Policia nuk i gjen, mjetet piroteknike vazhdojnë të shiten në hapësira publike në Tetovë

Ashtu si ndodh zakonisht para festave të fundvitit, në Tetovë vazhdon shitja e mjeteve piroteknike në hapsira publike pavarësisht faktit që me ligj kjo ndalohet. Megjithatë, policia arsyetohet se kryen kontrolle për dënimin e shkelësve të ligjit, shkruan Portalb.mk.

Nëse bën një shëtitje nëpër qendrën e qytetit do të vëresh materiale dhe gjësende për të festuar Vitin e Ri. Megjithatë, ajo që të vret sytë është shitja e ilegale e pushkaliqeve dhe mjeteve tjera piroteknike. Ata janë të dëmshme sidomos për fëmijët, por kjo nuk i ndalon blerësit dhe as shitësit të bëjnë biznesin e tyre. E njëjta situatë, madje shitja është ende më publike në Tregun e Gjelbër. Shitësit që për redaksinë tonë mbeten anonim, thonë se kërkesa për to nuk mungon, pa marrë parasysh ndalesës ligjore.

LEXO: MPB rikujton qytetarët: Do të dënoheni nëse krisni pushkaliqe dhe mjete tjera piroteknike

Nga ana tjetër, nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë (SBP) për Portalb.mk thonë që ata gjatë këtyre ditëve kanë ndërmarrë aktivitete të përforcuara për prevenimin, zbulimin dhe sanksionimin ligjor të shitjes dhe përdorimit të llojeve të ndryshme të mjeteve piroteknike, veçanërishtë fishekzjarrëve.

Mjete piroteknike që shiten në tregun e gjelbërt në Tetovë
Mjete piroteknike që shiten në tregun e gjelbërt në Tetovë

Sipas SPB, në Tetovë dhe në Gostivar janë gjetur dhe konfiskuar rreth 13 mijë copë të mjeteve piroteknike, ku pjesa më e madhe janë fishekzjarrë. Ndryshe, ata nuk njoftojnë se përse nuk ka kontrolle më të shpeshta dhe përse këto mjete vazhdojnë të shiten publikisht.

“Tre persona nga të cilët dy nga Tetova dhe një nga Gostivari janë privuar nga liria dhe pas zbardhjes së plotë të të gjitha detajeve në veçanti, do të pasojnë edhe padi penale, apo kundërvajtje adekuate”, thuhet në kumtesën e SPB Tetovë.

Sipas Kodit Penal, ai që pa autorizim përpunon, mban, shet, furnizon ose kryen shkëmbim me armë zjarri, municion ose materie shpërthyese, do të dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. Mirëpo me sa duket, këtë ligj shitësit që vazhdojnë të kryejnë këtë veprimtari nuk kanë frikë ta thyejnë dhe të mos e zbatojnë, duke pasur parasysh që akoma vazhdon shitja pa marrë masa më të mëdha për parandalimin e tyre.

Nga SBP Tetovë thonë që ata do të vazhdojnë me organizimin e përditshëm të aktiviteteve kontrolluese nëpër objekte dhe nëpër tezga të improvizuara për të cilat kanë njohuri se ofrojnë mjete piroteknike, dhe gjithkund ku do të gjenden mjete të këtilla, do të pasojnë padi të parapara ligjore. Mirëpo të njejtët nuk dhanë përgjigje mbi atë nëse këto aktivitete të ndërmarra janë të mjaftueshme për ndalimin e shitjes së këtyre mjeteve në hapësira publike.

LEXO: Padi penale kundër dy personave, MPB ka konfiskuar mbi 52.000 pushkaliqe, 400 raketa dhe dinamit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button