fbpx

Intervistë me regjisorin Kushtrim Bekteshi: Përtej të dukshmes që ka vënë maskë

Ka lindur në Kumanovë, kurse vepron në Kosovë e Shqipëri, megjithëse paradoksale të thuhet, duke e pasur parasysh se jeton në Shkup, këtë vit rikthehet në Maqedoni, me shfaqje në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Pasi që nuk u financua mjaftueshëm, nuk do ta realizojë shfaqjen që e synoi në fillim, por nuk u dorëzua që publiku i Maqedonisë të mos privohet nga arti i tij dhe spektakli teatror.

Meqë është aktiv në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, sipas Kushtrim Bekteshit është i domosdoshëm hartimi i një politike kulturore mbarëshqiptare, sidomos tani kur tre ministrat e kulturës janë shqiptarë. Ai flet edhe për dallimet në mënyrën e menaxhimit të teatrove. Si shembull të mirë të menaxhimit teatror ka marrë Rita Gjekën e Teatrit të Shkodrës dhe Fetah Paçarizin e Teatrit të Prizrenit.

Megjithëse i ri në moshë, regjisori Kushtrim Bekteshi ka një numër të madh shfaqjesh teatrore pas vete. Puna e tij prej regjisori është vlerësuar edhe me çmime, por sërish për të më me rëndësi është vlerësimi i publikut dhe ajo se si aktorët do ta trajtojnë fëmijën e tij – siç parapëlqen ta quan shfaqjen teatrore.

Nëse fëmijë artistikë janë shfaqjet, fëmijë biologjikë do të jetë Bojkeni – qenia që para pak ditësh Kushtrim Bekteshit ia dha epitetin baba.

Shumë modest, me ndrojtje për të folur për veten, dhe i tërhequr virtualisht, regjisori Kushtrim Bekteshi për intervistën e Portalb.mk rrëfeu gjerë dhe gjatë për nismat e tij prej regjisori, për veprimtarinë e tij artistike, për përvojat e marra në Shqipëri, Kosovë, Turqi dhe për gjendjen aktuale kulturore në Maqedoni.

Regjisori Kushtrim Bekteshi gjatë marrjes së çmimit “Regjisori i vitit”

Portalb: Si shkas i intervistës është çmimi që e morët para një kohë në Kosovë – regjisori më i mirë. Çfarë rëndësie ka ky çmim në veprimtarinë tuaj prej regjisori?

Kushtrim Bekteshi: Çmimin që e ndan Ministria e Kulurës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës për arritjet vjetore në fushën e teatrit, e që këtë vit mu nda mua për regjinë më të mirë të vitit për shfaqjen “Ata që ikin” e realizuar në Teatrin “Bekim Fehmiu”-Prizren, e konsideroj ndër vlerësimet më të mëdha institucionale që i është bërë krijimtarisë time të deritanishme artistike në teatër. Është hera e dytë që puna ime profesionale vlerësohet nga po e njëjta Ministri, ku para dy vitesh shfaqja ime “Shërbëtori i dy zotërinjve”, e realizuar poashtu në Teatrin “Bekim Fehmiu”- Prizren, u vlerësua me çmimin si shfaqja më e mirë e vitit. Ky vlerësim vjetor në fushën e teatrit tregon një kujdes të kësaj ministrie për evidentimin e vlerave teatrore, dhe motivimin e krijimtarisë artistike në fushën e teatrit. Në ndarjen e këtij çmimi vjetor më të rëndësishme e konsideroj vizionin i kësaj ministrie e cila hapësirën kulturore shqiptare e koncepton si një tërësi të pandashme.

Portalb: Vlerësimi në Kosovë vjen pas një krijimtarie artistike për disa vjet me radhë. Pse u shpërngulët artistikisht nga Maqedonia, dhe pse vendosët të riktheheni?

