virusit korona në Maqedoninë e Veriut, mbyllen qendrat tregtare, aeroporti i Ohrit

Venko Filipçe, ministri i Shëndetësisë në RMV në konferencën për media në ora 19.30 raportoi se ka gjashtë raste të reja të virusit korona në vendin tonë, transmeton Portalb.mk. Në Maqedoni tani për tani numri i të infektuarve me virusin është 18. Rikujtojmë se njëra është shëruar.

“Bëhet fjalë për një të infektuar e cila ka ardhur nga Barcelona mbrëmë me avion. Ajo ka pasur temperaturë të rritur dhe vetë është paraqitur për kontroll. Ka udhëtuar me maskë dhe doreza. Është dërguar në klinikë. 51 udhëtarët e avionit janë dërguar për vetë-izolim në shtëpi.” tha ai.

Siç njoftoi ministri, katër pacientët që dje u diagnostifikuan, nga Dibra i kanë sjellë në Shkup, së bashku me pacienten që ka qenë në Barcelonë, janë shtruar në spital.

“Në klinikë në Shkup kemi 13 pacientë ndërsa 5 janë në spital në Dibër. Atje ka një epidemiolog dhe dy infektologë që mund t’i mjekojnë pacientët që kanë formë të lehtë të sëmundjes. Do të dërgojmë edhe një infektolog atje” tha ministri.

Ministri i lajmëroi masat e reja:

  • Vetëm kufiri në Tabanocë, Deve Bair, Qafëthanë, Bogorodicë dhe Bllacë mbeten të hapura. Tjerat janë mbyllur
  • Pas 48 orëve do të mbyllet Aeroporti i Ohrit
  • Ndalohet hyrja e atyre që vinë nga vendet me rrezik të lartë dhe të mesëm (kliko për ta parë listën), përpos atyre që do të marrin leje nga MPB-ja dhe do të përcillen me masa të larta sigurie
  • Të mbyllen të gjitha shitoret në qendrat tregtare në vend, përpos atyre që shesin ushqim, supermarketet dhe apotekat
  • Mund të bëhet shitja online nga ata që do t’i mbyllin shitoret
  • Ndalohet krejtësisht puna e kafiterive, klubeve, kazinove dhe bastoreve
  • Ata që prodhojnë dhe shesin ushqim mund të punojnë me rezervime në internet dhe me telefon dhe të dërgojnë produktet ushqimore deri te dera e porositësit

**********************


Venko Filipçe, Ministri i shëndetësisë në RMV sot në konferencën për media të orës 15 raportoi se nuk ka raste të reja të virusit korona në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Filipçe theksoi se një nga pacientët e prekur nga virusi në Dibër është një djalë 15 vjeçar.

“Nuk ka raste të reja të të infektuarve nga koronavirusi. Për momentin në klinikën për sëmundje infektive pritet të sillen katër pacientë nga Dibra tek i cili paraprakisht është konfirmuar sëmundja”, deklaroi Filipçe.

Tetë pacientë që gjenden në Klinikë për shkak se janë të infektuar nga virusi janë nga Dibra, ndërsa njëra nga Shkupi.

Te pacientja e parë tashmë ka kaluar virusi, por do të vazhdon të mjekohet deri të hënën, kur edhe do të lëshohet nga spitali. Por te njëra paciente gjendja është komplikuar, duke u shfaqur probleme me frymëmarrjen.

Ministri Filipçe sqaroi se do të testohen edhe nëntë persona, gjashtë nga Dibra, një i huaj dhe dy të tjerë që kanë qenë në Spanjë. Sipas ministrit, tashmë 12 qytetarë janë të infektuar, 8 do të testohen, ndërsa njëra tashmë e shëruar.

Ndryshe, kryeministri Oliver Spasovski sot në konferencën për media theksoi se gjendja në Dibër dhe Qendrën Zhupa, nga vijnë edhe shumica e të infektuarve, është e qëndrueshme, por do të vazhdohet me masat e planifikuara.

Qeveria ka shpallur gjendje krize në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Ndërsa presidenti Stevo Pendarovski e pranoi propozimin e Qeverisë së RMV-së, që për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19, një pjese të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të angazhohen në përballjen me gjendjen e krizës në territorin e Dibrës dhe kufirit me Shqipërinë.

Presidenti Pendarovski njoftoi se tashmë ka caktuar takim të Këshillit të Sigurimit për ditën e hënë në ora 16:00, ku përveç anëtarëve standardë do të jetë i pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Siç tha ai, në mbledhje do të diskutohet gjendja në vend me virusin korona si dhe të gjitha masat që  duhet të përgatiten në rast të përshkallëzimit të gjendjes.

Pendarovski gjithashtu njoftoi se shërbimet e Presidencës kanë detektuar grupe të organizuara për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e së enjtes ka marrë vendim që të ndalohet hyrja në Maqedoninë e  Veriut, e shtetasve nga Kina, Irani, Italia, Koreja e Jugut, Franca, Gjermania dhe Spanja, të cilat në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë shtet me rrezik të lartë nga virusi korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button