Ndihma e Shpejtë Shkup, prej vitit 2016 në pesë punkte nuk ka autoambulanca

Ndihma Mjekësore e Shpejtë në Maqedoni është shërbim i cili funksionon në kuadër të shtëpive të shëndetit, ndërkaq buxheti i lëshohet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor varësisht ekipeve mjekësore. Për një ekip mjekësor, buxheti vjetor arrin vlerën 170.000 denarë, e cila shfrytëzohet për paga bruto të ekipit mjekësor – mjekë, motër medicinale dhe vozitës të autoambulancave, si dhe për mirëmbajtje të objekteve shfrytëzuese, autoambulancave, mjeteve medicinale dhe derivate të naftës, njofton Portalb.mk.
Prej 2016-s, autoambulanca nuk ka në punktin në Çento, në Gjorçe Petrov, në Draçevë, në Petrovec, në Çuçer Sandevë të Shkupit, kurse mbulesa dhe dhënia e shërbimit shëndetësor sigurohet nga ana e punkteve tjera të NMSH-së.

Për të pasur një pasqyrë të qartë se si funksionon një shërbim i ndihmës së shpejtë në kuadër të një shtëpie të shëndetit, më poshtë ua sjellim prononcimin e plotë të Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, për Portalb.mk, me drejtor Zllate Memedoviq.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, Zllate Memedoviq

Si ndahet buxheti për NMSH-në dhe sa është për një vit?

Në varësi me numrin e ekipeve (mjekë, motër medicinale dhe vozitës) caktohet edhe buxheti i NMSH-së. Për një ekip ndahen 170.000 denarë (respektivisht për pagën bruto të tyre dhe të gjitha harxhimet tjera).

Nëpërmjet kujt lëshohen mjetet për buxhetin e paraparë?

Mjetet lëshohen nga Fondi për Siguri Shëndetësor.

Për çfarë qëllimi përdoren mjetet e buxhetit?

Sa i takon përdorimit dhe shfrytëzimit të mjeteve, më së shumti mjete ndahen për pagat bruto të të punësuarve, për kompensime, për materiale dhe mjete medicinale, riparim dhe mirëmbajtje të objekteve, sigurim, regjistrim, servisim të veturave, për derivate të naftës dhe naftë dhe specializime për të punësuarit e NMSH-së.

Sa mjete dedikohen për servisim të autoambulancave të NMSH-Shkup?

Rreth 4 milionë denarë dedikohen për mirëmbajtje, servisim të veturave dhe për derivate të naftës dhe naftë.

Sa autoambulanca ka në dispozicion NMSH-Shkup?

Për momentin NMSH në dispozicion ka 8 vetura, dy prej të cilave shërbejnë për transport të pacientëve. Por këtu duhet të theksojmë se bëhet fjalë për vetura të cilat janë shfrytëzuar maksimalisht, të cilat janë me mbi 250.000 kilometra të kaluar.

Punkti i Ndihmës së Shpejtë në Jane Sandaski

Sa autoambulanca ka secili punkt i NMSH-Shkup?

Sa i takon ndarjes së autoambulancave të NMSH-Shkup, mundohemi që të japim shërbime shëndetësore të gjithëve që u nevojitet ndihmë mjekësore e shpejtë. Në tërësi, në punktet e NMSH-së – në bazën e NMSH – punktin Karposh ka tre vetura, në punktin Jane Sandaski  dhe Çair nga dy vetura. Prej 2016-s, autoambulanca nuk ka në punktin në Çento, në Gjorçe Petrov, në Draçevë, në Petrovec, në Çuçer Sandevë, kurse mbulesa dhe dhënia e shërbimit shëndetësor sigurohet nga ana e punkteve tjera të NMSH-së.

Sa herë në vit janë servisuar Autoambulancat e NMSH – Shkup?

Duke e pasur parasysh se kilometrazhën e kaluar të autoambulancave dhe nevojës momentale për riparim të defekteve të paraqitura të veturave, varet edhe servisimi.

Gjatë vitit 2017 dhe 2018, a ka pasur rast të prishjes së autoambulancave gjatë intervenimit?

Jo. ISHP Shtëpia e Shëndetit Shkup në kohë i sanon problemet eventuale të cilat ndodhin ose do të mund të ndodhnin gjatë shfrytëzimit të veturave, edhe nëse ndodh që vetura të prishet gjatë intervenimit, të largohet nga përdorimit dhe në afat sa më të shpejtë të intervenohet.

Për momentin në Maqedoni shërbim të ndihmës mjekësore të shpejtë ka në 33 qytete: në Shkup, në Manastir, në Kumanovë, në Prilep, në Ohër, në Kërçovë, në Tetovë, në Veles, në Shtip, në Koçan, në Gostivar, në Strumicë, në Kavadar, në Radovish, në Dellçevë dhe Makedonska Kamenicë, në Strugë, në Dibër, në Kriva Pallankë, në Negotinë, në Sveti Nikollë, në Vinicë, në Probishtip, në Resen, në Berovë, në Kratovë, në Krushevë, në Vallandovë, në Makedonski Brod, në Pehçevë, në Likovë, në Demir Hisar, në Vevçan dhe në Rostushe.

Për të fuqizuar shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi furnizimin e 12 autoambulancave, ku 6 prej tyre janë shpërndarë në Shkup me kriter i cili nuk ekziston, dhe 6 të tjera në qytete tjera. Veturat ende nuk janë në përdorim, ndërkohë që në këtë shërbim u paralajmëruan 100 punësime gjatë vitit 2019.

Ndihma Mjekësore në Maqedoni funksionon me vetura të vjetra dhe të amortizuara, kurse numri i tyre nuk korrespondon me numrin e banorëve në qytetet e caktuara. Ka pasur raste që në to të kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve. Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës, gjë me të cilën nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave në bazë të kilometrazhës në qytetet jashtë Shkupit, e kurse në Shkup ajo të bëhet në bazë të përdorshmërisë.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button