fbpx

Leja për ndërtim – ngecja e shkollës së Vizbegut

800 nxënësit e Vizbegut edhe këtë vit do të udhëtojnë më shumë se 1 kilometër për të ndjekur procesin arsimor, pasi që ende nuk është kërkuar leja për ndërtim të shkollës fillore. Nga Komuna e Butelit thonë se pengesat për tokën janë tejkaluar, ngecja është te leja e ndërtimit, për të cilën MASH është duke e kompletuar dokumentacionin, shkruan Portalb.mk.

Ministri e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, gjatë prezantimit të projekteve kapitale për shkollat në Maqedoni, pyetjes së Portalb.mk se kur do të nis ndërtimi i shkollës së Vizbegut iu përgjigj kështu:

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se ka vendbanime dhe ka shkolla ku nuk kanë kushte bashkëkohore për ndjekjen e procesit mësimor. Ne si ministri dhe si Qeveri e Maqedonisë, jemi këtu për të ndërmarrë të gjitha masat dhe hapat konkrete në drejtim të përmirësimit të kushteve. Sigurisht se jemi të informuar në përpikëri dhe detaje për problemin për çështjen që ka të bëjë me ndërtimin e shkollës në Vizbeg. Edhe me Komunën e Butelit, edhe me përfaqësues të Ministrisë nga Transporti dhe Lidhjeve, jemi në komunikim të vazhdueshëm për t’i tejkaluar pengesat administrative, apo më mirë të themi për të plotësuar ato kushte të cilat na i imponojnë dispozitat ligjore që të jepet leja për ndërtim, që të fillohet me punë për ndërtimin e kësaj shkolle”, tha më 31 korrik, ministri Arbër Ademi.

Nga Komuna e Butelit deklaruan se problemi me tokën është zgjidhur, dhe komuna e ka liruar MASH-in nga pagesa e komunaleve. Pengesa është te mosdorëzimi i kërkesës për marrje të lejes për ndërtim.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk pati aplikuar për marrjen në qira të tokës për përdorim afatgjatë, sepse toka ka qenë pronë shtetërore. U desh që të bëhet aplikimi, që toka të kalojë në emrin e MASH-it nën formulën me qira të afatgjate. Nga Sektori i Urbanizimit i Komunës së Butelit më njoftuan se kjo punë ka mbaruar. Tash toka në vend se të mbajë emrin e Republikës së Maqedonisë, ka emrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me qira afatgjate. E vetmja që ka mbetur pa mbaruar, nuk është obligim i Komunës, por i MASH-it, sepse duhet të aplikojë për marrje të lejes për ndërtim. Këtë nuk e kanë bërë, dhe duhet ta bëjnë”, tha zëdhënësja e Komunës së Butelit, Snezhana Klinçarova.

Për sa kohë jepet leja e ndërtimit të shkollës?

“Unë nuk mund të supozoj tash, por Ministria le të aplikojë njëherë. Ajo nuk merr kohë shumë, vetëm në rast se ka ndonjë lëshim”, thanë nga Komuna e Butelit.

Në lidhje me mos parashtrimin e kërkesës për marrje të lejes për ndërtim, MASH njoftoi se janë duke punuar në tejkalimin e pengesave juridike të aplikimit për sigurim të lejes për ndërtim.

“Ju njoftojmë se procedura për ndërtim të objektit të ri shkollor në lagjen e Vizbegut të Komunës së Butelit është në rrjedhë, respektivisht në fazën e tejkalimit dhe zgjedhjes së disa pengesave juridike, që lidhen me tokën në të cilën duhet të ndërtohet objekti. Pas finalizimit të kësaj faze, vijon edhe aplikimi për sigurim të lejes për ndërtim”, thanë për Portalb.mk, nga MASH.

Fëmijët udhëtojnë me kilometra për të ndjekur procesin arsimor

Derisa do të tejkalohen pengesat juridike dhe të merret leja për ndërtim, 800 nxënësit e lagjes së Vizbegut do të udhëtojnë rreth 2 kilometra për të ndjekur procesin arsimor.

Fëmijët e kësaj lagje, më afër e kanë shkollën “26 Korriku” në Shuto Orizare, në largësi prej 2 kilometra, por për shkak se edhe në këtë shkollë mësimi ndiqet në katër ndërrime, si pasojë e mbingarkesës, prindërit janë të detyruar që fëmijët të dërgojnë edhe në shkollat e Çairit, siç është rasti në shkollën “Vasil Gllavinov” e cila është në largësi prej 3.5 kilometra.

Përndryshe, ka 6 vjet që nga kryesia e Komunës së Butelit dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës u premtua ndërtimi i shkollës fillore në lagjen Vizbeg, por as këtë vit shkollor nuk u vendosën themelet për nisjen e ndërtimit të objektit. U tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

Kurse kohë më parë tani më ish ministri i arsimit i  Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Plot gjashtë vite premtohet shkolla, nuk janë vendosur madje as themelet!

Premtimet për shkollën e Vizbegut mbeten vetëm fjalë boshe!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button