fbpx

Intervistë me Izet Currin: Rrugëtimi prej kreatori nga Shkupi deri në Francë (FOTO)

Karriera rreth gjysmë dekade prej kreatori e Izet Currit nisi kur u largua nga lagjja Gazi Babë e Shkupit në moshën 14-vjeçare, duke marrë me vete vetëm një qese prej najloni, kurse u finalizua me hapjen e dy punëtorive në Francë dhe dy instituteve të modës në Prishtinë dhe Shkup. Dy punëtoritë në Francë i ka mbyllur në vitin 2004 dhe 2012. Përgjegjësia profesionale në Francë nuk është aq e madhe siç ka qenë më parë, ngaqë është i angazhuar vetëm me kostumografinë e shfaqjeve teatrale, të cilat në vit janë dy.

“Para se të kërcejmë në ujë, duhet ta matim se sa është i thellë vendi, e pastaj a dini të notoni. Fillimisht duhet të dini të notoni. Edhe të rinjtë duhet të interesohen se çfarë është ky profesion. Duhet të kihet parasysh se moda është industria e katër në botë, dhe është shumë më komplekse se sa mendohet. Tash edhe ky profesion – dizajneri është posti më i rëndësishëm edhe në një sipërmarrje. Nuk mund të bëheni kreator, nëse nuk keni kulturë gjenerale. Ju vini te unë, dhe më thoni unë do të shkojë në një manifestim në Monte Carlo, apo një dasmë në Gazi Babë, unë duhet ta di edhe çfarë është Monte Carlo edhe çfarë është Gazi Baba”, tha Izet Curri.

Izet Curri ka një karrierë të dëshmuar në fushën e dizajnit. Megjithëse ka pasur momente kur ai ka dashur të largohet nga profesioni, sërish dashuria për punën nuk e ka lënë ta bëj një gjë të tillë. Së fundmi është shpërblyer me çmimin “Inspirational Visionary Award 2018” në Slloveni. Çmimi ndahet për njerëzit që e pasurojnë botën e krijimtarisë artistike dhe përpiqen që të ecin përpara duke zgjeruar kufijtë e dizajnit, ndërsa ndihmojnë në nxitjen e mjedisit krijues në rajonin e Evropës Juglindore.

“Çmimi është për të gjithë karrierën time, sidomos për fushën e edukimit dhe arsimit. Kjo ka ardhur pasi që tërë jetën kam qenë pedagog, si në Francë, Kosovë por tash edhe në Maqedoni”, u shpreh për Portalb.mk në lidhje me çmimin, kreatori Izet Curri.

Portalb: Si arriti emri juaj në Slloveni?

Ata kanë hulumtuar shkollat e modës në Ballkan, çfarë ofrojnë ato. Ata e kishin dëgjuar emrin tim, por nuk e kishin ditur që unë jam aktiv edhe në shkolla. Shkak ka qenë ekspozita e fundit që ishte në Daut Pasha. Në konkurrim kanë qenë 18 shtete.

Portalb: Por ju cilin shtet e përfaqësuat?

Izet Curri me buze në gaz: Përfaqësova vetveten. Unë nuk kam nënshtetësi të Maqedonisë. Unë jam kosovar, edhe pse që 47 vjet jetoj në Francë.

Logoja

Finalizimi i projekteve të Francës, realizohet në institutin e modës në Shkup, i cili nuk është i pari që është hapur nga Izet Curri. Instituti i parë është hapur para 13 vjetësh, “Design Factory” në Kosovë, dhe aty ka qenë i angazhuar vetëm në gjeneratën e parë. Në Shkup, afër kalasë, gjendet pjesa më antike e qytetit, Çarshia. Në hyrje të saj, që katër vjet është vendosur Instituti i Modës Izet Curri, ku studiojnë 40 studentë, prej të cilëve vetëm 8 janë nga Shkupit. Krahas Izet Currit, i cili e hapi dhe vazhdon ta udhëheqë Institutin, në të punojnë edhe tetë profesorë.

Në bashkëbisedimin ndërmjet Izet Currit dhe Portalb.mk, do të mësoni rrugëtimin prej kreatori që nisi në lagjen Gazi Babë të Shkupit, dhe kulmoi në Paris të Francës. Shkoi me një qese prej najloni, kurse u kthye me dy valixhe (institute të modës). Se si përjetohet dallimi Francë – Ballkan, çfarë i bashkon dhe i ndanë këto dy emra, dhe ku gjendet Izet Curri në këtë mes, lexoni më poshtë.