Kushtrim Bekteshi: Është paradoksale që unë jetoj në Maqedoni dhe puna ime në hapësirën e këtushme skenike në një farë mënyre imponohet natyrshëm të quhet si ‘rikthim’. Është e vërtetë se vitet e fundit më shumë shfaqje kam realizuar në Kosovë e Shqipëri, e kjo për faktin se në teatrot ku jam ftuar kam gjetur përkrahjen dhe vlerësimin maksimal për krijimtarinë time artistike, dhe më janë ofruar kushtet e nevojshme për të artikuluar potencialin tim regjisorial, gjë që vite me radhë nuk po e gjej në hapësirën e këtushme skenike. Ka shumë projekte teatrore ndër vite të cilat kanë qenë të planifikuara t’i realizoj në teatrot shqiptare në Maqedoni, e që nuk janë realizuar për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të mungesës së buxhetit për realizimin e atyre shfaqjeve, qoftë në mungesë të një menaxhimi serioz me prioritetet artistike në krijimin e repertorëve teatrore, qoftë në mungesë të një kulture elementare në konceptimin e natyrës specifike të teatrit ku kompromiset në dëm të produktit artistik konsiderohen si një gjë normale, e që për mua gjithmonë kanë qenë të papranueshme dhe si të tilla i kam refuzuar. Janë shumë faktorë, përveç atyre që ndërlidhen me aspektin financiar të realizimit të një shfaqje teatrore, që kanë ndikuar që mos të jem prezent në vazhdimësi në skenën e këtushme teatrore, por shpresoj që këto histori t’i takojnë të kaluarës e mos të më ndjekin edhe në të ardhmen.

Portalb: A ka ndryshuar diçka në Maqedoni në sferën e kulturës, meqë vendosët të riktheheni me projekte?

Kushtrim Bekteshi: Sa i përket asaj se a ka ndryshuar diçka në realitetin skenik në Maqedoni, veçanërisht në atë shqiptar, unë konsideroj se thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Buxhetet që ndan Ministria e Kulturës për teatrot shqiptare në masë të madhe janë qesharake kur merren parasysh kërkesat artistike për realizimin e shfaqjeve me të cilat konkurrohet, e mos të flasim pastaj kur krahasohen me buxhetet që ndahen për shfaqjet në teatrot maqedonase, ku si përqindje totale buxhetore dallimi është i dukshëm dhe tejet diskriminues.

“Zjarrvënësi” – shembull eklant se si Ministria e Kulturës ndan shuma qesharake për projekte madhore

Regjisori Kushtrim Bekteshi: Në përvojën time të fundit me këtë realitet, Teatri Shqiptar i Shkupit për shfaqjen time “Zjarrvënësit” nga Maks Frish që duhej të realizohej në vitin kalendarik 2018 ka kërkuar buxhet nga Ministria e Kulturës në vlerë prej 2,5 milion denarë dhe për të njëjtin projekt kjo ministri aprovon një shumë qesharake prej 1 milion denarë, pa i marrë aspak në shqyrtim dhe konsideratë kërkesat artistike dhe emrat e stafit artistik të planifikuar për realizimin e kësaj shfaqje. Në këso raste, do të ishte më e sinqertë që nga kjo ministri të sillnin vendim për të refuzuar financimin e projekteve kapitale, se sa të tallen në këtë mënyrë me buxhete qesharake. Këtë fat me këto improvizime buxhetore e ndajnë edhe regjisorët e tjerë shqiptar në Maqedoni dhe rrallë ka ndodhur dhe mund të ndodh ndonjë përjashtim që një regjisor shqiptar nga Maqedonia të ketë privilegjin e merituar për të realizuar shfaqje me të gjitha parametrat artistike sipas konceptit dhe vizionit të tij regjisorial dhe me kushtet optimale financiare për realizimin e asaj shfaqje.

“Janë të shpeshta rastet kur ose detyrohemi të tërhiqemi krejtësisht nga projektet me buxhete qesharake, ose detyrohemi në kuadër të atij buxheti të realizojmë një shfaqje me një tekst tjetër që parashtron kërkesa më të vogla financiare”, tha Kushtrim Bekteshi.

Ministria e Kulturës privoi teatërdashësit nga përballja me realitetin

“Shfaqja “Zjarrvënësit” ishte me potencial të jetë një spektakël teatror krahas trajtimit të aspekteve të rëndësishme të realitetit që jetojmë, por pas refuzimit që iu bë ankesës nga Teatri Shqiptarë për rishikim të buxhetit për këtë projekt, i vetmi opsion ngeli ndryshimi i projektit – propozimi i një tekst tjetër me më pak personazhe, e që mund të realizohet në kuadër të buxhetit prej 1 milion denarë. Propozimi besoj që veçmë është dërguar në Ministrinë e Kulturës, e nëse aprovohet, atëherë realizimi i kësaj shfaqje në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit duhet të ndodhë brenda vitit 2018”, shprehet regjisori Kushtrim Bekteshi deri sa tregon se pse hoqi dorë nga “Zjarrvënësit”.

