Portali për të dhëna të hapura është hap i mirë përpara, por për transparencë të plotë ka ende shumë punë për të bërë

Krijimi dhe lëshimi në përdorim i portalit të ri, për të dhëna të hapura për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut (data.gov.mk) është një hap i mirë përpara, i cili jep sinjal të qartë për përkushtimin ndaj transparencës. Por, për të identifikuar përfitimet e vërteta potenciale, nevojitet të hapen të dhëna që do të mundësojnë krijim të produkteve dhe shërbimeve të reja nga institucionet, sektori civil dhe biznesi, njofton Portalb.mk.

Është fakt i padiskutueshëm se në qeveri ekziston vullnet politik dhe përkushtim për të zbatuar politikat për transparencë që, siç thotë ambasadorja britanike Rejçëll Gallouej, rrjedh edhe nga vetë anëtarësimi në “Partneritet për qeveri të hapur”.

Ambasadorja Gallouej thekson se përveç portalit të ri, e cili ndër tjerash mbështetet nga Ambasada britanike në Shkup, është përgatitur edhe buxhet civil, ndërsa është krijuar edhe strategji për të dhëna të hapura që duhet të implementohen.

“Transparenca duhet gradualisht të rrënjoset në shoqëri. Duke i paguar taksat, qytetarët investojnë në qeveri, e cila pastaj duhet të tregojë rezultate”, ka thënë Gallouej, duke shtuar se “ndonjëherë për arsye sigurie, informacionet duhet të mbeten të mbrojtur – por vetëm informacionet e tillë “.

Rachel Galloway – ambasadorja britanike

Ajo vuri në dukje se qytetarët duhet të dinë se ç’bën qeveria në emër të tyre dhe “kjo mund të bëhet vetëm me transparencë të plotë për mënyrën dhe arsyet për të cilat merren vendime, mënyra se si këto vendime zbatohen në praktikë dhe cilat janë efektet e atyre politikave”.

Nga Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës (MSHIA), konsiderojnë se hapja e portalit për të dhëna të hapura ndikon pozitivisht në përmirësimin e shërbimit dhe efikasitetin e administratës, por ndikon edhe në proceset euro-integruese.

Sipas Gordana Gapiq-Dimitrovska nga MSHIA, hapja e të dhënave është vetëm gjysma e betejës. “Vetëm të dhënat më së shpeshti nuk na tregojnë asgjë, për sa kohë ato nuk paraqiten në mënyrë përkatëse,” thotë ajo.

Gjatë promvimit të data.gov.mk

Prandaj, shton ajo, qeveria planifikon që në bashkëpunim me komunitetin e biznesit të punojë në vizuelizimin e të dhënave dhe të krijojë aplikacione nga të dhënat e hapura me çka do të stimulohet edhe më tej ekonomia.

Për momentin, pasi është disa muaj onlajn, në portal janë botuar 190 grupe të të dhënave të hapura nga më shumë se 40 institucione.

“Ky është vetëm fillimi dhe numri i të dhënave po rritet vazhdimisht. Institucionet po ndërgjegjësohen për rëndësinë e hapjes së të dhënave dhe në çdo institucion kemi oficer të angazhuar për të dhëna të hapura”, thotë Dimitrovska duke shtuar se MSHIA punon aktivisht dhe me përkushtim në ndryshimin e kulturës së qeverisë dhe administratës, për transparencë të plotë.

Portali për të dhënat e hapura www.data.gov.mk

Se duhet të punohet në ndryshimin e kulturës pajtohet edhe drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari. Ai mendon se “paralelisht me ndërtimin e ndërgjegjes se të dhënat u përkasin qytetarëve, e jo institucioneve, punonjësve të institucioneve shtetërore duhet t’iu ndihmohet për të identifikuar dhe hapur skedarët përkatës të të dhënave”. Jashari thekson se sektori civil, mund të ndihmojë në këtë proces, që është përcaktuar edhe në vetë strategjinë për të dhëna të hapura, .

Ai thekson se portali është një hap i mirë përpara, por për të parë përfitimet nga hapja e të dhënave në pronësi të institucioneve shtetërore, ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Përveç rritjes së ndërgjegjësimit për atë se çka janë dhe si mund të dhënat e hapura të përdoren që përfitimet të bëhen të prekshme duhet të hapen të dhënat, të cilat do ta lehtësojnë krijimin e produkteve dhe shërbimeve të reja nga institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe biznesi. “Përfitim jo më pak i rëndësishëm është edhe rritja e besimit në institucione, e kjo mund të arrihet dhe të ndjehet vetëm nëse grupet e të dhënave të cilat hapen janë të rëndësishme për qytetarët, bizneset, mediat dhe OJQ-të”, shton Jashari.

Duke dhënë shembull për përdorim të mirë të të dhënave të hapura, ambasadorja britanike Rejçëll Gallouej vuri në dukje se, sipas Institutit britanik për të dhëna të hapura, 270 kompani dhe organizata nga Mbretëria e Bashkuar prodhojnë ose investojnë në të dhëna të hapura si karakteristikën kryesore të punës së tyre.
Rreth 70 përqind e këtyre kompanive përdorin të dhëna nga qeveria britanike, si për shembull: Agjencia e mjedisit jetësor, Enti meteorologjik dhe Shërbimi shëndetësor nacional.

Portali për të dhënat e hapura www.data.gov.mk

“Të dhënat dhe aftësitë digjitale janë revolucioni industrial i tanishëm dhe i ardhshëm. Shpresojmë që mbështetja jonë për projektin “Shkollat ​​e shekullit 21″ për përdorim të pajisjeve Mikro:bit në të gjitha shkollat ​​fillore në Maqedoninë e Veriut dhe programin që jemi duke e zhvilluar me Odën për teknologji Informative të Maqedonisë së Veriut dhe Këshillin rinor nacional për aftësive digjitale për të rinjtë do ta frymëzojë gjeneratën e ardhshme në sferën digjitale dhe përdorimin e të dhënave të hapura për të mirën e të gjithëve”, thotë Gallouej.

Ndër shembujt tjerë të organizatave që përdorin të dhëna të hapura në mënyrë krejtësisht të ndryshme janë:

  • CarbonCulture – platformë e cila iu ndihmon njerëzve dhe organizatave që të përdorin resurset në mënyrë më efikase, duke i zvogëluar ashtu mbeturinat dhe duke kursyer para.
  • Arup – firmë globale e inxhinierisë për konsulencë, e cila përdor të dhëna të hapura që luajnë rolin kyç në punën e tyre.
  • FoodTrade – platformë onlajn e cila sjell së bashku më shumë se 1.600 prodhues lokalë të ushqimit me konsumatorët për të bërë hartat e ofertës dhe për të promovuar transparencën në sektorin e ushqimit.
  • OpenCorporates – është baza më e madhe e hapur e të dhënave të kompanive në botë, e cila përmban informata për më shumë se 100 milionë kompani në më shumë se 115 juridiksione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button