Izet Curri deri sa sqaron logon e Institutit të Modës Izet Curri në Shkup: Shenja nuk ka ndonjë domethënie. Shenja është për muratorët. E kam marrë si simbol kur kam qenë shumë i ri. Kisha dëgjuar disa ligjërata, se janë disa gjëra që janë zbuluar nga njerëzit, e që ne nuk i dimë. Edhe kurrë nuk e kanë ndërruar formën, sikurse gjilpëra. Ne nuk e dimë se kur është zbuluar, dhe asnjëherë nuk do të mund ta dimë se kush e ka zbuluar. Kurse me këtë, njerëzit kanë ndërtuar. Ky është simbol i perfeksionimit, i të komplikuarës, e që ndoshta ky është simboli im.

Logoja

Izet Curri vazhdon rrëfimin duke treguar pritshmërinë në lidhje me institutin e modës në Shkup: Nuk kam besuar se punët do të shkojnë kaq mirë. Meqë jemi të vetmit, jemi të llastuar, dhe e kemi luksin që të zgjedhim më të talentuarit. Këtu kanë të drejtë të regjistrohen 40 veta, kurse interesimi ka qenë mbi 200. Ky është një fakultet atipik, jo të jepen nota nga mësimet. Këtu duhet të kryhen detyrat, të bëhet modeli. Jua kum sjellë profesorët që të mësojnë, dhe t’i bëjnë detyrat e mija. Këtu janë të njëjtat makina, të njëjta materiale. Nuk ka ndonjë luks, sepse luksin nuk e bën ai që di të punojë, por ai që e paguan atë.

Portalb: A keni ndonjë program, duke e pasur parasysh se arti është një fushë e lirë dhe të krijon mundësinë që t’i thyesh rregullat?

Izet Curri: Kjo 75 për qind është teknikë, kurse 25 për qind është nga ana artistike – talenti. Talenti është diçka e lindur, kurse teknika mësohet. 9 muaj është provimi pranues, kurse tre vjet është shkolla. Pas kësaj mund të shkohet edhe në master, por ajo bëhet në Francë. Ne jemi shkollë franceze, me metoda franceze. Kemi profesorë që vijnë pesë herë në vit prej Francë. Unë e kam bërë, kurse e juaja mbetet se çfarë do të ndodhë me pas. Ka potencial që ndonjëra nga nxënëset ta udhëheqë shkollën. Fillimisht është Jehona, pastaj Amra, Musliu e Hanifja. Ato janë shumë të talentuar, një ditë ju do të jeni krenar me ato.

Ekspozita në Çifte Hamam: Homazh i profesorit

Izet Curri: Ekspozita realizohet secilin fundvit, në bashkëpunim me Institutin Francez në Shkup. Certifikatat që ndahen, vlerësohen në Francë. Ekspozita e sivjetme ishte shumë emocionuese, pasi që iu bë homazh mjeshtrit tim në Francë. Kanë qenë punimet e nxënësve të vitit të parë, dytë dhe tretë. Me mjeshtrin kam punuar 22 vjet, edhe pse i kum pasur punëtoritë e mija, kurse ai shtëpinë e modës, çdo ditë e falënderoj Zotin, që edhe kur e kam marrë zanatin këtu në Shkup, por edhe në Francë, kam pasur rast të punoj me mjeshtrit më të mirë në qytet. Me ndihmën e tij, kam marrë dijen e krejt rruzullit tokësor. Unë kam shkuar me një qese prej najloni, por tash kam ardhur me dy valixhe (shkolla). Mjeshtrin, e kam të veçantë sepse ka qenë i talentuar. Me të më ka lidhur zanati, pastaj edhe prejardhja, sepse ai është mysliman i Tunizisë, dhe unë jam mysliman, edhe pse në parim gjithmonë ka triumfuar zanati.

Ekspozita në Çifte Hamam

Bisedë rreth kapelës identifikuese të Izet Currit

Portalb: Ngjyrat, modeli nuk janë siç kanë qenë. E paske ndërruar kapelën. Pse?

Izet Curri: Për motivet nuk mund të flasë, sepse nuk janë të qepura nga unë këto. Një rrobaqepëse i ka qepur, më ka thënë se dua të ti japë, dhe ja ku gjendet tash. 

Portalb: Fakti se e vlerësoni punën tuaj dhe nuk mendoni se dikush tjetër mund ta bëjë atë, a ju ka bërë të suksesshëm?

Izet Curri: Nuk kam këso pretendimesh. Tërë jetën kam hulumtuar dhe mësuar se si ta bëj sa më mirë. Edhe nxënësve ju them, gjithmonë parashtrojani vetes pyetjen: “Pse unë duhet të vij te ti të blej?”, duhet të ketë diçka dhe t’i duhet ta zbulosh atë.

Portalb: Pse duhet të vijmë te ju për të qepë?