Kushtrim Bekteshi, regjisor

Megjithëse pasiv në skenën teatrore të Maqedonisë dhe pengesat që dolën pas rikthimit të tij, Kushtrim Bekteshi u privua edhe nga realizimi i qëllimit prej regjisori – të përballë teatërdashësin me realitetin dhe problemet me të cilat përballen për çdo ditë – qëllim ky që duhet të jetë edhe për teatrot dhe Ministrinë e Kulturës.

Por, krahas në Kosovë, regjisori Kushtrim Bekteshi ka qenë aktiv edhe në Shqipëri. Së fundmi ishte pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Bursa të Turqisë.

“Tartufi”: Hipokritët janë futur në çdo pore të shoqërisë

Kushtrim Bekteshi: Në Shqipëri, më saktësisht në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, kam realizuar shfaqjen “Tartufi” nga Molieri, një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore e shkruar në vitin 1664, të cilën me ndërhyrje të vogla dramaturgjike e kam sjellë në kohën e sotme. Shfaqja flet për hipokrizinë dhe hipokritët të cilët i gjen të fshehur në çdo religjion, parti politike, universitet, korporatë e organizatë, me një fjalë hipokritët janë futur në çdo pore të shoqërisë.

Me shfaqjen “Tartufi”, regjisori Bekteshi mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Bursa, njëri nga katër qytetet e Turqisë në të cilën u shpërngulën shqiptarët gjatë kohës së Perandorisë Osmane, si pasojë e pushtimit serb. Shqiptarët kishin harruar gjuhën, por “Tartufi” ua kujtoi preardhjen.  

“Tartufi” në Bursë, bashkoi shqiptarët e shpërngulur në Turqi

Rrëfehet Kushtrim Bekteshi për pjesëmarrjen në Bursa të Turqisë: Pas disa prezantimeve të suksesshme nëpër festivalet kombëtare, “Tartufi” u selektua dhe u shfaq për dy natë me radhë edhe në Festivalin Ndërkombëtar në Bursa të Turqisë. Organizimi i festivalit ishte për çdo lëvdatë, dhe reagimet e publikut për shfaqjen tonë ishin jashtëzakonisht të mira. Emocion të veçantë kemi përjetuar në natën e dytë të shfaqjes, ku një pjesë e konsiderueshme e publikut në sallë ishin shqiptarë – gjyshërit e të cilëve janë shpërngulur në këtë qytet në kohën e shpërnguljes së madhe të shqiptarëve. Shumica e atyre që takuam pas shfaqjes, edhepse shumë pak kishin ruajtur gjuhën, nuk e kishin harruar prejardhjen dhe përkatësinë e tyre kombëtare. Takimi me ta pas shfaqjes, ngazëllimi i tyre që takonin aktorët nga Shkodra, dhe kënaqësia që reflektonin për përjetimin e veçantë që kishin ndjerë duke shijuar një shfaqje në gjuhën e gjakut të tyre, më kanë lënë kujtimin më të veçantë në pjesëmarrjen tonë në këtë festival.

Shpërbërja e Jugosllavisë, zhduki dallimet estetike teatrore mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë

