RMV, të mos bëhet veting në gjyqësor për politikë ditore se nuk do të sukses

Nuk duhet të zbatohet veting në gjyqësor për qëllime politike pasi që do të ketë pasoja negative, sado që qëllimi të jetë i mirë, vlerësuan sot panelsitët në dialogun politik të organizuar nga Instituti për Politika Evropiane (IPE) me temë “Vetingu – një mundësi e imponuar ose e mundshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njofton Portalb.mk.

Ish gjykatësi nga Shqipëria në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEND), Ledi Bjanku, përmendi si shembull negativ vetingun në gjyqësor i cili u bë në Shqipëri dhe nëse bëhet diçka e tillë edhe në Maqedoninë e Veriut duhet që të mos bëhet për qëllime politike.

“Shqipëria gaboi dhe nuk i realizoi pritshmëritë e reformave në gjyqësor me procesin e vetingut. Që të mendohet një reforma për kontroll të gjykatësve, e njëjta duhet të jetë në baza juridike, kritere dhe të bëhen analzia të vazhdueshme gjyqësore. Saqë bëhet vetëm për politikë, vetëm se do të dëmtojë, gjegjësisht do të bëhet si në Shqipëri. Në Shqipëri 40.000 raste janë bllokuar pasi në Gjykatën Supreme si pasojë e vetingut. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm”, tha Bjanku.

Ish gjykatësja e Maqedonisë së Veriut në GjEND dhe aktualisht gjykatëse supreme, Mirjana Llazarova-Trajkovska thekson se për të bërë veting, patjetër duhet që të ketë ndryshime kushtetuese, megjithatë në fund gjykatësit prapë duhet që t’i gjykojnë gjykatësit.

“Unë në parim jam kundër vetingut. Kur të zgjidhet kandidati duhet fillimisht të kontrollohet dhe pastaj institucionin duhet ta ndjekin kandidatin e zgjedhur, gjegjësisht gjykatësin. Në fazën që gjendemi nuk mundemi të themi se të gjithë gjykatësit nuk bëjnë. Duhet pasur parasysh edhe faktin që duhet të ndryshohet kushtetuta nëse dëshirojmë të kemi pastrim në gjyqësor. Megjithatë, sido që të jetë, për përgjegjësinë e gjykatësve në fund duhet të vendosin vetë gjykatësit”, tha Llazarova-Trajkovska.

Edhe anëtari i Antikorrupsionit, Vlladimir Georgiev, thekson se duhet pasur kujdes me procesin e vetingut dhe nëse bëhet, duhet arritur konsensus të përgjithshëm.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me vetingun. Duhet pasur parasysh se vlerësimet janë se qytetarët më së shumti ankohen prej gjyqësorit. Nëse vendoset për vetingun duhet të ketë konsensus të përgjithshëm politik dhe të ekspertëve. Këtu duhet pasur parasysh edhe kontekstin e vendit. Pastaj duhet të shqyrtohet nëse duhet të bëhet veting njëherë apo disa herë. Më vjen mirë që nuk kaloi propozim-ligji për veting i cili u propozua në Kuvend para zgjedhjeve (propozim-ligji i BDI-së, shkrim i redaksisë). Sa i përket neve si Antikorrupsion, ne kemi kompetencë vetëm të kontrollojmë gjendjen pronësore, të cilën do ta bëjmë”, tha Georgiev.

Profesori universitar, Denis Preshova, tha Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitete për të zbatuar një operacion të tillë.

“Nuk vlerësoj se vetingu është zgjidhje, s’kemi kapacitet, do të nxjerrë probleme shtesë. Realisht vetingun po e përdor politika, nëse bëhet shpejtë mund të ketë mangësi. Vetingu paraqet drejtësi administrative, por me këtë nuk do t’i jepet fund mosndëshkueshmërisë. Nuk duhet të bëhet veting për pastrim politik. Kapaciteti institucional është parakusht për një gjë të tillë. Përvoja me PSP-në është edhe një dëshmi për një drejtësi transitore”, tha Preshova.

Portalb.mk, ka disa muaj që shkruan për nevojë ne verifikimit të punës së gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët janë në shënjestër të kritikave për shkak të punës së tyre të anshme, joprofeisonale, për të cilat është shkruar dhe thënë si nga faktori i brendshëm edhe nga ai ndërkombëtar.

Megjithatë, Këshilli Gjyqësor u “zgjua nga gjumi”, pasi kryeministrit Zoran Zaev, kërkoi që të vlerësojë përgjegjësinë e gjykatësve. Paralelisht me Këshillin Gjyqësor, gjykatësit do t’i kontrollojë dhe Antikorrupsioni.

Dhe ky është një lloj “vetingu”, pasi që atë sipas modelit të Shqipërisë nuk e lejoi Bashkimi Evropian.

Kritika të ashpra për gjendjen e gjyqësorit ka dhënë edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në Kuvend, i cili porositi pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit të vitit 2020 që të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve.

VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button