Izet Curri: Jam munduar gjithmonë që fillimisht atë çfarë e bëj, ta bëj pse më pëlqen mua. Nuk e kam bërë që myshteriu të vijë e ta blejë te unë. Unë asnjëherë nuk ia kam dhënë tjetrit një produkt, nëse ajo nuk më ka pëlqyer. Prandaj shpesh herë njerëzit më kanë thënë se unë jam një supermaniak, sepse ka ndodhur që në momentin kur ka dashur myshteriu ta marrë produktin, kam parë një detaj që s’ më ka pëlqyer, dhe e kam kthyer pas për ta korrigjuar. Maniakizmi është zhvilluar vetëm me punë. Por e kam ditur, se kur e bëj këtë punë, jeta private e merr një flakaresh. Ky profesion mund ta dini se në sa ora ja nisni ta bëni, por asnjëherë nuk mund ta dini se kur mund ta përfundoni.

Portalb: Kur jemi te jeta private, keni “hëngër ju shumë flakaresha” (keni lënë mangët shumë punë)?

Izet Curri duke qeshur me zë: Unë jam i pasionuar. Shpesh herë harroj të shkoj në shtëpi. Kur i hy një pune, harroj se koha ka arritur orën 05:00, dhe jam njeriu që asnjëherë në jetë nuk kam fjetur më shumë se 4 orë.

Portalb: Çfarë është artisti për ju?

Artisti për mua është kur ta kesh një fletë të bardhë para vetes, dhe nxjerrë diçka në të. Çfarëdo qoftë ajo. Po deshe shkruaj, vizato, ai është artist. Ne nuk jemi artistë në profesionin tonë, sepse e kemi trupin, dhe e kemi patjetër t’i respektojmë duart. Duhet të jetë edhe e bukur, edhe funksional. Kjo sigurisht na kufizon në punën tonë shumë. Ne e kemi bazën, trupin, kurse artisti është kur nuk ka asgjë. Ka diçka me ngjyra, por ngjyrat mund gjithkush t’i studiojë. Nuk është diçka e komplikuar.

“Gjithmonë që e kam mbaruar një model, ka qenë ajo kënaqësia shpirtërore. Një krijues nuk hanë vetëm ushqim, por që ta plotësojë veten, duhet ta hajë veprën e vete”, tha Izet Curri.

Çfarë do të ishte një performancë ideale?

Izet Curri: Fillimisht unë nuk kam arritur në atë pikë. Unë gjithmonë kur i kam hyrë një problemi, problemi ka qenë i definuar, që kur t’ia nisi, e di se di duhet të bëhet.

E qepja e parë – mosha 14 – vjeçare: Lumturia e vërtetë

Izet Curri derisa kujton momentin e parë të qepjes dhe suksesin e vërtetë prej artisti: Unë zanatin e kam filluar në moshën 14-vjeçare, pas një viti, atë çfarë unë e mësoja në punëtori, ua përcillja motrave të mija. Kanë qenë pesë motra, dhe që të të pestat janë mësuar të qepin dhe qëndisin. Nëse e kuptoj se askush nuk më do, dhe askush nuk e ndjen nevojën time, unë nuk di të jetoj. Kemi qenë një familje shumë modeste, babai ka lënë 9 fëmijë, e kurse nëna nuk ka dalë nga lagjja, kurse më së largu ku ka shkuar, ka qenë Kaçaniku. Megjithatë ajo është munduar që ne edhe në shkollë të shkojmë, dhe të mësojmë zanat, që të pavarësohemi. Ajo periudhë, kur unë kam mësuar motrat, ka qenë lumturia ime e vërtetë.

“Ky është suksesi i një artisti, se dikush mund të jetojë me atë çfarë ne ua mësojmë”, tha Izet Curri.

Kreatori, Izet Curri

Jeta mes Maqedonisë  dhe Francës: Unë e zgjodha vendin e jetesës, por jo origjinën 

Izet Curri: Nuk kam ardhur shpesh këtu, pasi që babai im ka vdekur shumë herët, në vitin ’64 kurse nëna në ’94. 12 vite nuk kam ardhur fare në Maqedoni. Këtu i kam motrat, vëllezërit edhe pse që të dy kanë vdekur. Unë tash jetoj në Francë, nuk jam kthyer. Kam ardhur vetëm për shkollën. Unë jam larguar nga ky vend, për arsye që nuk i di, por jeta ime zhvillohet në Francë. Nuk e harroj origjinën nga jam, por unë e kam zgjedhur vendin se ku dua të jetoj.

Portalb: Si është Izeti kur është në Shkup dhe në Francë?