Kushtrim Bekteshi: Ndoshta në të kaluarën kur bashkëpunimet kulturore ndërshqiptare kanë qenë dhunshëm të ndaluara, sidomos në mes shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni e Kosovë me shqiptarët e Shqipërisë, ka pasur dallime të dukshme në aspektet estetike të zhvillimit të teatrit, sidomos pas viteve 60’ dhe 70’ të shekullit të kaluar, për shkak të izolimit të Shqipërisë kundrejt rrymave të reja teatrore, që në atë kohë janë zhvilluar me një intensitet të madh gjithandej nëpër botë, e që mëpastaj janë promovuar edhe në ish-Jugosllavi. Por dallime thelbësore në zhvillimet e përgjithshme kulturore nuk ka pasur asnjëherë, sepse edhe ndasitë e imponuar nuk kanë arritur ta tjetërsojnë unitetin kulturor të kultivuar ndër shekuj. Ndërsa pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së ish Jugosllavisë, si dhe tani me intensifikimin e bashkëpunimeve kulturore ndërshqiptare, janë zhdukur edhe dallimet e dukshme estetike në zhvillimet bashkëkohore teatrore. E kur flasim për nuanca, është normale që çdo qytet ka publikun specifik dhe çdo ansambël teatror ka aktorët me specifika të veçanta në qasjen e tyre ndaj roleve që interpretojnë, por e rëndësishme është që publiku në të gjitha trevat me prezencën e vet dëshmon se e do dhe ka nevoje për teatrin, se përqafon inovacionet kualitative teatrore dhe se është i hapur për vizione dhe rryma të ndryshme teatrore, e aspak nuk është paragjykues dhe fanatik.

Portalb: Duke qenë aktiv në tre shtete, pavarësisht se publiku është i një etnie, sa dallojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovë edhe Shqipëri në pikëpamje teatrore? 

Kushtrim Bekteshi: Nëse flasim për dallime të dukshme, ato dallime vërehen në mënyrën e menaxhimit të teatrove, e kjo s’ka të bëjë aspak me kufijtë, publikun dhe aktorët, por varet nga potenciali dhe vizioni i individëve të cilët udhëheqin me institucionet teatrore. Meqë më lartë u ndalëm më shumë në punë time ne Prizren dhe Shkodër, mund të them me plot bindje se në teatrot e këtyre dy qyteteve kam takuar menaxherët më të mirë të teatrit, Fetah Paçarizi dhe Rita Gjeka, të cilët me gjithë qenien e tyre i janë përkushtuar institucionit të cilin e udhëheqin, me të vetmin qëllim që të promovojnë vlera artistike në planifikimin dhe realizimin e repertorit teatror dhe falë kësaj pune bashkë me ansamblin e aktorëve, për pak vite kanë arritur të etablohen si teatrot më të suksesshëm në hapësirat shqiptare dhe më të shpërblyerat nëpër festivalet teatrore. Janë dy drejtorë, të cilët edhepse me buxhete shume të kufizuara vjetore, asnjëherë nuk e thonë frazën monotone: s’kemi, s’mundet, nuk ka lekë për kërkesat që i parashtron koncepti yt për shfaqjen, por gjithmonë kanë gjetur mënyrën (vetëm ata e dinë se me çfarë sakrifice) që t’i ofrojnë regjisorëve kushte optimale për të qenë komod në punën e tyre kreative gjatë procesit të realizimit të shfaqjeve. Modele të tilla menaxhimi duhet ndjekur në çdo teatër dhe institucion kulturorë nëse duam që publikut t’i ofrojmë shfaqje e produkte artistike estetikisht të pasura dhe nëse duam të avancojmë vlerat tona kulturore.

Portalb: Me aq numër shfaqjesh, me sa çmime u vlerësua puna jote?

Kushtrim Bekteshi: Deri më tani jam shpërblyer më disa çmime për shfaqjen më të mirë dhe regjinë më të mirë në festivale të ndryshme teatrore, ndër të cilat edhe me çmimin “Kult” për regjisor të vitit në Shqipëri (2010), dhe së fundmi me çmimin për regjinë më të mirë të vitit në Kosovë (2018). Gjithsej janë diku 6 çmime për shfaqjen më të mirë dhe 5 çmime për regjinë më të mirë.

Portalb: Për të qenë edhe publiku më kritikë, a mendon se teatrot shqiptare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëra tjetrën, dhe shfaqet t’ua ofrojnë edhe shqiptarëve të trevave të tjera? 

