Qeveria e Maqedonisë: Do të merret vendim për Kodrën e Diellit pasi të përfundojë analiza e ELEM TURS-it

Kompania për turizëm, hoteleri, rekreacion dhe sport, ELEM TURS, e cila po menaxhon aktualisht me Kodrën e Diellit, po përgatit një analizë të detajuar për gjendjen aktuale të kësaj qendre skijimi. Pas përfundimit të kësaj analize, do të merret vendim se çka do të ndodhë më tej me menaxhimin e kësaj qendre për skijim, njofton Qeveria e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski tha për Portalb.mk se kryeministri Zoran Zaev nuk mundi të vizitojë Kodrën e Diellit gjatë periudhës së caktuar të ultimatumit për shkak të agjendës së ngjeshur në lidhje me procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Megjithatë ai tha se ky takim do të realizohet në përputhje me agjendën e kryeministrit, duke mos precizuar se kur.

“Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev është gjithmonë i hapur për takime me organizatat qytetare. Ky takim do të realizohet në përputhje me agjendën e tij për periudhën e ardhshme”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë për Portalb.mk.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski

Nga Qeveria thonë se për momentin kompania për turizëm, hoteleri, rekreacion dhe sport, ELEM TURS po përgatit një analizë të detajuar për gjendjen aktuale të Kodrës së Diellit dhe se vendimi se çka do të ndodhë më tej me këtë qendër skijimi do të merret pas përfundimit të kësaj analize.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka treguar vullnet serioz për zgjidhjen e të gjitha problemeve të trashëguara të qendrës së skijimit Kodra e Diellit. Për momentin kompania për turizëm, hoteleri, rekreacion dhe sport, ELEM TURS DOOEL SKOPJE, e cila po menaxhon aktualisht me Kodrën e Diellit, po përgatit një analizë të detajuar për gjendjen aktuale të kësaj qendre skijimi. Pasi të shqyrtohen rezultatet e kësaj analize, do të sillet zgjidhje përfundimtare për kapërcimin e situatës”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë.

Kodra e Diellit
Kodra e Diellit

Ndërkaq, nga Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thonë që ata nuk do heqin dorë derisa ELEM TURS të tërhiqet nga Kodra e Diellit.

Kodra e Diellit kohëve përballet me probleme të shumta: mungesë investimesh, mungesë e teleferikut me gjashtë ulëse, mungesë e vendeve për parkim, infrastrukturë e parregulluar si dhe mbeturina të pa pastruara. Gjendje kjo që shtyu Iniciativën Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” të ndërmarrë hapa më rigoroz. Ata i venduan ultimatum kryeministrit Zoran Zaev dhe e ftuan të vizitojë nga afër këtë qendër skijimi që të njoftohet me problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet ajo. Gjithashtu, të shtunën e kaluar qytetarët protestuan duke bllokuar edhe rrugën afër Teleferikut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button