Izet Curri: Unë jam komplet i njëjti, asgjë nuk ndryshon në mua. E vetmja gjë që bëhet në mua, është se unë adaptohem me klimën atmosferike. Kurse kur jemi te mentaliteti i njerëzve, kemi të bëjmë me dy botë. Ata (francezët dhe Franca) janë shtete të vjetra, të pasura, të rregulluara. Kurse këtu nuk ka shtet, nuk ka ligj, por janë duke u munduar për ta bërë, dhe uroj që ta bëni. Këtu nuk ka rregulla, nuk ka ligj, dominon kriminaliteti, mashtrimet.

Portalb: A e ka ndikuar kjo edhe artin?

Izet Curri: Kjo mua nuk më ka ndikuar, pasi asgjë nuk më lidh me ato. E di se detyra ime është që të lutem te Zoti që të më japë shëndetin e mirë, që të mundem të punojë me studentët. Unë kështu kam jetuar.

Depërtimet në Francë – mësimi i tenisit

Depërtimi në Francë sigurisht se nuk ka qenë i lehtë, sepse ishte një qytet i madh, por fati i madh për Izet Currin ka qenë se ai ka punuar në shtëpitë e mëdha të modës, ndoshta jo në fillim si kreator, por si punëtor i thjeshtë. Ai sjellë mësimin e parë që e mori kur u përballë për herë të parë me sportin e tenisit, sport të cilin ai nuk kishte pasur rast ta njohë në Maqedoni.

Izet Curri deri sa kujton këtë mësim: Shihja se si po luante tenis, i bërtisja, duke i thënë ti nuk ditke të luash, e duke i treguar se topi nuk duhet të gjuhet ashtu. Por ai asgjë nuk më tha. Më futi në lojë, dhe tha fillo luaj. Unë nuk dija se si ta mbajë reketin, e lë më të hidhja topin si duhet. Pastaj reketi kishte qenë i shqyer, edhe më të vështirë e bënte lojën, sepse nuk mund ta gjuaja topin larg. Kjo është injorancë, sepse vetëm kur vetë do të jeni lojtar, do ta shihni se sa të komplikuara dhe të vështira janë lojërat. Edhe profesioni ynë është i tillë, por mua më ka ndihmuar se unë i kam parë se si kanë punuar, por momenti kur ata ma sqaronin mua punën e kreatorit, atëherë niste mësimi.

“Nuk duhet të gjykosh, nëse nuk di ta bësh vetë atë punë”, tha Izet Curri.

Gjatë bashkëbisedimit me Donjeta Mehmeti dhe Musli Karelitin

Përvoja e studentëve në Institutin e Modës Izet Curri në Shkup

Për studentin Musli Karaliti, përkushtimi dhe ngritja profesionale e profesorëve të Institutit Izet Curri, ishin arsyeja se pse ka ardhur nga Ferizaj i Kosovës për të studiuar në Shkup.

“Ka dy vjet që jam në Institut. Këto dy vite më kanë ndihmuar që të ngritem si në aspekt të personalitetit, por edhe në aspekt të profesional, falë përkushtimit të profesorëve, të cilët janë edhe arsyeja se pse kemi ardhur prej Kosove”, tha Karaliti.

Jehona Kastrati

“Shumë mirë po shkojnë studimet. Unë jam në vitin e dytë tash. Për momentin jemi duke punuar në lëmi të ndryshme, varësisht prej lëndës dhe profesorit me të cilin punojmë. Pjesa që më së shumti e praktikojmë, dhe që i pëlqen çdo studenti, është pjesa e modelimit, pjesa e realizimit të patronëve në kukull. Siç po na shihni, është ora 19:00 kurse ne ende jemi këtu. Kjo tregon se është profesion që kërkon shumë kohë dhe mund”, rrëfehet Jehona Kastrati, studente e vitit të dytë.

Se pse e zgjodhët këtë profesion meqë është i lodhshëm, Kastrati u shpreh kështu: “Ndonjëherë gjërat e lehta dhe të thjeshta, nuk janë shumë interesante. E ky profesion është diçka që çdo ditë kërkon diçka të re, dhe nuk është i bezdisshëm”.

Studentet e vitit të parë, Donjeta Mehmeti dhe Haxhere Çilafi shprehën përvojën e tyre: Viti i parë është pjesa teknike. Pastaj është ilustrimi. Pjesa teknike i tregohet rrobaqepësit, dhe i paraqet të gjitha të dhënat në detaje. Se si deri në milimetra duhet të qepet këmisha, apo çfarëdo qoftë tjetër.

“Para se të nisin me punë të këtij punimi, duhet fillimisht të vizatohet kjo. I kanë ushtrimet, dhe kanë profesorin e veçantë për këtë lëmi. Në qoftë se një ndërmarrje e lypë vizatimin, se si do t’ia qepësh pantallonat, duhet t’ia dërgosh këtë vizatim, dhe për këtë quhet vizatim teknik. Është preciz”, tha Izet Curri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button