Kushtrim Bekteshi: Jo vetëm që mendoj, por e them me shumë vendosmëri se është i domosdoshëm një bashkëpunim i tillë në nivele më të larta institucionale. Deri më tani ka pasur tentativa të tilla më shumë të bazuara në vullnetin e menaxherëve të teatrove dhe regjisorëve, por shumë pak të iniciuara nga një politikë kulturore mbarëkombëtare. Në të kaluarën janë nënshkruar disa memorandume në nivel drejtorish e ministrish kulture për këso lloj bashkëpunime kulturore, por kanë mbetur vetëm në letër, ndoshta në mungesë të një strategjie të qartë në politikat kulturore, e pse jo edhe në mungesë të vullnetit të sinqertë për të krijuar një bashkëpunim të tillë. Tani së fundmi kur kemi tre ministra shqiptarë që udhëheqin me Ministrinë e Kulturës në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, mendoj se është shansi më i mirë për të përpiluar një politikë të shëndoshë, gjithëpërfshirëse dhe afatgjate për bashkëpunimin kulturor ndërshqiptar, e në këtë tërësi sigurisht që vend të veçantë duhet të ketë teatri dhe kinematografia. Ky bashkëpunim i gjerë besoj thellë se do të arrinte të promovojë vlerat tona kulturore jo vetëm në regjion, por edhe në tërë botën, sepse do të krijonte mundësinë logjistike dhe financiare për bashkëpunim në mes artistëve më të spikatur shqiptar nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës dhe domosdoshmërish produktet artistike do të arrinin në pikën kulminante në avancimit e vlerave artistike. Ne këtë mënyrë edhe publiku do të krijonte një shije më të sofistikuar për njohjen dhe vlerësimin e realizimeve që përfaqësojnë vlera  dhe rrjedhimisht do të ngjallej kritika e mirëfilltë që do të bënte pa pardon diferencimin e vlerës nga antivlera. Jam shumë optimist që kjo një ditë do të arrihet, është çështje kohe dhe çështje vizioni e vullneti politik, e ministrat e tanishëm që udhëheqin me Ministritë e Kulturës e kanë shansin të bëhen promotorë dhe realizues të kësaj politike me rëndësi jetike për bashkëveprimin, zhvillimin dhe promovimin e kulturës tonë kombëtare.

Portalb: Shfaqja teatrore është një institucion i veçantë, që si ministritë dhe teatrot, ka politikën udhëheqëse në interes të qytetarit – publikut. A ndikon publiku në përzgjedhjen e tematikës apo vendosjen e politikës së shfaqjes?

Kushtrim Bekteshi: Sigurisht që publiku ndikon në përzgjedhjen e tematikës së shfaqjes, duke qenë se ne që merremi profesionalisht me krijimin e shfaqjeve teatrore dhe publiku që na ndjek e jetojmë të njëjtin realitet kohor. Për mos t’u keqkuptuar, nuk e kam fjalën që ky ndikim nënkupton se duhet t’i përshtatemi shijes së publikut të gjerë, sepse ashtu mund të përfundojmë edhe në kiç e tallava. Por, përkundrazi duhet ta sfidojmë publikun dhe t’ia filtrojmë shijen për artin duke zgjedhur dhe trajtuar me një gjuhë specifike skenike temat që flasin për problemet aktuale, shqetësimet, dilemat e kohës, pyetjet të cilat na preokupojnë si shoqëri, dramat universale njerëzorë në kontekstin e kohës që jetojmë, e kështu me radhë. Ne, njerëzit e teatrit, jemi përgjegjës për publikun që kemi në teatër, ne jemi përgjegjës për shijen e degraduar ose të sofistikuar që mund të ketë publiku i gjerë, ne jemi përgjegjës për pritshmërinë artistike që duhet ta ketë publiku për shfaqjet që realizohen në teatër, ne jemi përgjegjës poashtu për zbrazjen ose mbushjen e sallave të teatrit, ne njerëzit e teatrit dhe asnjëherë e kundërta.

Portalb: Realizimi i shfaqjes duket proces me përgjegjësi dhe goxha llogaridhënës. Çfarë është e mirë në procesi regjisorial?

