fbpx

Tetovë, ka para vetëm për rroga, këshilli pa “kokë” mundësi për zgjedhje të reja

Komuna e Tetovës nuk mund të shfrytëzojë paratë e buxhetit për investime, por ka para vetëm për rroga të administratorëve dhe për çështje administrative, njofton Portalb.mk. Ky buxhet i gjymtë që kanë në dispozicion vjen si pasojë e faktit që pas katër muajve nga zgjedhjet lokale, ende nuk ka zgjedhur kryetarin e këshillit komunal i cili nënshkruan për harxhimin e buxhetit. Nëse buxheti i plotë nuk miratohet deri në 31 mars atëherë do të do shkohet në zgjedhje të reja për Këshill Komunal.

Do të kemi zgjedhje të reja për këshill?

Mosmarrëveshjet politike mes shtatë subjekteve të ndryshme politike që përbëjnë këshillin komunal të Tetovës e kanë lënë këtë komunë pa kryetar të këshillit komunal.
Jo-zyrtarisht, mos-interesi për të zgjidhur këtë ngërç politik që tregon partia që ka më shumë këshilltarë BDI, do të shpie deri në zgjedhje të reja për Këshill Komunal duke pasur kështu ambicie të merr më shumë këshilltarë pas përçarjeve në Lëvizjen BESA si dhe kondicionin e dobët politik në këtë periudhë të VMRO-DPMNE-së.

Zgjedhja e kryetarit të Këshillit ka dështuar dy herë, së pari për shkak se seanca konstituive u ndërpre nga këshilltarja Rushadie Ramani-Halili nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërkaq së fundmi, pasi është zgjedhur kandidati i PDSH-së, Adnan Bilalli, sektori juridik i Komunës ka konstatuar se zgjedhja e kryetarit të Këshillit nuk është në pajtueshmëri me nenin 47 paragrafi 2 nga Ligji për vetëqeverisje lokale dhe nenit 19 paragrafi 1 nga Rregullorja për punë e Këshillit të Komunës së Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës; Foto nga: Komuna e Tetovës

Në bazë të Ligjit për vetë qeverisje lokale neni 75 paragrafi 4, nëse Komuna e Tetovës nuk e voton buxhetin e plotë deri më 31 mars, e njëjta duhet ë shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Neni 75, paragrafi 4 thotë: “Nëse (këshilli) nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë vjetore deri me 31 mars në vitin që vjen“.

Para sa për “sy e faqe”

Aktualisht, me vendim të Qeverisë, sa për të mos u bllokuar krejtësisht puna në komunë, Ministria e Financave e ka pranuar buxhetin e Komunës së Tetovës i cili kohë më parë kaloi me shumicë votash, por pa nënshkrim të kryetarit të këshillit, që në fakt nuk është zgjedhur.
Por, para ka vetëm për vetëm për rroga të administratorëve dhe për çështje administrative.

“Me vendim të Qeverisë, Ministria e Financave e ka pranuar buxhetin e Komunës së Tetovës, me qëllim që mos të kemi bllokim të shpërndarjes së rrogave si dhe disa çështjeve tjera teknike-administrative.” konfirmon për Portalb.mk, Shirete Elezi, zëvendësministre e financave.

Për të shfrytëzuar paratë për investime, patjetër të zgjidhet kryesues këshilli sepse sipas ish-kryesuesit të këshillit komunal të Tetovës, Irfan Emini kryesuesi i këshillit është personi që nënshkruan të gjitha lejet për të harxhuar paratë e buxhetit në komunën e Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës; Foto nga: Komuna e Tetovës

“Pa kryetar të këshillit nuk mund të kalojnë programet e shkollave, nuk kalojë planet urbanistike, nuk kalojnë projektet e investimeve, nuk mund të kemi rebalanc të buxhetit. Më me rëndësi është programi investimeve, nëse nuk kalon programi investimeve nuk mund të investosh në asgjë” thotë për Portalb.mk, Irfan Emini i cili ishte kryetar i këshillit të komunës së Tetovës nga viti 2009 deri në vitin 2013.

