Maqedoni, ndryshimet kushtetuese, përplasje për deputetët e përjashtuar

15:40- Debatin për çështjen e emrit e kaluan në debat për emrin e grupit parlamentar. VMRO-DPMNE-ja kërkoi nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi që grupi i deputetëve i përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja të mos thirret si grup i VMRO. Koordinatori i partisë opozitare kërkoi nga kreu i ligjvënësit që të ndërmerr masa në pajtim dhe Rregulloren, transmeton Alsat M. 

“Ju lus qe kolegët nga opozita t’i quani si të pavararur sepse nuk ka mundësi që Qeveria të krijojë opozitë dhe të debatojë me to”. – u shpreh Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së

Ndaj kërkesës së VMRO-DPMNE-së, reaguan deputetët e përjashtuar nga ky subjekt duke theksuar se emri i grupit tyre dallon nga emri i grupit parlamentar të VMRO-së.

“Emri i grupit tonë parlamentar është Grupi i pavarur parlamentar nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni për Maqedoni më të mirë. Kështu që është dallim i theksuar mes dy grupeve parlamentare”. – theksoi Zekir Ramçilloviq, Deputet i VMRO-DPMNE-së

Kreu i Kuvendi i referoi palët që problemet t’i zgjidhin mes vete dhe jo të kërkojnë nga ai të ndërhyjë në kundërshtim me rregulloren.

“Nuk mund t’ia imponoj askujt që të dalë nga grupi parlamentar dhe të thotë jam i pavarur. Nuk mund t’ia ndalojë askujt. Atë duhet ta bëj vetë deputeti nga foltorja apo të njoftojë me shkresë”. – u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit

Njoftimin e sekretarit të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së drejtuar Kuvendit për largimin e deputetëve nga partia, Xhaferi e cilësoi si të pavlerë për faktin që është shkruar nga person, funksionin e të cilit nuk e njeh Kuvendi.

__________________________________________________

Katër propozim amendamentet e Kushtetutës së Maqedonisë, të cilët paraprakisht morën dritë jeshile nga Komisioni për Çështje Kushtetuese dhe Komisionin Juridik – ligjvënës, sot, më 1 dhjetor diskutiohen në seancë plenare, transmeton Portalb.mk.

Do të diskutohet për:

Amendamentin XXXII – parasheh që: Në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, kurse fjala “Maqedonia” të zëvendësohet me fjalën “Maqedonia Veriore”, përveç në Nenin 36.

Amendamentin XXXIV – parasheh që: Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fjalët “Vendimet e ASNOM-it” të zëvendësohen me fjalët “Shpallja e seancës së parë të ASNOM deri te populli Maqedonas për mbajtjen e seancës së parë të ASNOM”, pas fjalës “viti” shtohen edhe fjalët “dhe Marrëveshja e Kornizë e Ohrit”, kurse fshihen fjalët “vendosën të”.

Amendamentin XXXV – parasheh që: 1. Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politika të shteteve fqinje, dhe 2. Me pikën 1 të këtij amendamenti plotësohet Neni 3.

Amendamentin XXXVI – parasheh që: 1. Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas.
2. Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë dhe qëndrojnë në mërgim dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
3. Republika kujdeset për pjesëtarët e kombit maqedonas të cilët jetojnë në mërgatë.
4. Republika gjatë kësaj nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e brendshme të tyre.
5. Me këtë amendament zëvendësohet Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Siç thuhet në materialin e dorëzuar nga Qeveria e Maqedonisë, “qëllimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese është implementimi i Marrëveshjes me Greqinë, e cila duhet të mundësojë integrim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

Hyrja në fuqi e amendamenteve kushtetuese, do të nis me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të nënshkruara me rezolutën 817 (të vitit 1993) dhe 845 (të vitit 1933) në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneriteti strategjik të dy palëve dhe ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO nga Republika e Greqisë.

Si përfaqësues të Qeverisë do të jenë kryetari, Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Përndryshe, më 11 nëntor, në Komisionin për Çështje Kushtetuese përfundoi diskutimi dhe u dha dritë jeshile katër draft amendamentet kushtetuese të Maqedonisë.

Çfarë na pret?

Me seancën e 1 dhjetorit, hymë në fazën e votimit të dytë, ku janë të nevojshme 61 vota “për” të deputetëve për konfirmim të secilit propozim amendamenti. Pas kësaj, sërish caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës, dhe për miratim janë të nevojshme 2/3 e votave “për” të deputetëve. Tërë kjo duhet të përfundojë deri në janar të 2019-s.

Propozuesi i ndryshimeve kushtetuese, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev beson se ka më shumë se 2/3 e votave.

“Unë shpresoj se do të mbeten në qëndrimet fillestare, sepse më 1 dhjetor do t’i kumtojmë amendamentet me të cilat do ta verifikojmë qëndrimin serioz ndaj diskutimeve dhe propozimeve të opozitës të amendamenteve kushtetuese, që sipas meje nënkupton vërtetim të 2/3 së shumicës, por edhe rritjen e saj, por kjo është vetëm shpresë e imja”, tha Zaev.

Diskutimi, miratimi i draft amendamenteve në komisionin kuvendar dhe votimi i dytë, vjen pas fazës që rezultoi me hapjen e kushtetutës së Maqedonisë, më 19 tetor të 2018-s në Kuvendin e Maqedonisë, e cila u mundësua me votën “për” të 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së, të cilët pasi që u përjashtuan nga partia, në Kuvendin e Maqedonisë veprojnë në kuadër të grupit parlamentar të pavarur, për të cilin u formua Komision për Pajtim Nacional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button