Kushtrim Bekteshi: Ka disa momente të mira, nëse mund t’i quaj vetëm momente, në disa faza të krijimtarisë e që mund të veçohen: e para është përzgjedhja e një teksti që të zhvendos nga qetësia e ditëve të zakonshme, që të shqetëson në kuptimin e mirë të fjalës dhe të krijon nevojën për ta realizuar atë tekst në skenë. Pastaj vjen faza e interpretimit dhe krijimit të vizionit për atë shfaqje pas analizës dhe zbërthimit të tekstit që e ka shkruar autori, e më pas moment i veçantë i kënaqësisë është kur një teatër të ofron kushtet për ta realizuar atë vizion, atë nevojë artikulimi në skenë (këtu ngecim shpesh në realitetin tonë e shpesh mund të na kthehet në moment të thellë dëshpërimi, prandaj gjithmonë heqim të zitë e ullirit derisa kjo mundësi bëhet e kapshme). Faza tjetër e kënaqësisë është përzgjedhja e aktorëve të duhur për interpretimin e roleve dhe përzgjedhja e bashkëpunëtorëve për materializimin e ideve dhe konceptit të shfaqjes. Dhe pastaj vjen procesi i provave, që një regjisor i njohur Anatoli Efros e ka definuar më së bukuri si fjali në titullin e librit të tij “Prova, dashuria ime”, e që si fjali përmban atë që e hasim në çdo ditë prove gjatë realizimit të shfaqjes – dashuri me gjitha komponentët që mund t’i përmbajë një ‘lidhje dashurie’: pasion, kënaqësi, frikë dështimi, ngazëllim suksesi, probleme që kërkojnë zgjidhje adekuate, sfida të shoqëruara me grindje, mirëkuptim, solidaritet, gëzim e plotësim shpirtëror… dhe më në fund ndodh magjia – materializimi i gjithë asaj dashurie: shfaqja, që gjithmonë ndodh para premierës, por që publiku mund ta shijojë vetëm në natën e premierës dhe pas saj. Ndërsa premiera për mua është nata më stresuese, nata që shpesh më ka bërë të mendoj se ndoshta nuk duhet të jem prezent përderisa kam shijuar magjinë e shfaqjes në prova… e përsëri si të largohesh pa ndjerë frymëmarrjen e publikut, reagimet, komentet pas shfaqjes, e sidomos pa i takuar aktorët pas shfaqjes, të cilët sigurisht e përjetojnë edhe më me stres ballafaqimin e parë me publikun pas një procesi të gjatë pune krijuese.

Shfaqja teatrore, fëmijë për regjisorët

Kushtrim Bekteshi derisa rrëfen lidhshmërinë e regjisorit me shfaqjet teatrore: Pas premierës, sikur ua kam pak zili aktorëve, ata në reprizat e shfaqjes mund ta shijojnë e të kënaqen me produktin që e kemi krijuara bashkë në prova, ndërsa unë duhet të përballem me zbrazëtinë dhe ndjenjën se nuk jam më i nevojshëm për ta dhe mbajtjen në jetë të shfaqjes, një ndjesi sikur e kam lënë nën kujdes ‘fëmijën tim’ te njerëz që edhepse ju besoj shumë, përsëri kam frikë se në ndonjë reprizë nga neglizhenca mund të ma mbysin. Dhe pastaj me kohë ngushëllohem me faktin se aktorët e duan atë produkt, atë ‘fëmijë”, po aq sa edhe unë dhe ‘fëmija’ është në duar të sigurta derisa të kalojë ciklin e ‘jetës’ në skenë duke u shfaqur para publikut. Ajo që s’të lë të qetë, është frika e përditshme që ndonjë drejtor i papërgjegjshëm do t’ia shuaj parakohshëm jetën duke e hequr shpejt nga repertori – gjë që fatkeqësisht ndodh shpesh gjithandej nëpër teatrot tona.

Portalb: Kush është Kushtrim Bekteshi? 

Kushtrim Bekteshi është një çun i ri 36 vjeçar, jeton momentalisht në Shkup, është i martuar me një qenie të mrekullueshme me të cilën këto ditë po shijojnë bashkë mrekullinë e ardhjes në jetë të fëmijës së tyre të parë, Bojkenit. I lindur e rritur në fshatin Llopat të Kumanovës ku ka mbaruar edhe gjimnazin, djalë i një babai shkrimtari që ia mbjelli dashurinë për artin e letërsinë dhe i një nëne edukatore kopshti që ia zbuloi botën fantastike të përrallave që në moshën tre vjeçare, duke e mbajtur afër vetes për tre vite me radhë në çdo orë mësimi në klasën parashkollore. Vëlla i një aktores shumë të mirë e cila ia ndezi dashurinë për teatrin dhe vëlla i dy vëllezërve shumë të suksesshëm në fushën e informatikës dhe ekonomisë, të cilët e përkrahin për çdo gjë dhe shpesh bëhen nervoz me të që nuk i mësoi gjërat elementare të informatikës, e që sa herë që i çrregullohet laptopi duhet të vijnë e t’ia rregullojnë.

