Të rinjtë e fshatit Sllatinë të Tearcës pastruan terrenin malor “Bigur”, kryetari Asani i pakapshëm për t’u ndihmuar

Të rinjtë e fshatit Sllatinë të Tearcës të dielën organizuan një aktivitet ekologjik për pastrimin e terrenit malor “Bigur” në fshatin e tyre. Megjithatë mbeturinat mbetën në rrugë sepse nuk arritën të kontaktojnë me kryetarin e Komunës së Tearcës, Isen Asani, nga i cili deshën të kërkonin ndihmë t’i mbartin të njejtat, njofton Portalb.mk.

Të dielën u realizua një aktivitet për pastrimin e një pjese të terrenit malor në fshatin Sllatinë të Komunës së Tearcës, i cili u organizua nga të rinjtë e fshatit. Por organizuesit shprehen të revoltuar me kryetarin e komunës, Isen Asani të cilin kanë tentuar ta kontaktojnë një javë rresht për t’i kërkuar ndihmë për realizimin e aktivitetit, por pa rezultat.

Pastrimi i terrenit të Bigurit, Sllatinë

“Jemi munduar një javë rresht të kontakojmë. Kryetari nuk është përgjigjur në telefonatat tona dhe nuk ka qenë në zyrë kur e kemi kërkuar. Punonjësit në komunë na kanë thënë vazhdimisht se ai gjendet në Shkup. Ne vetë nuk mundemi t’i bartim mbeturinat askund, andaj dhe kanë ngelur të grumbulluara këtu. Deshëm të kërkojmë ndihmë nga komuna dhe kryetari por nuk ia arritëm”, tha njëri nga organizatorët për Portalb.mk.

Asani nuk ishte i kapshëm për koment as nga redaksia e Portalb.mk.

Nga ana tjetër banorët gjithashtu kërkojnë që në këtë vend të investohet, sepse sipas tyre, është lënë pasdore.

“Ne jemi rritur në Bigur, por fatkeqësisht vetëdija është e ulët dhe sot e kanë shkatërruar. Po të investohej sadopak jam i sigurtë që do frekuentohej shumë nga fshatarët”, u shpreh njëri nga banorët e këtij fshati.

Biguri, Sllatinë

Vite më parë u investua në stadiumin që gjendet në këtë terren, por edhe atëherë kjo u realizua me shumë vështirësi.

“Ne nuk dimë t’i vlerësojmë pasuritë që na i ka dhënë Zoti. Edhe kur dikush ndërmerr diçka nuk gjen përkrahje as nga fshatarët e Sllatinës. Stadiumi mezi u rregullua para ca vitesh”, u shpreh njëri nga banorët.

Ky terren që qytetarët e Sllatinës ia kanë ngjitur emrin “Biguri”, për shkak të një guri të madh që është krijuar nga një burim i ujit aty, dikur ka qenë shumë i frekuentuar jo vetëm nga qytetarët e fshatit Sllatinë, por edhe qytetarë të fshatrave përreth.
Ndërkaq sot është kthyer jo vetëm në deponi mbeturinash por edhe është “rrjepur” nga fshatarët që ia presin drunjtë vazhdimisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button