BDI thotë që nuk duhet të brengosemi, partitë tjera reagojnë

Nga Komuna e Tetovës këmbëngulin se nuk ka problem për buxhetin ndërsa apelojnë të arrihet marrëveshja për kryetarin e këshillit për shkak se interesat e pushtetit vendor përkojnë drejtpërsëdrejti me nevojat e përditshme qytetarëve.

“Meqenëse buxheti për vitin 2018 kaloi, për këtë vit nuk do të ketë pengesë në realizimin e investimeve kapitale dhe lëshimin e rrogave në administratën komunale po ashtu edhe bllok-donacioneve që janë pagat e mësimdhënësve. Sa i takon zgjedhjes së Kryetarit të Këshillit Komunal, ajo është një çështje që i përket konsensusit ndërmjet partive politike dhe koordinatorëve të grupeve të këshilltarëve komunal të cilët përfaqësojnë qëndrimet e subjekteve politike“, thonë për Portalb.mk, nga komuna e Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës; Foto nga: Komuna e Tetovës

Bekim Memeti nga BDI shprehet optimist se brenda këtyre ditëve do të zgjidhet kryesuesi i këshillit komunal.

“Kryetari i këshillit do të zgjidhet së shpejti, besojmë se nga fundi i kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme. Është duke u biseduar me të gjitha partitë politike dhe besoj se do të arrihet një zgjidhje. Për momentin nuk mund të them se me cilën parti do të jemi në koalicion por mund të them se për shkurt kohë do të kemi edhe kryesuesin e këshillit dhe do të dalim nga ky ngërç në të cilin jemi momentalisht ” u shpreh për Portalb.mk, Memeti nga BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thonë se deri më tani nuk janë ftuar nga ana e kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi në asnjë bisedë për këshillin komunal edhe pse një gjë të tillë e kanë kërkuar disa herë.

“Asnjë koordinim nuk ka deri më tash. Kam qenë te kryerja e komunës dhe i kam ofruar të tejkalojmë këtë situatë pa mos i vendosur asnjë kusht për të zgjedhur edhe buxhetin edhe kryesuesin e këshillit. E tëra me një qëllim të vetëm, të mos kenë pasoja qytetarët por nuk ka gatishmëri nga BDI.” thotë për Portalb.mk, Arif Selmani, koordinator i këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët.

“Deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje dhe deri me tash nuk na kanë kontaktuar. As ne nuk e kemi të qartë pse deri më tani nuk janë duke bërë asgjë. Ne si këshilltarë kemi biseduar mes vet dhe nuk e dimë se çka është duke bërë kryerja e komunës dhe këshilltarët e BD-së dhe LSDM-së. Disa herë kemi qenë të gatshëm që të japim kontributin tonë që të formohet këshilli po nuk e dimë se çka është duke ndodhur ” thotë për Portalb.mk, Besar Durmishi nga Lëvizja Besa.

Nga LSDM shkurt na thanë se janë në koalicion me BDI-në dhe se qëndrim më të precizuar do të japin në ndonjë rast tjetër nëse do të veprojë ashtu siç do të veprojë edhe BDI- në nivel lokal.

Portalb.mk tentoi të kontaktojë edhe me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së por të njëjtët ishin të pakapshëm.

Problem të ngjashëm ka edhe Komuna e Gostivarit e cila nuk ka kryetar të këshillit ndërsa Ministria e Financave ua ka miratuar buxhetin e përkohshëm.

Këshilli i Komunës së Tetovës numëron 31 këshilltarë, ndërsa nga kjo përbërje për zgjedhjen e kryetarit nevojitet shumicë, apo 16 vota prej numrit të përgjithshëm.

Përbërjen e Këshillit mund ta shihni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button