Dajë e xhaxha i shumë nipave e mbesave dhe nip i shumë xhaxhallarëve dhe dajallarëve. Ka bërë 6 vite shkollë të regjisë: dy në Prishtinë e katër në Shkup, tani është docent në katedrën e regjisë në Fakultetin e Arteve në Shkup. Disa thonë për të se është djalë i mirë e simpatik (edhepse kanë filluar t’i thinjen flokët), disa të tjerë e kanë halë në sy – por pak rëndësi ka kjo për të, e shumë të tjerë kanë kohë për ta njohur e për ta vlerësuar kush është në të vërtetë.

Portalb: E kush është Kushtrimi i vërtetë?

Kushtrim Bekteshi: Unë vetë sigurisht nuk mund ta them, sepse sado modest e i sinqertë që mund të jem prapëseprapë të tjerët do të më shohin ashtu siç duan ata të më shohin. Për të dashurit e mi, miqtë e vërtetë besoj se jam ai që jam e më njohin ashti siç jam në të vërtetë me gjithë të mirat e mangësitë që kam, për të tjerët mund të jem gjithkush tjetër pos asaj që jam, e për disa të tjerë do të ngelem gjithmonë i panjohur dhe i padefinuar. Mjaft i koklavitur, si çdo qenie tjetër njerëzore që dëshiron ta shohë botën nga ai këndi magjik ku gjërat dhe fenomenet shoqërore mund të shihen përtej asaj të dukshmes që ka vënë maskë.

Portalb: Politika, shoqëria, ekonomia dhe kultura. Çfarë i lidh dhe i dallon këto terme sipas një regjisori? 

Kushtrim Bekteshi: Janë gjëra qe për nga natyra dhe fusha e interesit profesional dallojnë shumë, por njëkohësisht nuk mundë të funksionojnë ndaras. Në rastin më të mirë e plotësojnë dhe ndihmojnë njëra tjetrën dhe në rastin më të keq funksionojnë në disharmoni dhe ngecin në zhvillim. Një shoqëri e zhvilluar, me një elitë të mirëfilltë intelektuale dhe patriotike, di gjitha këto komponentë t’i harmonizojë dhe t’i fus në një mekanizëm të bashkëveprimit për të krijuar mirëqenie dhe perspektiva të shëndosha për të gjithë. Ndërsa në realitetin tonë, ku shumë gjëra improvizohen e manipulohen për interesa të ngushta politike e klanore, në mungesë të një elite të mirëfilltë intelektuale e patriotike, këto komponentë funksionojnë në disharmoni me njëra-tjetrën, duke krijuar ngecje dhe pasoja të rënda në mirëqenien dhe perspektivën kolektive. Teatri i mirëfilltë patjetër duhet të prek gjitha aspektet e realitetit të një shoqërie duke mos anashkaluar as realitetin politik, ekonomik e kulturor nga ku edhe thithen temat që trajtohen dhe interpreton në një shfaqje teatrore. Teatri i mirëfilltë, ndër të tjera, në mënyrën më të mirë arrin ta pasqyrojë mirëfunksionimin ose keqfunksionimin e kësaj ndërlidhje mes politikës, ekonomisë dhe kulturës në një shoqëri, duke përcaktuar diagnozën e saktë të realitetit dhe kompleksitetit të funksionimit të këtyre komponentëve përbërës të një sistemi të caktuar të organizimit shoqëror.

“Para se të të jetë dhënë një ëndërr, një dëshirë, një pasion, paraprakisht të është dhënë potenciali për ta realizuar atë ëndërr, atë dëshirë, atë pasion. Varet nga vetë ti sa dhe si di ta shfrytëzosh atë potencial për ta realizuar atë ëndërr, atë dëshirë, atë pasion”, kështu përfundoi intervistën, regjisori Kushtrim Bekteshi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button