Qeveria ushtron trysni mbi institucionet shtetërore: reformat në kahe të gabuar!

73% prej 288 të anketuarve gjatë hulumtimit nga “Rrjeti 23+” kanë vlerësuar se Qeveria e Maqedonisë ka ndikim të madh në realizimin e reformave në Maqedoni, kurse sipas përfaqësueses së Komitetit të Helsinkit, pjesë e realizimit të hulumtimit, Uranija Pirovska, kjo është e dhënë se reformat në Maqedoni nuk janë duke shkuar në drejtimin e duhur dhe se të njëjtat janë duke u ndikuar nga “qendrat e fuqisë”, raporton Portalb.mk.

“73% e të anketuarve kanë deklaruar se Qeveria ka ndikim të madhe në realizimin e reformave dhe kjo statistikisht ka bërë që të ketë ndikim edhe në punon e Kuvendit të Maqedonisë, gjykatat, prokuroritë, sektorin civil dhe ekspertët e fushave nga të cilët duhet të realizohen reformat. Unë disa herë kam deklaruar, megjithëse në fillim u mendua se reformat po shkojnë në kahe të duhur, siç kaloi koha kjo nuk është duke ndodhur. Vlerësoj se vetëm Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është duke i realizuar reformat në drejtimin siç u tha në fillim dhe siç duhet të ndodhë”, tha Pirovska.

Nga ana tjetër, pjesëtarja e Institutit për Politika Evropiane, po ashtu pjesë e realizimit të këtij hulumtimi, Ardita Abazi Imeri tha se 288 të anketuarit gjatë periudhës kohore 23 tetor – 30 dhjetor vlerësojnë se gjendja në gjyqësor është e keqe. Se si të largohet kjo gjendje, të anketuarit vlerësojnë se duhet të ulet ndikimi i pushtetit qendror.

“Gjendja gjenerale në gjyqësor është e keqe, d.m.th. të punësuarit në administratën shtetërore vlerësojnë se gjendja në këtë drejtim është e keqe. Besim të ulët kanë edhe në institucionet e sistemit legjislativ. D.m.th. në pjesën se si të tejkalohet kjo gjendje jo e mirë potencohet zvogëlimi i ndikimit të pushtetit ekzekutiv mbi gjyqësorin dhe rritjen e niveli të pavarësisë së gjykatave”, tha Abazi – Imeri.

Nga e majta: Ardita Abazi Imeri (IPE), Uranija Pirovska (Komiteti i Helsinkit) dhe Diana Milenkovska (GFK)

Se ku qëndrojmë më mirë, sipas të anketuarve thuhet se është stabiliteti financiar i gjykatësve dhe puna e Prokurorisë Speciale Publike kurse vlerësim më të dobët ka puna e Këshillit Gjyqësor në mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të gjykatësve.

Kur jemi te procesi i realizimit të reformave, të anketuarit që janë të punësuar në administratën shtetërore kanë vlerësuar se Maqedonia është e përgatitur për integrim në Bashkimin Evropian.

“48% e të anketuarve që kanë përvojë punëeprej 15 vjet thonë se institucionet shtetërore kanë kapacitet për realizim të reformave ndërkohë që të punësuarit që kanë 1 deri 2 vjet përvojë pune thonë se institucionet në Maqedoni nuk kanë kapacitet për realizim të reformave. 47% e të anketuarve thonë se institucionet kanë kapacitet që të realizojnë reformat në gjyqësor, të luftojnë korrupsionin dhe të respektojnë të drejtat themelore të njeriut kurse 14% e të anketuarve vlerësojnë se institucionet nuk kanë kapacitet të realizimi të këtyre reformave”, tha Abazi-Imeri.

Në drejtimin e tre fushave të pyetura: gjyqësori, antikorrupsioni dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, të anketuarit edhe pse pjesë e këtyre institucioneve kanë vlerësuar se “nuk ka barazi para ligjit”.

“Kjo nënkupton se të anketuarit mendojnë se një rast gjyqësor mund të ketë vendime të ndryshme varësisht gjykatësve që e ndjekin lëndën. Kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, por me ndikimet tjera nga jashtë që shpesh herë mund të jenë raste të korrupsionit”, tha Uranija Pirovska.

Interesant është fakti se të anketuarit shqiptarë janë optimist për realizim të reformave, ndërkohë që kjo nuk shihet te maqedonasit.

Ky hulumtim është realizuar në bashkëpunim me organizatat joqeveritare GFK, Komiteti i Helsinkit, Instituti për Politika Evropiane dhe është financuar nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button