Maqedoni, institucionet shtetërore shpërfillin rekomandimet e Entit Shtetëror për Revizion

Gjysma e rekomandimeve të dala nga Enti Shtetëror për Revizion në Maqedoni nuk merren parasysh nga institucionet e reviduara gjë e cila pamundëson të dihet se si shfrytëzohen paratë e qytetarëve. Në konferencën “Implementimi i rekomandimeve të Entit Shtetëror për Revizion si prioritet i lartë shoqëror” u tha se nuk dihet nëse ka procedura kundërvajtëse apo penale për keqpërdorimet e mundshme që evidentohen në raportet revizionale, njofton Portalb.mk.

“Enti shtetëror për Revizion në nivel shtetëror realizon prej 56- 60 raporte revizionale, në institucione të ndryshme. Pro problematike mbetet ajo se ka lëshime në realizimin e rekomandimeve që dalin nga këto raporte revizionale, ku për shembull 30 nga 60 rekomandimet e dala nga raporti revizional nuk kanë përgjigje kthyese nga institucionet”, tha Damir Neziri nga Fondacioni për Demokraci “Westminster”, realizuese e hulumtimit.

Damir Neziri
Damir Neziri

Në konferencën e sotme u tha se që raportet e dala nga revizionet e ESHR-së të kenë zbatim nga institucionet duhet të:

  • kemi realizim të procedurave nga Prokuroria Publike për raportet revizionale ku konludohet apo dyshohet për keqpërdorim;
  • kemi shqyrtim të raporteve revizionale individuale nga ana e Kuvendin të Maqedonisë, pasi që të njëjtat dorëzohen veçmë në Kuvend por nuk shqyrtohen;
  • të realizohet plan strategjik nga Qeveria e Maqedonisë që të bëhet sistem nëpërmjet të cilit do të vëzhgohet se si institucionet e reviduara i marrin parasysh rekomandimet e dala nga raportet revizionale dhe
  • mediat dhe sektori civil të mund të realizojnë trysni ndaj ESHR-së por edhe institucionet e reviduara– kjo do të ndihmonte në aktualizimin e keqpërdorimeve dhe marrjen parasysh të rekomandimeve nga ana e raporteve revizionale.

Megjithëse deri më tash raportet revizionale në të cilat ka dyshime për keqpërdorim të parasë së qytetarëve nga ana e institucioneve dërgohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurori, gjykata dhe Komisionin për Ndjekjen dhe Parandalimin e Korrupsionit, nuk dihet se sa prej tyre kanë dispozitë kundërvajtëse apo edhe kallëzime penale për personat përgjegjës.

Gabriella Dimovska
Gabriella Dimovska

“Enti shtetëror identifikon punë të paligjshme ose dyshime për punë të paligjshme, që më pas është i detyruar t’i dërgojë këto revizione te Prokuroria, gjykata, MPB-ja dhe te Komisioni për Antikorrupsion. Se pse nuk ka efekte, nuk e kemi analizuar ne, por nga shembujt paraprak mund të shohim se ka të caktuara dispozitë kundërvajtëse për personat e përgjegjshëm. Kurse për kallëzime penale, ne nuk kemi informata”, tha Gabriella Dimovska nga Qendra për Analiza Ekonomike.

Mediat më pak i shfrytëzojnë raportet revizionale

“Nëpërmjet takimeve që kemi realizuar me disa media, na është thënë se ata kanë shumë pak mundësi që t’i shfrytëzojnë raportet dhe udhëzimet nga ESHR-ja. Por para kësaj, problematike është edhe ekipimi i dobët i mediave në aspekt të kuadrit. Është edhe gjuha e vështirë në të cilën shkruhen raportet që shpesh herë është i pakuptueshëm për gazetarët apo edhe shumë rrallë u rastisë të gjenden në konferenca që organizohen nga ESHR-ja”, tha Gabriella Dimovska.

Me qenë se konferenca është pjesë e projektit “Fuqizimi i llogarisë dhe transparencës fiskale në Maqedoni”, që është financim i Ambasadës së Britanisë së Madhe, ambasadori i saj, Çarls Garet tha se qëllimi i financimit të këtyre projekteve është që të dihet se si shfrytëzohen dhe shpenzohet paratë e qytetarëve.

Përndryshe, ky është raporti i gjashtë katërmujor i realizuar nga Fondacioni për Demokraci “Westminster”, Qendra për Analiza Ekonomike dhe Instituti për Studime Komunikologjike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button